Kosova do të jetë anëtarja e 31-të e NATO-s

11 shkurt 2019 | 13:25

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Burim Ramadani, ka bërë me dije se ushtria e Kosovës po i avancon raportet me NATO-n. Ai është shprehur i bindur se Kosova do të jetë anëtarja e 31-të e NATO-s.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Ramadani ka deklaruar se Kosova duhet t’i thellojë përpjekjet politike dhe diplomatike për të arritur këtë synim.

“Në të vërtetë, ne kemi më shumë kërkesa për NATO-n, sepse duam të jemi anëtari i radhës i Aleancës Veriatlantike. Jam i bindur se Kosova do të jetë anëtarja e 31-të e NATO-s. Për këtë synim na duhet t’i thellojmë përpjekjet politike dhe diplomatike”, ka thënë Ramadani. Ai ka deklaruar se në raportet e FSK-së me NATO-n nuk do të ketë ndikim mosrespektimi i kërkesës amerikane për heqjen e taksës për mallrat serbe.

Ramadani ka treguar se avancimi i FSK-së dhe institucioneve të tjera të sigurisë është i domosdoshëm dhe, sipas tij, ky proces nuk ndërlidhet me proceset e tjera.

“Kjo nuk lidhet me politika të tjera. As me taksën për mallrat serbe. As nuk duhet të lidhet. Sigurisht nuk mund të flas në emër të partnerëve, porse e ritheksoj përkushtimin tonë që jemi të palëkundur për partneritetin strategjik special me ShBA-në, sidomos në politikat e sigurisë dhe të mbrojtjes. Unë nuk shoh ndërlidhje midis temave të ndryshme, rrjedhimisht nuk shoh asnjë nevojë për shqetësime të tilla”, është shprehur ai.

Zëvendësministri i Mbrojtjes ka folur edhe për aktivitetet që do t’i ketë ushtria e Kosovës me rastin e shënimit të 11-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

“Ky është përvjetori i parë i shpalljes së pavarësisë në të cilin ushtria e Kosovës do të parakalojë. Pra, do të ketë parakalim të ushtarëve të FSK-së në sheshin kryesor të Prishtinës, ashtu sikurse e ka përcaktuar këshilli organizativ ndërinstitucional për shënimin e 11-vjetorit të pavarësisë. Sidoqoftë, asgjë të jashtëzakonshme nuk do të ketë aty, vetëm shënim i përvjetorit të 11-të”, ka thënë Ramadani.

“Epoka e re”: Z. Ramadani, Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës pritet që më 11 shkurt ta shpallë zyrtarisht konkursin publik për rekrutimin e rekrutëve. Sa rekrutë pritet të pranohen?
Ramadani: Me hyrjen në fuqi të ligjeve që mandatojnë ushtarakisht FSK-në ka filluar edhe zbatimi i planit të tranzicionit, një plan ky transparent dhe i mirëkoordinuar. Në këtë kontekst, edhe rritja e numrit të ushtarëve është pjesë e rëndësishme, sikurse edhe riorganizimi i Ministrisë së Mbrojtjes dhe i FSK-së. Tashmë, ashtu sikurse është planifikuar, presim interesim të madh të të rinjve të Kosovës nga të gjitha komunitetet për t’u bërë pjesë e FSK-së. Procesi do të jetë transparent, ligjor dhe i saktë. Do të përzgjidhen më të mirët në konkurrim, ndërsa pastaj e tëra varet nga kapacitetet e tyre për t’i përfunduar trajnimet bazike dhe për t’i përmbushur detyrat për t’u bërë pjesëtarë të FSK-së. Në planin afatgjatë, FSK-ja do të ketë 5 000 ushtarë aktivë dhe 3 000 ushtarë rezervë. E tërë kjo do të shtrihet në një afat disavjeçarë, duke filluar që nga viti 2019. Kështu, në këtë vit do të përzgjidhen disa qindra rekrutë për t’i filluar trajnimet bazike, duke u ndarë në dy grupe të mëdha përgjatë vitit. Sidoqoftë, përkundër planeve strikte rreth numrave, këtu, mbi të gjitha, interesimi i kandidatëve të përgatitur është thelbi. Detajet sigurisht se do të bëhen publike me kohë.

 “Epoka e re”: Kur pritet të miratohet struktura e re e Ministrisë së Mbrojtjes dhe si do të duket ajo?
Ramadani: Sipas përcaktimeve ligjore dhe filozofisë institucionale, Ministria e Mbrojtjes do të jetë edhe më tutje Ministri e integruar me civilë dhe të uniformuar. Qëllimi është që struktura e re e Ministrisë së Mbrojtjes ta reflektojë kornizën ligjore, parimet qeverisëse dhe qëllimet për zhvillimin e arkitekturës së sigurisë kombëtare. Kështu edhe do të duket struktura e re, pra e integruar dhe që reflekton ligjin, parimet udhëheqëse dhe qëllimet për zhvillim. Kjo, sigurisht, është një punë mjaft sfiduese, por jam i bindur se riorganizimi do të shkojë tutje në kuadër të afatit të përcaktuar në planin e tranzicionit, i cili tash e shumë kohë është edhe i mirëkoordinuar, edhe publik.

