Kosova dhe Shqipëria përballë sfidave të mëdha

18 korrik 2019 | 11:44

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, diplomati Lisen Bashkurti, ka bërë me dije se Kosova dhe Shqipëria gjenden përballë sfidave të mëdha.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka ftuar lidershipin e të dy vendeve të jenë të vëmendshëm ndaj këtyre sidave. Bashkurti ka deklaruar se në veçanti Kosova duhet të ketë kujdes në dialogun me Serbinë.

Sipas tij, në këtë proces Kosova duhet ta respektojë kuadrin kushtetues, të veprojë në kuadër të bashkëpunimit të brendshëm ndërinstitucional dhe të veprojë në bashkëpunim me partnerët strategjikë ndërkombëtarë.

Diplomati shqiptar ka vlerësuar se institucionet e Kosovës nuk duhet të kenë frikë për të negociuar, sikurse nuk duhet të negociojnë pa pasur frikë.

Duke folur për situatën e fundit në Shqipëri, Bashkurti ka theksuar se Shqipëria është në krizë politike, institucionale, ekonomike dhe sociale.

“Epoka e re”: Z. Bashkurti, procesi i dialogut Kosovë – Serbi është bllokuar. Si e shini vazhdimin e këtij procesi?
Bashkurti: Mënyra se si nisi dialogu Kosovë – Serbi, marrëveshjet që u firmosën midis palëve, qëndrimi i Serbisë për mosrespektimin e marrëveshjeve, mungesa e transparencës së negociatave në fazën e fundit dhe opsionet kontradiktore lidhur me ndarjen e Kosovës, ndryshimin e kufijve të saj, shkëmbimin e territoreve dhe problemet e krijuara në këtë kontekst, roli i paqartë që luajti përfaqësuesja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogerini, qëndrimet e ndryshme dhe në jo pak raste kontradiktore të aktorëve të rëndësishëm ndërkombëtarë lidhur me këtë proces, në mënyrë të pashmangshme do të krijonin një situatë bllokimi të negociatave. Bllokimi i negociatave është problem shumë serioz diplomatik. Bllokimi i bënë të gjitha palët të tërhiqen. Në teorinë dhe praktikën e negociatave thuhet se është më mirë të mos i nisësh negociatat sesa t’i nisësh dhe t’i bllokosh ato, sepse bllokimi i negociatave krijon shkallë të lartë mosbesimi midis palëve negociuese, por ndonjëherë edhe për palët e treta ose ndërmjetësuese. Bllokimi i negociatave nxitë, gjithashtu, edhe faktorët jashtë negociatorë për të ndërhyrë në proces ose për të reflektuar rreth tij, çka e komplikon më shumë negocimin dhe rritë gjasat për zgjatjen e bllokimit të tij për një kohë të gjatë dhe të paqartë.
Bllokimi i negociatave në shumë raste krijon efekte të paparashikueshme edhe në dinamikën në terren. Ai rrit tensionet politike, krijon kriza të ndryshme, provokon stabilitetin midis palëve, ndikon në qëndrueshmërinë e marrëdhënieve fqinjësore, përkeqëson bashkëpunimin rajonal si dhe ngadalëson deri në bllokim proceset integruese të të gjithë vendeve përreth krizës.

