Kosova importoi nga Serbia afër 8 milionë euro barna për dy vjet
Pavarësisht deklaratave të mëparshme të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili thoshte se ka kaluar koha kur Kosova kërkonte nga prokurimi që të marrë tendera nga një kompani serbe, duke fajësuar opozitën për këto veprime, sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës vetëm në dy vitet e fundit janë importuar 8 milionë euro barna nga Serbia.
“Ka kaluar koha zotëri Haxhiu, kur deputetet kanë ardhur në Zyre të Prokurimit dhe kanë kërkuar nga prokurimi që të marrë tenderin një kompani serbe me vitamina C dhe kanë bërë presion në prokurim. E dini këtë”, ishte deklarata e Vitisë në Komisionin e Shëndetësisë më 14 shkurt të 2023-së.
Ilaçi “Tramadol” i cili bënte pjesë në Listën e Barnave Esenciale të Ministrisë së Shëndetësisë, rezulton se ishte vetëm njëri nga medikamentet që është blerë nga Serbia pavarësisht vendimit të ekzekutivit të cilët e ndaluan importin e produkteve nga ky shtet më 14 qershor të 2023-së.
Në vitin 2023 nga Serbia, Kosova ka importuar 8 ilaçe të cilat kapin vlerën prej afër 3 milionë eurosh ndërsa në vitin 2024 deri më 29 gusht, Kosova ka importuar 9 medikamente, vlera e të cilave gjithsej është mbi 5 milionë euro.
Që do të thotë për dy vjet Kosova importoi afër 8 milionë euro barna nga Serbia.
Sipas të dhënave që ia ka dërguar Dogana e Kosovës Albanian Post-it, ilaçet të cilat janë siguruar nga Serbia gjatë vitit 2023 janë, “vaksinat për ilaç njerëzor, vaksinat për ilaç veterinar, medikamente të dozuar për shitje me pakicë që përmbajnë penicilina dhe derivatet prej tyre, me një strukturë acidi penicillanik apo streptomicina apo derivatet prej tyre”.
Medikamentet e importuar nga Serbia
“Medikamente të dorëzuar për shitje me pakicë që përmbajnë antibiotikë të tjerë, medikamente të dozuar për shitje me pakicë që përmbajnë hormone adrenale kortikale, derivatet e tyre apo preparatet me strukturë analoge, medikamente të dozuar për shitje me pakicë me përmbajtje të tjera, medikamente të dozuar për shitje me pakicë që përmbajnë vitamina apo produkte të tjera të kreut Nr. 2936, medikamente të dozuar për shitje me pakicë të tjera dhe të tjera”.
Po thuajse të gjitha ilaçet e njëjta janë siguruar nga Serbia edhe gjatë vitit 2024, “vaksinat për ilaç njerëzor, medikamente të dozuara për shitje me pakicë që përmbajnë penicilina dhe derivatet prej tyre me një strukturë acidi penicillanik apo streptomicina apo derivate prej tyre, medikamente të dozuar për shitje me pakicë që përmbajnë antibiotike të tjerë”.
“Medikamente të dozuar për shitje me pakicë që përmbajnë hormone adrenale kortikale, derivatet e tyre apo preparatet me strukturë analoge, medikamente të dozuar për shitje me pakicë, me përmbajtje të tjera, medikamente të dozuar për shitje me pakicë që përmbajnë vitamina apo produkte të tjera të kreut nr. 2936, medikamente të dozuar për shitje me pakicë të tjera, mbushje dhe artikuj prej mbushje, garze dhe artikuj garze, të tjera”.
Në tabelën të cilën e ka dërguar dogana përfshihen edhe medikamente “të tjera”, por që nuk tregohen me emra konkret mirëpo vetëm sasia e tyre.
Nga opozita, u tha se ngjashëm ndodhi edhe me disa infuzione, por që sipas tyre sa herë që Kosova ka siguruar barna nga Serbia kjo ka kaluar në heshtje.
Për ilaçin “Tramadol”, Albanian Post për 22 ditë kishte pritur një përgjigje nga MSH-ja lidhur me këtë kontratë e cila ishte publikuar në media për të mësuar arsyet se përse e njëjta ishte bërë me Serbinë.
Përgjigja që pranoi ishte se “lidhur me pyetjet e juaja, luteni që t’i drejtoheni ShSKUK-së për përgjigje”.
Ish ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në një bisedë për Albanian Post kishte sqaruar se sigurimi i ilaçit “Tramadol” nuk është rasti i parë ku kjo Qeveri lidh kontratë me Serbinë për të siguruar barnat.
Ngjashëm kishte ndodhur edhe në vitin 2023, por që sipas tij as institucionet e drejtësisë nuk e kanë trajtuar këtë rast me seriozitetin e nevojshëm.
“Edhe para këtij viti kemi reaguar se ka pasur infuzione të importuara nga Serbia, por ka kaluar në heshtje kjo edhe nga organet e drejtësisë edhe nga ana e deklarimeve që i kam pasur në emër të LDK-së dhe tash avazi i njëjtë është duke vazhduar”.
Me vendime të tilla ai pohon se Qeveria është duke shkelur vendimet që ka marrë vetë, e që vlerëson se këto vendime po i merr për interesa financiare të personave të caktuar të lidhur me pushtetin.
“Qeveria së pari e ka shkelur vendimin e vet sepse ka vendim të ekzekutivit për ndalimin e importeve nga Serbia dhe kjo tregon shtyrjen e qartë të tyre, mashtrimin vetëm për interesat e tyre financiare dhe shpesh herë këto që jemi mësuar t’i shohim populiste dhe elektorale”.
Për Zemajn, furnizimi me barna në këtë qeveri është “njolla më e keqe” e katër viteve.
Vendimi i Qeverisë ndaloi importin e produkteve të Serbisë në Kosovë
Më 14 qershor të 2023-së, Qeveria e Kosovës kishte njoftuar se e ndalon importin e mallrave nga Serbia, një ditë pasi forcat serbe kishin arrestuar tre policë të Kosovës, edhe pse ky vendim kurrë s’u bë publik.
Ndërkohë që policët kanë dalë nga paraburgimi për t’u mbrojtur në liri, masa e ndalesës së shumicës së produkteve nga Serbia thuhet të ketë vazhduar.
Është hequr ndalesa vetëm mbi importin e lëndës së parë dhe të gjysmëproduketeve, por jo edhe mbi produktet e gatshme.
Bashkimi Evropian dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit në Kosovë i kishin kërkuar disa herë Qeverisë së Kosovës që ta shfuqizojë këtë ndalesë.
Në Kosovë në mungesë të zbatimit të Ligjit, barnat e njëjta vazhdojnë të shiten me çmime të ndryshme.
Në anën tjetër, që nga paslufta në Kosovë, asnjëherë spitalet publike në Kosovë nuk kanë arritur ta përmbushin listën esenciale të barnave 100 për qind.
Si rrjedhojë, vazhdimisht ka pasur mungesë të tyre dhe pacientët detyrimisht janë obliguar që gjatë trajtimit t’i blejnë vetë ato.
Buxheti për shëndetësinë kap shifrën prej 345 milionë euro, që nga paslufta ky buxhet është konsideruar si më i larti dedikuar këtij sektori. albanianpost