Kosova e degraduar në sy të botës dhe e bllokuar nga brenda prej partive të saja politike

16 korrik 2025 | 17:28

– Pozita – po, e bartë përgjegjësinë kryesore për këtë maskaradë me Republikën, por edhe opozita duke mos u bashkuar nuk e kryen misionin e vet ndaj Republikës e ndaj aleatëve perëndimorë –

Shkruan: Hajdin Abazi

Ajo që po ndodhë në Kosovë pas zgjedhjeve nacionale të sivjetme mund ta kenë dëshiruar vetëm ata që kanë qenë kundër Pavarësisë dhe Shtetbërjes së Kosovës. E pabesueshme, por realitet. Dhe duket sikur askujt nuk po i bëhet vonë që shteti ynë po degradohet në sy të botës perëndimore, kurse nga brenda e bllokuar nga mos arritja e një kompromisi politik midis partive shqiptare. Po të mund të ngriheshin dëshmorët e rënë për çlirim e ta shihnin këtë gjendje do t’i ngrinin duart nga qielli e do të thoshin: “O Zot, janë në vete këta politikanë apo jo, atë që e arritëm me luftë, me mund e sakrifica kaq lehtë e papërgjegjshëm po e nëpërkembin! Medet, medet!”

*

Dëshpërimi shtrihet gjithandej. Në vend që shteti ynë të përforcohet nga viti 2021, t’i tejkalonte ato mangësi që ishim manifestuar dhe të ecte përpara, po ndodhë një regres gjithandej!
Shteti ka dështuar t’i mbrojë ish-krerët e UÇĶ-së, për shkak të hileve të Qeverisë Kurti, e cila mbështetjen e cunguar po e bën për shkak të inateve politike dhe nga frika se lirimi i tyre mundet t’ia kërcënojë pushtetin Kurtit! Madje vetë Kurti i akuzoi ish-krerët e UÇK-së, sidomos Hashim Thaçin e Kadri Veselin, se ata e drejtojnë PDK nga burgu i Hagës – kaq larg shkon paranoja e tij ndaj madhështisë së tyre si çlirimtarë!
Nga viti 2021, gradualisht por pandalshëm, janë degraduar raportet e Kosovës me partnerët tanë kryesor e që janë edhe sponsorizues të Pavarësisë e të Shtetbërjes (e në instancë të fundit edhe mbrojtësit e kombit shqiptar) si Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Britaninë e Madhe, por po ashtu edhe me aleatët tanë perëndimor dhe jo vetëm. Madje, jo rrallë, janë bërë veprime me pasoja për KFOR-in, përgjegjësin kryesor Euro-Atlantik për sigurinë e Kosovës, për shkak të moskoordinimit. Kjo qeveri, në këndvështrimin tim, me politikën e saj të jashtme (me përjashtim të mbështetjes së Ukrainës dhe të Izraelit, por që as këto nuk qe në gjendje t’i kapitalizojë në interes të Republikës së Kosovës) në diskrepancë me aleatët dhe shpesh kundër udhëzimeve të tyre ka bërë më shumë punë në ftohjen e raporteve (deri në masa nga BE-ja) me aleatët tanë perëndimor se sa që ka mund të bëjë Serbia me diplomacinë e saj anti-Kosovë! Prej refuzimit të gazit natyror me Greqinë e që ishte projekt amerikan e deri te mospërfillja e sugjerimeve për koordinim me shtet mike dhe shpesh drejtpërdrejt me Uashingtonin – janë veprime që e kanë dëmtuar dhe vazhdojnë ta dëmtojnë Kosovën, duke treguar se kjo qeveri nuk ka vullnet bashkëveprimi dhe koordinimi. Më shumë se kaq, nuk ka mundur të ëndërrojë as vetë Serbia!
Dhe kjo qeveri e kolapsoi energjetikën e Kosovës! Kur inicoheshin projektet për termocentralin Kosova e Re, Kurti e pasuesit e tij e refuzonin atë në emër të ambientalizmit! E asgjë nuk bënë në këto pesë vite për ta përmirësuar gjendjen. Ajo që tashmë është bërë e dukshme në pesë vitet e sundimit të Kurtit është bërja publike e transaksioneve me kompani serbe, e që Qeveria Kurti i ka yshtur e mbështetur dhe, me aq sa po thuhet, të gjitha lidhjet çojnë te zyra e Kurtit si kryeministër.
Kurti e kishte periudhën e art 5 vjeçare për ta treguar veten si burrështetar që vendin e ngre kualitativisht duke përmirësuar standardin e jetesës, krijuar kondita për kompanitë vendore që të zhvillohen, të rritet punësimi e të ndalet emigrimi, por asnjë nga këto nuk i bëri – dhe nëse nuk ka arritur për 5 vite ai nuk mund të ketë sukses as edhe po të sundonte edhe 50 vite!

***
E vetmja e arritur e sundimit të Kurtit është vendosja e veriut të vendin nën rendin policor. Por kjo më tepër është rezultat i tërheqjes politike të minoritet serb dhe të direktivave nga Beogradi. Secila qeveri ka mund ta bëjë këtë para sundimit të Kurtit, por logjika ishte që zgjidhja të jetë politike e jo policore dhe kjo ishte dhe është edhe sugjerimi i përhershëm i SHBA, Britanisë së Madhe, Gjermanisë e tërë BE-se si dhe i NATO-s. Dhe unë e besoj paqen, bashkëjetesën dhe integrimin e njëmendtë të serbëve përmes politikës, në radhë të parë të çlirimit nga agresioni politik i Beogradir me shovinizëm ndaj tyre dhe nga hapat konkret të institucioneve tona për t’i inkurajuar me mirëbesim. E di se shumica e serbëve e duan integrimin dhe çlirimin nga kjo gjendje, por pengohen, shantazhohen e kërcënohen.
Pse konsideroj se zgjidhja është politike? Sepse, në zgjedhjet e sivjetme komunale është e qartë (nëse nuk ndodhë ndonjë ndryshim i papritur i gjendjes) se Lista Serbe do t’i fitojë ato. Dhe, nëse Vuçiq do të jetë ende në pushtet, do të shihet se çfarë mashtrimi ishte sovraniteti në veri. Atëherë me legjitimitetin e votës qytetare pushtetarët e komunave me minoritetin serb do t’ia tregojnë dhëmbët Kurtit – dhe policia nuk mundet t’i detyrojë vendimet politike!
Realisht, gjendja në veri mbahet nën kontroll vetëm falë KFOR-it, ku me lejen e tij, policia jonë ka dhënë kontribut me profesionalizëm duke demonstruar kapacitete institucionale e besa edhe të sakrificës e të flijimit!

***

Qysh me ardhjen në pushtet në vitin 2021, Kurti me qeverinë e tij, nisi rrëmihjen e gjithçkaje që ishte bërë nga pararendësit e tij.
Filloi me shkarkimet e drejtorëve dhe drejtuesve të agjencive te pavarura, duke pretenduar çkapjen e shtetit nga pararendësit, e në të vërtetë duke i kapur ato vetë më brutalisht se askush më parë! Dhe nuk vonoi e nisën të shpërthenin aferat korruptive thuaja kudo. Tenderët njëburimor dhe të negociuar, në vend të transparencës, u bënë mekanizëm për abuzime dhe për gjakderdhje të njëmendtë financiare! Diçka që e kishte kritikuar se e bënin të tjerët, Kurti e Co. e shndërroi në një fenomen mbisundues. Kur në qeveritë e tjera zbulohej ndonjë skandal, nuk di t’i ketë marrë guximin ndokush për t’i justifikuar e aq më pak për t’i mbrojtur ata e për t’i akuzuar organet kompetente. Kurse Kurti e Co. bënë të kundërtën, i kritikonin organet e rendit e të drejtësisë e jo abuzuesit. Për shembull, ju kujtohet afera me rezervat e miellit dhe akuzat se po zbulohen sekretet e shteti, e me këtë synohej te mbulohej afera korruptive!
Ose, shembulli tjetër – RTK-ja. Ajo është vendosur nën sundimin e njerëzve të Kurtit, sa që gjithçka dirigjohet politikisht, përfshirë edhe seancat konstituive të Kuvendit të Republikës, të cilat nuk transmetohen të plota por në mënyrë selektive sipas shijeve politike të pushtetit. Është e vërtetë se edhe më parë ka pasur ndikime nga pushtetet, por kaq hapur kapur e kaq e ngulfatur nuk ka qene asnjëherë RTK-ja ç’prejse është krijuar!
Në policinë e Kosovës ndiqen e suspendohen ata që iniciojnë zbulimin, hetimin e arrestimin për afera korruptive, sidomos po qe se të tillët janë të lidhur me pushtetin ose me partinë e Kurtit. Ju kujtohet se si u ankua ministri i policisë për arrestimet e fundit për kontrabandë me drogë, se nuk kishte qenë i njoftuar për këtë aksion të policisë! Që sikur la të nënkuptohej se po ta kishte ditur, mund të kishte ndërhyrë e ndoshta edhe të selektonte se kush të arrestohej e kush jo! Përndryshe, do ta përgëzonte policinë e që nuk e bëri.
Dhe askush nuk skuqet për këto veprime që ngulfasin profesionalizmin dhe inkurajimin e policisë në luftën kundër krimit të organizuar!

