Kosova fiton miqësoren me Shqipërinë në futbollin e të amputuarve

21 shtator 2025 | 23:08

Kombëtarja e Kosovës në futboll për të amputuar ka shënuar fitore të rëndësishme në miqësoren kundër Kombëtares së Shqipërisë, me rezultat 3:1.

Ndeshja u zhvillua të dielën në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali dhe shërbeu si test i vlefshëm për të dyja ekipet kombëtare, në prag të sfidave të Ligës së Kombeve, ku gjenden në grup me Rumaninë dhe Skocinë.

Për Kosovën, golat i realizuan Arben Isufi, Engjëll Haxhikadria dhe Arben Prekopuca, ndërsa për Shqipërinë shënoi Liliano Kikia.

Ndeshjen nga afër e përcolli edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i cili pas përfundimit të saj së bashku me përgjegjëset e futbollit të të amputuarve në FFK, Arta Osmani dhe Doruntina Fetahaj ndanë medalje për të dyja kombëtaret, si shenjë respekti dhe vëllazërie.

Kapiteni i Kosovës, Krist Prenkaj, pas ndeshjes u shpreh i lumtur për fitoren dhe paraqitjen e ekipit:

“Jam i kënaqur me këtë fitore dhe me angazhimin e djemve. Sigurisht që kemi ende punë për t’u përmirësuar, por po tregojmë se kemi potencial dhe mund të shkojmë larg.”

Ndërkaq, Engjëll Haxhikadria, i cili shkëlqeu me një gol dhe dy asiste, theksoi: “Jam shumë i lumtur me paraqitjen time dhe të gjithë ekipit. Ne kemi potencial për paraqitje edhe më të mira. Besoj shumë që në Ligën e Kombeve do të bëjmë histori dhe do të arrijmë kualifikimin në Kampionatin Evropian.”

Kjo fitore i jep Kosovës motiv shtesë për të hyrë me besim në garat ndërkombëtare, duke dëshmuar përkushtimin dhe progresin e vazhdueshëm të Kombëtares së futbollit për të amputuar, e cila është krijuar vetëm para dy vitesh.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës…