Kosova dhemb njësoj

07 korrik 2020 | 13:32

Nga Enxhi Hoxha

E sunduar, e përdhosur, e plaçkitur, e rrënuar, e nëpërkëmbur, e lënë jetime, e braktisur nga bilance aleatësh, viktimë e betejave të tejskajshme, Kosovës së djeshme nuk iu kursyen as sot. Dardanisë së rreshtave të diskurit historik, ia cënuan sërish vetëflijimin paqeruajtës në emër të sovranitetit, e kryqëzuan paktin e të vegjëlve për diskordanca të mëdha, ia stopuan vrapin, i thanë se duhej ta ndalte garën në mesin e pistës, i lanë të kuptohej se nuk mund të valvisë flamurin e finish-it nëse vullneti i tyre politik s’është arbitër i lojës, kundër tyre mbetesh në gjysëm shtizë.

Një biçim tingujsh telefonikë, lajmëtarë alarmantë të çorbës së bluar në Prokurorinë e Posaçme të Hagës, Hashim Thaçi-t do t’i delegonin një boomerang politik, një aktakuzë të formuluar nën petkun e një justifikimi, një njollë provokative në tentativë ndaj pastërtisë së UÇK-së, një hap pas në të shkuarën e pafajshme. Kupola e strategëve të vjetër europianë, lexoi ditarin e batakut të kahershëm të turbulencës antishqiptare e me lapsin mbi letrën e sponsorizuar për çurg me gjak shqiptari, shkroi kapitullin e rradhës albanofob. Një interval patetik padrejtësie kaplon luftën e shenjtë të Kosovës, i tregon togat e zeza viktimës, i shpalos 100 akuza vetëm se i mbijetoi luftës së përgjakshme, Kosova ia doli të rilindë e ky konstatim nuk e gëzon bindshëm Europën. Objektivi i Hagës nuk është presidenti, as ish-kryetari i kuvendit, është kanalizimi i progresit të Kosovës pa vulën e Europës. Një bekim amerikan midis dy shteteve brenda hartës europiane, s’është kafshatë që përtypet lehtë nga autoritetet e kontinentit që vlon kurdo. Një fyerje e interesave politike bëri kurban dy eksponentë politikë duke ua prekur plagën që ende lëngon prej vajtimit. Pllakosja e Kosovës, në shërbim të sektit europian e arsyes së munguar të Hagës, është dhimbja që vrau fatin. Sot, shteti më i ri do duhej të shpaguhej për çfarë nuk bëri e pësoi, por Europa dëshmoi se ndaj së vërtetës mbetet tradhëtare.

Në fushën e lojës plot rrengje, Kosova e Shqipërisë ishte e pambrojtur, synonte mbrojtjen jo sulmin, me parzmore e koracë të limituar, prej lakmisë plebishitare të Milloshevic-it do të mbetej jetime në pak centimetra territorialë. Divizioni jugosllav ra si vetëtimë mbi trupat e pamëkatshëm të bijve shqiptar. Plaçkitën e çrrënjosën çfarë gjetën, vranë e kurrë nuk u mjaftuan. Askush s’tha asgjë! Impulset e ulërimave të nënave shqiptare teksa vajtonin për gjakun që më nuk pulsonte, i buçisnin në vesh Europës, por sërish ajo zgjodhi heshtjen. Nuk u dënua Serbia për aktet çnjerëzore, u akuzua pa akuzë Kosova. Dyerve të Hagës nuk do të katandiset pa teklif Thaçi a Veseli, por mbarë Kosova. Politika e pështirë europiane duhet anatemuar medoemos, çdo sekond pasues është i tepërt.

Vegimi i së kaluarës zgjon ende ankth për këdo që e shtron sofrën për më pak degë të trungut familjar.

Leximi i aktakuzës është mohim për çdo dëshmor që u dergj në shtratin e vdekjes në emër të lirisë. Shtypja e shqiptarëve vijon pa kushte, keqardhje Europë! Nëse të bësh piruetë me të vërtetën është drejtësi, e largët qoftë dita e rekrutimit tek ti.

Revista Class

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, është takuar me…