***
Kurti e Co. gjatë qeverisjes së tyre thuaja i kanë kapur të gjitha segmentet që ju duheshin. Ato që ende nuk kanë arritur t’i kapin, si bizneset në shumicën dërrmuese, mediat dhe drejtësinë, ju kanë shpallë luftë të hapur.
Duke qenë se në zgjedhjet e fundit ka shënuar rënie të dukshme sa të mos mund me e konstituua as Kuvendin e Republikës, ka nisur një hakmarrja ndaj bizneseve. Kurti edhe më parë i ka atakuar bizneset, por vitin e fundit sikur u zbut, duket se shpresonte t’ua hedhte e t’ua merrte votat. Që nga ardhja në pushtet, Kurti në vend se të stimulonte ato, i ka stigmatizuar! Madje edhe i kërcënon, shantazhon e etiketon – jo se i kanë ikur obligimeve ndaj shtetit, por sepse thjesht nuk e mbështesin Kurtin. Motivet janë politike e jo ligjore. Dhe duken groteske pozitat herë patriotike e herë socialiste prej të cilave i atakon bizneset e Kosovës. Kurse bizneset serbe, edhe kur rrënjët e tyre çojnë në Beograd e Rusi, nuk e pengojnë pushtetin, sepse janë njerëz të tyre të involvuar.
Shumë më e hapur është lufta kundër mediave, sidomos atyre që janë kritike dhe që denoncojnë skandale, abuzime e afera korruptive. Portale e gazetarë që kanë guximin profesional dhe qytetar të kryejnë misionin e tyre ndaj publikut, duke publikuar korrupsionin, kurdisjet dhe kapjen e shtetit hap pas hapi, etiketohen, ata kërcënohen e shantazhohen vetëm e vetëm që t’i bëjnë të heshtin. Por nuk ia ka arritur deri më tash, dhe gazetaria shqiptare e Kosovës është në linjën e parë të rezistencës kundër stërkeqjes së rendit democratik e shndërrimin gradual thuaja në një diktaturë të hapur. Ajo realisht i ka dhënë goditjet më të fuqishme sundimit me autokraci të kamufluar të Kurtit e Co., dhe duke mbrojtur transparencën e duke i treguar opinionit të gjerë se çfarë abuzimesh po bëhen nga Kurti e Co, në sundimin që kanë vendosur. Pa mediat tona shteti ynë do të ishte ngulfatur, demokracia do të ishte konvertuar në autokraci shumë më të hapur!
Dhe shtylla tjetër e rezistencës ishte dhe vazhdon të jetë drejtësia. Gjyqësia dhe prokuroria po përpiqen t’i kryejnë obligimet e veta kushtetuese, për të ndjekur shkeljet, abuzimet, skandalet dhe mospërfilljet ligjore. Me gjithë se ka telashe jo të pakta të brendshme e që duhet gjithsesi të korrektohen, institucionet e drejtësisë kanë arritur, me gjithë pengesat nga Kurti e qeveria e tij, te veprojnë kundër krimit dhe abuzimit nga pushteti, këtë të fundit jo me përmasat dhe intensitetin e duhur për shkak të pengesave nga pushteti. Arritjen më të madhe gjyqësia dhe prokuroria e ka shënuar në mos nënshtrimin ndaj frymës autokratike të Kurtit për anashkalim të ligjit dhe për veprime me motive politike. Ndonëse janë futur aty-këtu edhe kuadro që janë të gatshëm ta bëjnë vullnetin e Kurtit më të zbatueshëm se ligji, në tërësi këto institucione e kanë ruajtur ende mëvetësinë. Dhe me këtë janë bërë mbrojtës të shtetit ligjor dhe të veprimeve bazuar në ligjshmëri, ani se qeveria Kurti i stimulon në të kundërtën.
Kështu, mediat, gjyqësia e prokuroria si dhe kushtetuesja – kanë rezistuar të mos i nënshtrohen diktatit politik, po të mbështeten në përgjegjësitë e tyre ligjore. Me këtë, ato u bënë barrikada për diktatin e autokracinë e Kurtit! Këta janë luftëtarët e mbrojtjes së rendit demokratik, mbrojtës kundrejt prirjes së Qeverisë Kurti për të sunduar pavarësisht ligjit!