 “Epoka e re”: Prej fillimisht të tranzicionit të FSK-së në ushtri është folur për raportet që do t’i ketë kjo forcë me KFOR-in. Në cilën fazë të zhvillimit të FSK-së pritet të shqyrtohet raporti në mes të këtyre dy forcave?
Ramadani: Me KFOR-in raportet janë në vazhdimësi duke u avancuar. Kemi marrëdhënie shumë të mira, të rregullta dhe jemi në komunikim të përditshëm. Edhe në nivelin politik, edhe në nivelin profesional. Tashmë jemi në një situatë më të zhvilluar dhe më të mirë. Si Qeveri e Kosovës besojmë se aspektet profesionale më së miri i ndërtojnë profesionistët. Në këtë kuptim, ne kemi ftuar NATO-n që të vazhdojë të jetë aktive si përmes KFOR-it, po ashtu edhe përmes NALT-it. Në aspektin e parë, te KFOR-i, tashmë hapi i parë për thellimin e marrëdhënieve midis FSK-së dhe KFOR-it është ndërmarrë dhe zyrtarizuar. Kjo ka të bëjë më së shumti me rritjen e komunikimit të përditshëm. Jemi të kënaqur që udhëheqja e FSK-së dhe KFOR-it janë në pajtueshmëri për thellimin e këtij aspekti të komunikimit. Në aspektin e dytë, NALT-in, ne duam që ky ekip i NATO-s ta vazhdojë praninë, këshillimin dhe ndërlidhjen në mes të Kosovës dhe NATO-s. Këtë edhe e presim, që në periudhë të shpejtë ta vendosë NATO-ja, pra që gjithçka të vazhdojë njëjtë edhe në të ardhmen. Në të vërtetë, ne kemi më shumë kërkesa për NATO-n, sepse ne duam të jemi anëtari i radhës i Aleancës Veriatlantike. Jam i bindur se Kosova do të jetë anëtarja e 31-të e NATO-s. Për këtë synim na duhet t’i thellojmë përpjekjet politike dhe diplomatike.

 “Epoka e re”: Mospezullimi i taksës për mallrat serbe, a mund të ndikojë në raportet e ShBA-së me FSK-në?
Ramadani: Secili shtet kalon nëpër procese të ndryshme, duke u shërbyer prioriteteve të ndryshme në të njëjtën kohë. Prandaj, edhe Kosova ka prioritete shtetërore që jodomosdoshmërisht duhen parë si të ndërthurura. Forcimi i sigurisë kombëtare, si shembull, është prioritet madhor i Kosovës, kështu avancimi i FSK-së dhe institucioneve të tjera të sigurisë është i domosdoshëm. Por, kjo nuk lidhet me politika të tjera. As me taksën për mallrat serbe. As nuk duhet të lidhet. Sigurisht nuk mund të flas në emër të partnerëve, por e ritheksoj përkushtimin tonë që jemi të palëkundur për partneritetin strategjik special me ShBA-në, sidomos në politikat e sigurisë dhe të mbrojtjes. Unë nuk shoh ndërlidhje midis temave të ndryshme, rrjedhimisht nuk shoh asnjë nevojë për shqetësime të tilla. Ne kemi ndërtuar bashkërisht institucionet deri më tash dhe bashkërisht do ta vazhdojmë forcimin e tyre. Partneriteti strategjik special me ShBA-në nuk është ad hoc, por i qëndrueshëm dhe i përgjithmonshëm. Është partneritet i popullit të Kosovës. Është partneritet i Qeverisë së Kosovës. Asgjë dhe asnjëherë nuk e lëkund përkushtimin tonë në këtë partneritet. Në anën tjetër, Kosova vazhdimisht është e sulmuar nga Serbia. Është e qartë, besoj, se Serbia duhet ta ndalë agresionin, që është riforcuar, qoftë përmes ndërhyrjes direkte brenda Kosovës, qoftë përmes agresivitetit të paprecedentë në marrëdhëniet rajonale e ndërkombëtare. Nëse Serbia nuk e ndal këtë agresion, atëherë ajo duhet të paguajë për të. Kështu, taksa është vendim reagues i Qeverisë së Kosovës. Nuk është politikë agresore ndaj një shteti tjetër, por politikë reaguese e domosdoshme për ta mbrojtur sigurinë kombëtare.

 “Epoka e re”: Së shpejti Kosova feston 11-vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Cilat do të jenë aktivitetet e ushtrisë për këtë përvjetor. A do të kemi parakalim të ushtrisë?
Ramadani: Ky është përvjetori i parë i shpalljes së pavarësisë në të cilin ushtria e Kosovës do të parakalojë. Pra, do të ketë parakalim të ushtarëve të FSK-së në sheshin kryesor të Prishtinës, ashtu sikurse e ka përcaktuar këshilli organizativ ndërinstitucional për shënimin e 11-vjetorit të pavarësisë. Sidoqoftë, asgjë të jashtëzakonshme nuk do të ketë aty, vetëm shënim të përvjetorit të 11-të. Për më shumë se kaq, besoj se në aspektin politik dhe të debatit publik mbi të ardhmen e Kosovës, e tërë skena politike dhe institucionale duhet ta reflektojë edhe një herë përkushtimin për të avancuar, mbrojtur dhe garantuar shtetin e Kosovës të shpallur më 17 shkurt 2008. Kosova e 17 shkurtit 2008 është e vetmja që siguron stabilitet dhe paqe në rajon. E vetmja që garanton prosperitet për qytetarët e Kosovës, të të gjitha komuniteteve, dhe që siguron të ardhmen e sigurt të të gjithëve. Në 11-vjetorin e shpalljes së pavarësisë duhen rikujtuar dhimbjet e tragjeditë që populli i Kosovës ka kaluar në të kaluarën jo të largët. Ne, si politikë e institucione, por edhe si qytetarë, duhet të rizotohemi për shërbim ndaj atdheut. Secili nga ne individualisht, politikisht dhe institucionalisht kemi obligim kushtetues, kombëtar e qytetar të sigurojmë që Kosova e 17 shkurtit do të jetojë përgjithmonë.

Muhamet KOCI

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prof. Lisen Bashkurti Debati i nisur për ndarjen e veriut…