Kosova duhet të ndërtojë qëndrim të qartë dhe unik për dialogun

13 tetor 2019 | 14:19

Menaxherja e projektit për dialogun Kosovë – Serbi në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Jeta Krasniqi, ka bërë me dije se emërimi i ambasadorit amerikan në Gjermani, Richard Grenell, si përfaqësues special për dialogun Kosovë – Serbi, dëshmon përkushtim e shtuar të administratës Trump për këtë proces.

Ajo ka deklaruar se Grenell do të përpiqet që t’i kthejë palët sa më parë në tryezën e diskutimit, duke investuar fuqinë e tij politike në arritjen e marrëveshjes përfundimtare.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ajo ka thënë se tani palës së Kosovës në dialogun me Serbinë i mbetet që të ndërtojë qëndrim të qartë dhe unik. “Palës kosovare i mbetet që të ndërtojë qëndrim të qartë dhe unik dhe këtë mbështetje amerikane ta kthejë në mbrojtje të interesit të saj. Është më se e qartë që Kosova duhet të dalë shtet edhe më i fuqishëm në arenën ndërkombëtare dhe më i konsoliduar në aspektin e brendshëm nga kjo marrëveshje me Serbinë. Por, për t’u arritur këto objektiva, pala kosovare duhet të jetë mirë e përgatitur, e qartë në kërkesat e saj dhe unike”, ka thënë Krasniqi, duke shtuar se qeverisë së re i mbetet që ta ndërtojë konsensusin e nevojshëm nacional për këtë çështje.

“Mbetet tejet e rëndësishme që Qeveria e re ta ndërtojë konsensusin e nevojshëm politik për ta çuar përpara këtë proces, ndërtimin e një qëndrimi unik për të garantuar ruajtjen e interesit shtetëror të Kosovës në tryezën e diskutimit si dhe ndërtimin e një strategjie të qartë të shtetit të Kosovës lidhur me këtë proces”, është shprehur Krasniqi.

“Epoka e re”: Znj. Krasniqi, Richard Grenell, përfaqësues special i presidentit të ShBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, sapo ka vizituar Kosovën ku është takuar me gjithë përfaqësuesit politikë. Si e keni parë këtë vizitë?
Krasniqi: Vizita e z. Grenellit qartazi sjell mesazh të mbështetjes së ShBA-së rreth procesit të dialogut Kosovë – Serbi dhe angazhim të tyre të drejtpërdrejtë për arritjen e një zgjidhjeje në mes të palëve që do të kornizohen si një marrëveshje ligjërisht e obligueshme në mes palëve. Z. Grenell vjen në një kohë të pas zgjedhjeve kur qeveria e ardhshme pritet të sjellë ndryshime qoftë në qeverisjen e brendshme të vendit, por dhe në vetë procesin e dialogut. Prandaj, besoj se mesazhet e tij kanë qenë nën drejtim të kërkesës për rikthim në tryezën e dialogut, për nevojën e arritjes së një marrëveshjeje dhe atë çfarë e kemi dëgjuar dhe më parë për një dritare të mundësisë e cila është e hapur tashmë kur shihet se vetë presidenti Trump ka kthyer vëmendjen ndaj këtij procesi.

“Epoka e re”: Gjatë vizitës ai bëri me dije se pret që palët shumë shpejt t’i kthehen dialogut. Sa është e mundshme një gjë e tillë, duke pasur parasysh procesin në të cilin gjendet Kosova?
Krasniqi: Të gjitha partitë politike në Kosovë kanë shprehur përkushtimin e tyre për proces të dialogut Kosovë – Serbi. Pala kosovare në asnjë çast nuk ka shprehur hezitim për të biseduar me Serbinë, duke qëndruar të hapur pavarësisht prej sjelljeve të Serbisë. Përkundrazi, ka qenë Beogradi zyrtar i cili ka kushtëzuar procesin e dialogut me heqjen e taksës 100 % ndaj produkteve të Serbisë, masë kjo të cilën Qeveria në dorëheqje e Kosovës e vendosi si përgjigje ndaj sjelljes aspak konstruktive të Serbisë, fushatës së saj ndërkombëtare kundër shtetit të Kosovës dhe anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëtare siç ishte dhe në rastin e lobimit të saj kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol. Në këtë fazë ku ndodhet Kosova, duhet ta presim formimin e institucioneve të reja të cilat do të kenë legjitimitet qytetar për ta vazhduar procesin e dialogut Kosovë – Serbi. Në momentin e formimit të qeverisë së re dhe të konstituimit të Kuvendit është e pritshme që qeveria e re ta ndërtojë pozicionin e vet kundrejt këtij procesi. Mbetet tejet e rëndësishme që qeveria e re ta ndërtojë konsensusin e nevojshëm politik për ta çuar përpara këtë proces, ndërtimin e një qëndrimi unik për ta garantuar ruajtjen e interesit shtetëror të Kosovës në tryezën e diskutimit si dhe ndërtimin e një strategjie të qartë të shtetit të Kosovës lidhur me këtë proces.