“Epoka e re”: Ajo që ka nxitur dilema është propozimi i kryediplomatit spanjoll Josep Borrell Fontelles, për postin e shefit të diplomacisë së BE-së. Sa mund të ndikojë në rrjedhën e dialogut Kosovë – Serbi nëse ky proces do të drejtohet nga ky diplomat, vendi i të cilit është kundër pavarësisë së Kosovës?
Bashkurti: Emërimi i diplomatit spanjoll Josep Borrell Fontelles në krye të shërbimit të jashtëm të BE-së ka ngjallur skepticizëm në mjaft qarqe politike dhe diplomatike evropiane. Tek shqiptarët e Kosovës ky skepticizëm duket të jetë më i lartë. Unë i kuptoj arsyet historike, politike, mentale dhe psikologjike të shqiptarëve të Kosovës për këtë skepticizëm. Por, natyrisht, nuk i justifikoj ato. Lypset të kemi parasysh se Fontelles si diplomat i Spanjës dhe Fontelles si kryediplomat i BE-së kanë një ndryshim themelor. I pari përfaqësonte interesat kombëtare të Spanjës, politikën e jashtme dhe diplomacinë e saj, i dyti përfaqëson interesat e Bashkimit Evropian, politikën e jashtme dhe diplomacinë e organizatës. I pari përfaqësonte një shtet, Spanjën, i dyti përfaqëson njëzetetetë shtete, pra BE-në. Midis politikës së jashtme dhe diplomacisë së Spanjës dhe politikës së jashtme dhe diplomacisë së BE-së ka dallime dhe ngjashmëri. Dallimet konsistojnë në dimensionin kombëtar spanjoll, ngjashmëritë në linjat e përbashkëta të BE-së. Kalimi nga diplomat nacional në diplomat i BE-së nuk lejon parimisht dhe praktikisht që të barten apo të transferohen politikat e diplomacia nacionale në nivele evropiane të BE-së. Diplomati i BE-së vepron nën flamurin e organizatës dhe në mbrojtje të linjave të politikës së jashtme dhe diplomacisë së saj. Ky proces është i rregulluar qartësisht në të drejtën ndërkombëtare, diplomatike dhe konsullore të OKB-së, e cila bën dallimin midis diplomatëve të shteteve nacionale dhe atyre të organizatave ndërkombëtare. Gjithashtu, Traktati Lisbonës i BE-së, në kapitullin e tretë, për politikën e jashtme dhe të sigurisë, në artikujt për Veprimin e Shërbimit të Jashtëm të BE-së (EEAS), përcakton qartë dallimin midis shërbimit të jashtëm të BE-së nga ai i shteteve individuale.
Kryediplomati i BE-së udhëheq politikën e jashtme të BE-së dhe veprimin diplomatik të saj. Asgjë më shumë dhe asgjë më pak. Natyrisht, kryediplomati i BE-së ka origjinën e vet, formimin dhe përvojën personale, lidhjet dhe ndikimet e ndryshme, që në një mënyrë apo tjetër, në një masë apo tjetër, nuk mund të anashkalohen e aq më pak të shpërfillen. Por, origjina, formimi dhe përvoja, lidhjet apo ndikimet personale të kryediplomatit të BE-së, nuk bën që t’i cenojnë vlerat, parimet, normat dhe politikat e përbashkëta të BE-së. Një cenim sado i vogël që do t’i vendoste interesat e shteteve individuale mbi vlerat, parimet, normat dhe politikat e përbashkëta të BE-së do ta minonte gjithë organizatën në tërësi. Prandaj, mendoj se nuk ka vend për skepticizëm nga Kosova, sikundër nuk ka aspak vend për entuziazëm nga Serbia. Rasti i Mogerinit, që tentoi t’i hapte rrugë ndryshimit të kufijve Kosovë – Serbi, provon se devijimi sado i vogël individual i kryediplomatit të BE-së nga linjat e organizatës ndeshet në rezistencë të pakapërcyeshme të mbarë organizatës.

“Epoka e re”: Çfarë duhet të bëjnë institucionet e Kosovës që të dalin sa më mirë në këtë proces?
Bashkurti: Institucionet e Kosovës lypset të mbajnë parasysh se po hyjnë në një fazë shumë kritike të negociatave. Natyrisht nuk duhet pasur frikë për të negociuar. Por, gjithashtu, nuk duhet kurrsesi të negociohet pa pasur frikë. Negociatat janë betejë. Si çdo betejë, negociatat kanë tri alternativa: të fitohen, të humben ose të jenë kompromis, pra fitore pa të humbur. Unë do t’u sugjeroja institucioneve të Kosovës t’i kenë parasysh këto elemente: Së pari ta respektojë kuadrin kushtetues të saj. Kushtetuta e Kosovës është themeli juridik i shtetit të Kosovës, mbi të cilin Kosova u bë shtet i pavarur e sovran, demokratik e shumetnik, me integritet territorial dhe aftësi për të hyrë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kushtetuta e Kosovës u bazua në paketën e Marti Ahtisarit në fund të vitit 2007. Ajo përmban tri parimet themelore negociuese të arritura nga Grupi i Kontaktit për Kosovën, që ishin ‘Kosova nuk ndahet, Kosova nuk kthehet në statusin e përpara 1999-s, Kosova nuk bashkohet me shtetet e tjera’. Gjithashtu, paketa e Ahtisarit dizajnonte një Kosovë demokratike dhe shumetnike, duke synuar mënjanimin e ‘shtetit etnik tradicional’. Në tërësinë e vet Paketa e Ahtisarit, e shndërruar në Kushtetutë, arriti të krijonte Kosovën e sotme, me paqe të qëndrueshme të brendshme dhe me kontribut paqësor në Ballkan.
Paketa e Ahtisarit rezultoi kushtetutë e suksesshme. Nëse sot Kosova përballet me sfida në marrëdhëniet me pakicat serbe, kryesisht në veri dhe me Serbinë në tërësi, këto sfida burojnë kryekëput nga Beogradi, nga doktrinat nacionaliste serbe, nga Kushtetuta e Serbisë si dhe nga politikat e sotme të saj. Sikundër burojnë edhe nga aleatët e mëdhenj të Serbisë, në mënyrë të veçantë Rusia. Kushdo që të jetë negociator i Kosovës dhe kushdo që ta përpilojë strategjinë negociuese të saj, lypset ta mbajë në themel Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Aty përcaktohen ‘vijat e kuqe’ përtej të cilave nuk mund të shkojë asnjë negociator dhe nuk mund të përpilohet asnjë strategji. Shkelja e kuadrit kushtetues në thelb sjell në mënyrë të pashmangshme dështimin e shtetit të Kosovës në tërësi. Kolonat kushtetuese janë akti publik i fuqisë, i qëndrueshmërisë, i funksionalitetit dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare të Kosovës.
Së dyti, do t’i sugjeroja Kosovës të veprojë në kuadër të bashkëpunimi të brendshëm ndërinstitucional. Politikëbërja dhe vendimmarrja në politikën e jashtme të Kosovës janë kompetencë e një sërë institucionesh të parashikuara qartësisht në kushtetutën e saj. Sistemi politik i Kosovës dhe i Serbisë ka ndryshime të rëndësishme edhe në këtë aspekt. Edhe statuset kushtetuese të presidentëve të të dy vendeve ndryshojnë. Presidenti i Serbisë zgjedhet drejtpërdrejt nga populli. Si i tillë, ai është përfaqësues drejtpërdrejt i sovranit ashtu sikundër edhe Parlamenti i Serbisë. Presidenti i Serbisë, si përfaqësues i sovranit, ka tagër legjitim më të gjerë dhe të fuqishëm të përfaqësimit të Serbisë edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ndonëse, si në çdo sistem politik të tillë, parimi ‘check and balance’ e detyron edhe presidentin e Serbisë të gjejë bashkëvendimmarrje me Parlamentin e Serbisë, ku në fund të fundit, ratifikohen gjithë marrëveshjet ndërkombëtare të negociuara dhe të firmosura nga presidenti serb.
Presidenti i Kosovës zgjidhet nga parlamenti, në opsionin ultima, me shumicë të thjeshtë. Ky president nuk është përfaqësues drejtpërdrejt i sovranit. Sovraniteti në Kosovë bartet te Kuvendi i Kosovës. Kjo e bën Kosovën Republikë Parlamentare të qartë. Presidenti i Kosovës nuk ka tagër legjitimiteti të sovranit. Kompetencat e tij janë të dobëta dhe të limituara në përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës. Në dimensionin e politikëbërjes dhe vendimmarrjes në politikën e jashtme Kosova është ndërinstititucionale. Parlamenti dhe Komisioni i Politikës së Jashtme, Qeveria dhe Ministria e Punëve të Jashtme, Presidenti dhe Gjykata Kushtetuese janë në tërësinë e tyre institucionet që përfshihen në politikëbërjen dhe në vendimmarrjen e politikës së jashtme të Kosovës. Kushdo qoftë negociatori i Kosovës dhe kushdo që ta përpilojë strategjinë e negocimit të saj lypset ta konsiderojë këtë tërësi institucionesh politikëbërëse dhe vendimmarrëse në politikën e jashtme. Shpërfillja ose anashkalimi i ndërinstitucionalizmit prodhon politika jolegjitime, jo të qëndrueshme e jo të zbatueshme. Shpërfillja dhe anashkalimi ndërinstitucional do ta fuste Kosovën në krizë të thellë politike që do të gjeneronte pasoja edhe në marrëdhëniet me fqinjët dhe me mbarë Ballkanin.
Së treti do t’i sugjeroja Kosovës të veprojë në bashkëpunim me partnerët strategjikë politikë ndërkombëtarë. Projekti i shtetit të Kosovës qysh në fillesën e tij është produkt i partneritetit strategjik ndërkombëtar. Në këtë partneritet strategjik ndërkombëtar kanë spikatur veçanërisht Shtetet e Quintit, ShBA, Gjermania, Britania, Franca dhe Italia. Shqipëria është gjithashtu pjesë e këtij partneriteti politik strategjik për Kosovën, por me peshë të limituar ndërkombëtare. Këta partnerë strategjikë vulosën Republikën e Kosovës dhe njohjen ndërkombëtare të saj. Në këtë konstelacion partneriteti politik strategjik kohët e fundit po lakohet edhe Bashkimi Evropian. Këtu ka një paqartësi. Bashkimi Evropian, bazuar në traktatin e tij, nuk ka një politikë të jashtme unike. Politika e jashtme e BE-së është kryesisht atribut i shteteve anëtare individuale të saj. Ka aspekte që BE-ja arrin konsensus në politikën e jashtme, sikundër ka edhe aspekte ku shtetet anëtare vendosin mbi bazën e interesave të tyre individuale. Në qëndrimin ndaj shtetit të Kosovës, Bashkimi Evropian nuk ka arritur konsensus. Ka shtete që e kanë njohur Kosovën, sikundër ka edhe shtete që nuk e kanë njohur atë. Pra, ka shtete pro Kosovës, sikundër edhe pro Serbisë. Ndaj Kosovës Bashkimi Evropian si nivel organizate është i dyzuar në mënyrë kontradiktore. Për këtë arsye Bashkimi Evropian ka përcaktuar pozicion ‘neutral’ ndaj statusit politik të Kosovës. Bashkimi Evropian ndërmjetëson negociata teknike sepse kaq ka mandat. Bashkimi Evropian si organizatë nuk merret fare me statusin politik final të Kosovës. Por, normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi po bëhet kryekëput çështje politike. Në këtë aspekt Bashkimi Evropian si nivel organizate është i përçarë, i dobët dhe për këtë arsye nuk është dhe nuk ka se si të jetë partner politik strategjik i Kosovës. Kjo nuk cenon aspak rëndësinë e Bashkimit Evropian për Kosovën në aspekte të tjera të bazuara në Traktatin e Lisbonës, siç janë fusha ekonomiko-tregtare, katër lëvizjet e lira, rendi dhe ligji, aqquis communitaires dhe në bashkëpunimin ndërqeveritare në fusha politike, sigurie dhe diplomatike ku BE-ja ka arritur konsensus.
Partnerët politikë strategjikë të Republikës së Kosovës kanë qenë dhe mbeten ShBA-ja, Gjermania, Britania, Franca, Italia dhe specifikisht Shqipëria. Natyrisht Kosova ka mbështetje shumë më të madhe përfshirë fqinjët, vendet e rajonit, anëtarë të BE-së, NATO-s dhe të OKB-së. Por, shtetet e Quintit, plus Shqipëria, kanë mbajtur një qëndrim unik dhe në kontinuitet për Kosovën. Prandaj konsultimi dhe bashkëpunimi me to është ‘condicio sine qua non’ për Kosovën në çdo faze të saj për sot dhe për shumë kohë. Republika e Kosovës dhe partnerët politikë strategjikë të Quintit dhe Shqipëria kanë një agjendë të përbashkët. Kosova është sukses i kësaj agjende. Kosova nuk mund të jetë dështim pikërisht për shkak të kësaj agjende. Kushdo që të jetë negociatori për Kosovën dhe kushdo që ta përpilojë strategjinë e saj negociuese lypset të jetë në konsultim dhe bashkëpunim permanent me shtetet e Quintit dhe me Shqipërinë. Në këtë mënyrë Kosova siguron mbështetjen dhe garanton një marrëveshje të arsyeshme, të drejtë dhe të dobishme për vete dhe për mbarë rajonin dhe të mbështetur dhe të garantuar ndërkombëtarisht. Në nivel ndërkombëtar Quinti dhe në nivel rajonal edhe Shqipëria janë mbështetja dhe garancia më e madhe për Kosovën dhe për mbarë Ballkanin.