***

Në këtë frymë kundër institucioneve ende të pa kapura të drejtësisë është edhe reagimi me frymën tipike të diktatorëve, duke përmendur me emra gjyqtarët që anuluan vendimin për digjitalizimin e arkave fiskale. Ky vendim nuk është kundër vetë digjitalizimit, por kundër mënyrës së veprimit pa mbështetje ligjore.
Drejtësia u gjend para një akti kur ose duhej të nënshtrohej e të devijonte nga misioni i vet, ose të vepronte sipas ligjit. Dhe ligji ka qenë gjithherë pengesë për Kurtin dhe Co., pasi që lakmitë e tyre për gjyqësi politike nuk po përmbushen dot, ndaj dhe u nisen me sulmin e hapur duke proklamuar “luftën kundër gjyqësisë” nga numri dy i pushtetit të Kurtit dhe besimin se do të triumfojnë!
Si është e mundur që me kaq guxim këta që nuk janë as qeveritarë real aktualisht por vetëm në detyrë, të tregohen kaq mospërfillës ndaj ligjit dhe vendimeve të drejtësisë?
Përgjigja e thjeshtë është se Kurti e Co. drejtësinë ligjore e konsiderojnë si të huaj, dhe në rastet kur është e paanshme, e drejtë dhe legjitime, pasi që sistemi i drejtësisë nuk gjykon me dioptrinë autokratike të Kurtit.
Kurti tashmë e ka vendosur veten mbi drejtësinë, ajo që e gjykon Kurti si të drejtë – ajo dhe vetëm ajo është e drejtë, kurse çdo verdikt tjetër nga organet e drejtësisë është i padrejtë dhe nuk duhet përfillur!
Prirja diktatoriale e Kurtit dhe e sundimit të tij vetëm tash ka nisur të kuptohet mjaft gjerësisht, dhe kjo është shenjë e ndërgjegjësimit qytetar. Kur unë në shkrimet e mia të publikuara (në vitin 2021, 2022 e 2023) e quaja autokratik e diktaturë dhe antiamerikan (raportet e Kosovës ende janë në pikën më të ulët me SHBA) pushtetin e binomit Albin Kurti – Vjosa Osmani-Sadriu, me thoshin ca miq se e kam tepruar se nuk është ashtu. Realisht, diku thellë në veten time dëshiroja të mos kisha të drejtë, por intuita ime politike më bënte të vlerësoja ashtu. Unë nuk gëzohem që tezat e mia po dalin të vërteta, pasi që po e pëson Kosova dhe qytetarët e saj.