“Epoka e re”: Si vrojtuese e procesit të dialogut Kosovë – Serbi, çfarë ndikimi pritni të ketë Grenelli në dinamiken e këtij procesi?
Krasniqi: Emërimi i ambasadorit amerikan në Gjermani, z. Grenell, drejtpërdrejt nga ana e presidentit Trump si i dërguar special për dialogun Kosovë – Serbi, dëshmon përkushtim të shtuar të kësaj administrate ndaj këtij procesi, mbi të gjitha investim të shtuar amerikan për një marrëveshje eventuale në mes të palëve. Pala e Kosovës në vazhdimësi ka kërkuar përfshirjen më të madhe amerikane në procesin e ndërmjetësuar nga BE-ja. Dhe vetë emërimi i z. Grenell e dëshmon këtë përkushtim. Z. Grenell do të përpiqet që t’i kthejë palët sa më parë në tryezën e diskutimit, duke investuar fuqinë e vet politike dhe ndikimin politik për një marrëveshje siç tashmë e kemi dëgjuar të artikulohet, marrëveshje e paqes. Palës së Kosovës i mbetet që të ndërtojë qëndrim të qartë dhe unik, dhe këtë mbështetje amerikane ta kthejë në mbrojtje të interesit të vet. Është më se e qartë që Kosova duhet të dalë shtet edhe më i fuqishëm në arenën ndërkombëtare dhe më i konsoliduar në aspektin e brendshëm nga kjo marrëveshje me Serbinë, por për t’u arritur këto objektiva, pala kosovare duhet të jetë mirë e përgatitur, e qartë në kërkesat e saj dhe unike.

“Epoka e re”: Ndërkohë i kemi parë qëndrimet e z. Kurti, liderit fitues të këtyre zgjedhjeve rreth këtij procesi. A do të arrijë kryeministri i ri dhe qeveria e re ta ndryshojnë qasjen e këtij procesi?
Krasniqi: Z. Kurti e ka shprehur qartazi që dialogu, siç ka vazhduar deri më tani, nuk do të mbetet i tillë edhe në të ardhmen. LV-ja dhe vetë z. Kurti si udhëheqës i kësaj partie kanë vlerësuar se duhet të ketë së pari një dialog të brendshëm me komunitetin serb të Kosovës, duhet të ketë një vlerësim të 33 marrëveshjeve të arritura deri më tani dhe duhet të ketë një konsensus të brendshëm rreth këtij procesi ku kërkesat e Kosovës përfshijnë tema që kanë të bëjnë me kohën e okupimit, të suksesionit dhe të viteve të luftës – dëmeve materiale e njerëzore të shkaktuara nga shteti i Serbisë. Ashtu siç kemi parë edhe në të kaluarën, edhe kjo qeveri do ta sjell qasjen e vet rreth procesit të dialogut. Gjithsesi mbetet fakti që ky proces ka tashmë tetë vjet që ka filluar, pala kosovare jo gjithmonë ka arritur ta mbrojë në tërësi interesin e Kosovës në tryezën e diskutimit. Mbetet një sfidë e madhe e cila kërkon mobilizim të gjithëmbarshëm politik e shoqëror, për t’i riparuar dëmet e bëra, mbi të gjitha për të garantuar që diskursi i këtij procesi ndryshon nga ai që Kosova duhet të japë diçka në këmbim të së drejtës së vet për të qenë shtet i pavarur dhe sovran.

“Epoka e re”: Tashmë dihet që prijës të këtij procesi do të jenë presidenti dhe kryeministri. Duke pasur parasysh raportet e deritashme të z. Thaçi dhe të z. Kurti, sa vështirë do të jetë arritja e një konsensusi nacional për këtë çështje?
Krasniqi: E kemi parë që Kosovës i ka munguar konsensusi nacional në dy vjetët e fundit rreth kësaj çështjeje, pasi teza e korrigjimit të kufijve, e paraqitur nga presidenti Thaçi, nuk e ka gjetur mbështetjen as të qeverisë dhe as të partive politike. Kosova ka një demokraci të re, si shtet i ri që është, por në këto vite demokraci ne kemi mësuar që pa konsensus tezat e mëdha nuk mund të shtyhen përpara. Serbia nuk është në pozitën që ka qenë dikur në fillim të vitit 2000. Tani ndodhet në një pozitë shumë më të favorshme ndërkombëtare, andaj përpjekjet e shtetit të Kosovës dhe të krerëve institucionalë duhet të shkojnë drejt përgatitjes sa më të mirë të pozitës së Kosovës dhe jo luftës së brendshme ditore.
Është e pamohueshme që fuqia politike e presidentit Thaçi në Kosovë është e madhe, por Kushtetuta e Kosovës i ka shumë të qarta obligimet. Përgjegjësit e secilit institucion dhe bashkërendimi institucional duhet të bazohen pikërisht në këto prerogative. Sfiduese mund të jetë, por kur qëllimi është shteti i Kosovës, atëherë krerët institucionalë e kanë edhe për obligim ruajtjen e shtetit të Kosovës dhe detyrimisht duhet të punojnë në këtë drejtim.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në München të Bavarisë, Unioni i bizneseve shqiptaro-gjermane, mbajti takim…