“Epoka e re”: Së fundi është bërë më mbizotërues mendimi se veçanërisht BE-ja po tregohet e padrejtë me Shqipërinë së cilës nuk po ia hap negociatat për anëtarësim dhe me Kosovën së cilës nuk po ia heq regjimin e vizave. Sa i bazuar është një mendim i tillë?
Bashkurti: E kam parë dhe dëgjuar shpesh këtë kritikë ndaj BE-së. Thënë të drejtën, më therin sytë dhe më dhëmbin veshët kur e dëgjoj. Në më të paktën kjo kritikë është një recidivë e të kaluarës së marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe fuqive tradicionale evropiane. Në më të shumtën kjo kritikë është pasojë e dështimeve serioze të brendshme e të dy shteteve tona, Shqipërisë dhe Kosovës, për t’i përmbushur në kohë dhe me rigorozitet standardet dhe kriteret e kërkuara nga BE-ja për të gjithë vendet që kërkojnë t’i bashkohen organizatës.
Bashkimi Evropian dhe fuqitë e sotme evropiane që arritën ta ndërtonin Evropën e Bashkuar kanë bërë një revolucion në filozofinë dhe sistemet e tyre politike. Bashkimi Evropian është projekt i paqes kundër luftës, është projekt i demokracisë kundër diktaturave, është projekt ekonomisë së tregut të lirë kundër centralizmit e planifikimit, është projekt i kontributit të organizatës në nivel global kundër rivaliteteve imperiale tradicionale. Suksesi i projektit të BE-së është i padiskutueshëm dhe i pakontestueshëm. E ardhmja e tij është e ndritur. Asnjë lloj nacionalizmi, euroskepticizmi, populizmi nga brenda dhe asnjë lloj ndërhyrje gjeopolitike nga jashtë nuk mund ta shkatërrojë projektin e BE-së. Vendet aspirante, si Shqipëria dhe Kosova, lypset të vijojnë pa hezitim, në mënyrë konsistente dhe dinamike, rrugën drejt BE-së. Të dy vendet e popujt tanë duhet të çlirohen nga paragjykimet e së kaluarës. Sikundër të dy vendet dhe popujt tanë nevojitet t’i përmbushin rigorozisht standardet dhe kriteret e BE-së në planin politik, juridik, ekonomik dhe administrativ. Kritikat duhet t’ia drejtojmë vetes sonë. Pra, të bëhemi vetëkritikë.