***
Ajo që binomi Kurti-Osmani-Sadriu kanë dëshmuar me konsistencë është se për të mbetur në pushtet janë të gatshëm të bëjnë gjithçka.
Nuk e kanë fare gajle që ndryshojnë qëndrime, duke shpresuar se mund t’ua hedhin, sidomos amerikanëve.
Kurti iu vardis presidentit Trump me disa deklarate boshe për SHBA si aleati strategjik, duke i harruar qëndrimet e tij shpesh mospërfillëse e ndonjëherë edhe hapur kundër në vitet 2021-2024, por kujtesa shtetërore amerikane është institucionale dhe mashtrimet nuk gëlltiten. Nuk mundet Kurti edhe të nëpërkëmbë me demokracinë edhe të mos kooperojë politikisht me SHBA, edhe të thotë se është me ShBA; në fakt, mundet ta thotë porse është krejt i pabesueshëm. Miqësia në politikë dëshmohet me bashkëpunim intern, koordinim dhe bashkëveprim atëherë kur duhet e kur kërkohet, e jo me fraza boshe.
E presidentja që po shkëlqen me mungesë sinqeriteti. Ajo kurrë nuk është distancuar hapur prej veprimeve të Kurtit, dhe nuk ka mundur ta bëjë se kanë qenë në akordancë. Po ta kishte përnjëmend ndryshimin, pra se e ka kuptuar degradimin e demokracisë së Kosovës, ajo do të pranonte gabimin e vet që e ka mbështet Kurtin në veprimet e pakoordinuara me ShBA e edhe me KFOR-in. Ajo shpreson ta kalojë atë me heshtje duke u serviluar ndaj Shtëpisë së Bardhë. Dhe arsyeja pse nuk distancohet është se shpreson edhe në një mandat si presidente, e për këtë i duhet edhe mbështetja e Kurtit.
Harron e uruara se ShBA-ja ka kujtesë institucionale, dhe as miklimet konfirmuese nuk shiten. Përderisa presidenti Trump po e përdor Kosovën për të treguar përkushtimin e tij për paqe, dhe ka kalkulime të gjeopolitikave globale, kjo e uruara jonë deshi t’i hyjë në zemër Trumpit duke pohuar se pengimi i luftës së Serbisë ndaj Kosovës ishte i kohëve të fundit, dhe përforcoi këtë duke thënë se e ka të dhënën nga brifingjet e saja me organet e sigurisë së Kosovës! Kjo ishte një befasi për opinionin e vendit dhe nisën të ngritën pikëpyetje se përse kjo e uruara nuk paska thirrur Këshillin e Sigurisë për mobilizim dhe se si kjo si komandante supreme e FSK paska shëtitur jashtë vendit kur në rreziqe të tilla duhej të ishte në vend, në krye të detyrës. Por hutia e shua, kur Grenell, emisari i Presidentit Trump, e demantoi Presidenten duke thënë se po manipulonte me fjalët e Trumpit.

***
Pyetja shtrohet, kush duhet të bëjë kompromis?
Elektorati ynë e ka përcaktuar këtë: i takon LVV, pra Kurtit. Dhe Kurti e di këtë. E di se meqë nuk ka fituar si në vitin 2021, duhet kompromis, ndryshe nuk bëhet. Djallëzisht e ka gjetur momentin, duke e vënë në fokus kryekuvendarin. Ndonëse gjithçka vërtitet rreth tij e kundër tij, ai e ka nxjerrë mburojë kandidaten për kryetare te Kuvendit. Por votat nuk i ka, e megjithatë përpiqet të imponojë një kandidate që është e papranueshme nga komplet opozita. Opozita akuzohet për bllokadë, që po u zbërthye domethënë përse po e kundërshton propozimin e sundimtarit Kurti. E pikërisht këtu e ka një poenë opozita; në daç votën tonë, propozoje një tjetër kandidat. Madje janë përmendur disa emra nga AAK. Një rast i mirë do të ishte Fatmir Limaj, të cilin besoj se do ta votonin shumica e opozitës. Aq shumë kanë zgjatur negociatat mes LVV dhe Nismës SD – sa duket sikur të ishte fjala për dy shtete të ndryshme jo dy parti të të njëjtit shtet!
Opozita ka të drejtë në qëndrimet ndaj Kurtit. Ai e ka poshtëruar LDK në mandatin e parë, e në mandatin e dytë ia joshi Vjosën duke i premtuar postin e presidentes, për çka ajo nga Çavez e shndërroi në një demokrat! Do të ishte gabim fatal për LDK në kuptimin politik po të harronte këtë të kaluar të afërt, që i tregon se Kurtit kur t’i duhet për pushtet nuk heziton t’u lajkatohet e kur mos t’i duhen më – t’ua kthejë goditjet nën brez.
PDK ka po ashtu arsye që të mos i besojë Kurtit. Jo vetëm sulmet e pabazuar dhe krekosjet kundër Thaçit e Veselit, thirrjet për arrestimin e tyre dhe mospërmbushja e obligimeve ndaj mbrojtjes së tyre në periudhën e sundimit të Kurtit e njëlloj edhe sot, por edhe akuzat dhe etiketimet ndaj PDK si parti – do të duhej ta bënin të mos pranojë koalicion me Kurtin!
Një shans i mirë do të ishte AAK e cila mbase do të mund të pranonte koalicion me Kurtin, por aq shumë e rëndë e kanë akuzuar njerëzit e Kurtit si luftëtar dhe si politikan Ramush Haradinajn, sikur të donin me çdo kusht ta zhbënin edhe këtë mundësi.
Dhe në natën kur u shpallën rezultatet zgjedhore, fyerjet banale të Kurtit duke i quajtur partitë opozitare dhe liderët e tyre hajvanë – tregoi edhe se si i sheh Kurti të tjerët, por edhe se ashtu do t’i trajtonte po të hynin në koalicion me të. Kush e gëlltit këtë, ia paftë hajrin!
Kurtit po i konvenon kjo zallahi politike sepse po dëshmon në shkallë të lartë destruktivitetin e tij ashtu sikurse e ka bërë gjithmonë.