“Epoka e re”: Situata politike në Shqipëri ka marrë një kah tjetër e cila është tensionuar pas veprimeve të fundit të opozitës dhe mbajtjes së zgjedhjeve lokale nga ana e kryeministrit Edi Rama pa një konsensus të përgjithshëm. Kjo situatë ku do ta shpie Shqipërinë?
Bashkurti: Shqipëria është në krizë politike, institucionale, ekonomike dhe sociale. Krizat e bashkëshoqërojnë edhe demokracinë. Aftësia e sistemit demokratik është se i ka të gjithë mekanizmat për të parandaluar, për ta zgjidhur dhe për t’i menaxhuar krizat. Edhe Shqipëria i ka këto mekanizma. Nëse kriza po zgjatet, kjo buron nga disa vështirësi që kanë rrjedhur nga qeverisja dhe papërgjeshmëria e mazhorancës, nga ngadalësimi i disa reformave në vend, sidomos i asaj në drejtësi, nga aftësia dhe përgjegjshmëria e opozitës si dhe nga mungesa e respektimit të institucioneve kushtetuese në vend. Por, kriza ka edhe anën e mirë të saj. Ajo po e shkund Shqipërinë për të dalë nga tranzicioni. Por vë në lëvizje shoqërinë shqiptare për të qenë pjesëmarrëse më aktive në politikëbërje dhe vendimmarrje. Kriza po shtron nevojën për një reformim të thellë e të plotë të sistemit politik, institucional, ekonomik dhe social të vendit, për t’u përshtatur më mirë e më funksionalisht me sistemin e demokracive liberale perëndimore. Kriza do ta nxjerrë vendin nga status quoja aktuale. Natyrisht, pikënisja e kësaj kthese, për mendimin tim, nis me domosdoshmërinë e zgjedhjeve të lira e të ndershme, nga ku do të konstituohen organet legjitime, transparente, të përgjegjshme dhe gjithëpërfshirëse të vendit, që do ta mundësojnë ecurinë e shpejtë drejt integrimit të tij në BE.

(Muhamet KOCI /Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në kuadër të fazës përgaditore, të cilën po e zhvillon…