***
Opozita, pra, ka të drejtë në mosbesimin ndaj Kurtit e Co.
Ka të drejtë edhe në kundërshtimin e votimit të fshehtë, përmes të cilin po synohet të kontrabandohen votat e Listës serbe për Kurtin e Co. Kurti edhe po i do votat e serbëve të zgjedhur deputet, për çka dyshohet se e çoi një mësit me mision “top sekret” në Beograd, edhe ta mbaj aurorën e gjoja mosbashkëpunimit me Listën serbe. Ai ka të drejtë të bashkëpunojë me Listën serbe derisa ajo ka deputetë në Kuvend, por ta bëjë hapur. Ajo ka bashkëpunuar edhe me Radojçiqin kundër pagave të veteranëve – që moralisht ka qenë bashkëpunimi më i pështirë, por që tregon se deri ku është në gjendje të shkojë bashkëpunimi i fshehtë i Kurtit me ata që janë kundër Kosovës – dhe po mos të ishte denoncimi nga mediat i këtij bashkëpunimi krejt të pamoralshëm e vërteta nuk do të merrej vesh ndoshta asnjëherë!
Por opozita nuk ka aspak të drejtë që po ndjek lojën e tij, duke ia bërë të mundur ta kthejë Kuvendin e Republikës në “cirk” politik që po irriton edhe hapur aleatët e Kosovës.
Kurti po bën lojën e tij, po ju, opozitë – ç’po bëni?
LDK doli me një propozim, që u hodh poshtë nga të gjitha partitë.
PDK doli me kërkesën se po t’i japë votat e saja LDK-ja, të tjerat i siguron. Dhe përgjigja erdhi nga Lurfi Haziri: jo 19 po 20 votat e LDK ia siguron PDK, por nuk mjaftojnë. Ky është një potez i ri politik i LDK. PDK duhet ta kontaktojë LDK dhe të nisin negociata intensive.
Opozita deri më tash nuk është treguar e gatshme për kompromis brenda saj. Nëse shpejt nuk del me një ujdi PDK-LDK- AAK e të cilëve do t’i bashkohej edhe Nisma e Limajt e që do t’i merrnin edhe pjesën dërrmuese të votave minoritare, atëherë do të bien në provim politik ndaj shtetit, sepse nuk arrijnë të bashkohen për ta shpëtuar Republikën.
Duke mos u bashkuar dhe përderisa nuk bashkohet dot opozita bie në të njëjtat pozita si Kurti e Co., ose vetvetiu tregon se e ka të njëjtën paaftësi si edhe ai.
Çdo ditë që kalon, krijohen aq shumë rrethana për opozitën që të veprojë me vizionin e shtetit, sa duket fatkeqësi se si ajo po e humb këtë mundësi për të krijuar një alternativë të besueshme për elektoratin dhe për perëndimorët!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Hisen Berisha Zhvillimet e fundit në Dhomat e Specializuara…