KOSOVA KA NEVOJË PËR LIDERSHIP TË PJEKUR SHTETËROR, JO PËR FEUDE POLITIKE

25 janar 2021 | 00:02

Një pyetje që shtrohet, jo vetëm para këtyre zgjedhjeve, por edhe në të gjitha rastet tjera kur elitat partiake zhvillojnë beteja politike që si synim përfundimtar kanë marrjen e pushtetit, është se sa kemi arritur ne si Kosovë të krijojmë vetëdije shtetërore, e cila do të ishte rezistuese ndaj tundimeve që vinë nga lufta për pushtet?

Nga Mehmet PRISHTINA

Demokracitë e konsoliduara nuk janë gjë tjetër pos drejtpeshim në mes të pasioneve të pushtetit dhe shenjtërisë së shtetit. Madje edhe atëherë kur një shtet hyn në luftë me një shtet tjetër, bien pushtetet dhe ngrihen shtabe emergjente kombëtare në të cilët përfshihen dhe shkrihen të gjithë faktorët politik, ushtarak e shoqëror. Pra, epërsia që ka shteti, si nocion juridik e organizativ, ndaj pushtetit, si konjukturë politiko-partiake, shpreh më së miri rëndësinë dhe qenësinë e ekzistimit të shtetit në ruajtjen e mirëqenies së një kombi.
Për të ilustruar më së miri raportin në mes të shtetit dhe pushtetit, mund t’iu referohemi ngjarjeve të 6 janarit në SHBA. Një grup protestuesish të dhunshëm, të frymëzuar nga retorika militariste e ish-presidentit Trump, sulmuan Kapitol Hillin, dhe deshën të imponojnë logjikën arbitrare puçiste të kontrolluar nga kasta e njerëzve në pushtet.
Mirëpo, Kongresi, Pentagoni, gjykatat, policia, dëshmuan se në Amerikë pushtetet mund të ndërrohen në katër apo tetë vjet, por shtyllat kryesore të shtetit ngelin të palëkundur.
Mbi këtë parim u zhvillua dhe u ruajt demokracia amerikane, kurse ata që personifikojnë këtë demokraci janë gardianët e shtetit në mesin e kongresistëve, oficerëve, ushtarëve, policëve, gjyqtarëve e administratorëve të ndryshëm.
Në demokracitë që ende nuk i kanë kaluar të gjitha fazat e zhvillimit dhe strukturimit të brendshëm, jo rrallë ndodhë që pushtetet të dalin mbi shtetin dhe të bëjnë njëfarë monopolizimi dhe zaptimi të lirive të njerëzve, të resurseve ekonomike e industriale si dhe, mbi të gjitha, të deformojnë kuptimin e pjesëmarrjes së njerëzve në proceset zgjedhore. Në këto lloj shoqërish pushtet përdoren për të instrumentalizuar shtetin për nevoja të oligarkive të caktuara politike-ekonomike, ku sistemi i drejtësisë, i shëndetësisë dhe i arsimit janë atribute që shërbejnë si dekore për të zbukuruar kushtetutën dhe ligjet të cilat nuk zbatohen. Pushtetet e tilla ndryshe quhen autokratike, kurse të gjithë ata që guxojnë t’i kritikojnë këto pushtete akuzohen se janë kundër shtetit (!).
Kosova edhe pak javë ndodhet në një fazë parazgjedhore. Më 14 shkurt sërish do të ketë zgjedhje të parakohshme dhe sërish do të garohet për marrjen e pushtetit përmes votës së lirë.
Një pyetje që shtrohet, jo vetëm para këtyre zgjedhjeve, por edhe në të gjitha rastet tjera kur elitat partiake zhvillojnë beteja politike që si synim përfundimtar kanë marrjen e pushtetit, është se sa kemi arritur ne si Kosovë të krijojmë vetëdije shtetërore, e cila do të ishte rezistuese ndaj tundimeve që vinë nga lufta për pushtet?

Sigurisht që Amerika është larg, edhe si gjeografi, edhe si kontekst civilizues, por minimumi i asaj që do të duhej të ndodhte në Kosovës, do të ishte përvetësimi i praktikave dhe njohurive mbi menaxhimin e shtetit nga ana e stafit ndërkombëtar, sidomos nga amerikanët, që janë prezent te ne tash e njëzetë vite. Çdo shtet që do ta kishte pasur këtë prezencë ndërkombëtare, do të quhej i privilegjuar, aq më tepër kur resurset dhe dijet e ekspertëve e administratorëve ndërkombëtar, kemi mundur t’i përvetësojmë pa ndonjë investim shtesë nga ana e buxhetit të shtetit tonë. Ka mjaftuar një sens më i zhvilluar i kulturës dhe formimit shtetëror që Kosova të bëhet një model i funksionimit të kapaciteteve ligjzbatuese, në favor të zhvillimit dhe prosperimit të përgjithshëm shoqëror.
Nuk mjafton të themi ‘jemi me Amerikën’, ndërkohë që fare pak mësojmë nga Amerika. Ne mësojmë pak, madje, edhe atëherë kur Amerika me sukses i tejkalon krizat e çastit, siç ishin trazirat e 6 janarit në Kapitol Hill. Atje shteti vazhdoi të bëjë punën e vet, kurse pushtetet e bënë pranim-dorëzimin pa ndonjë ngërç të sforcuar. I humburi gjithmonë ka të drejt të ankohet në rrugë ligjore, për ndonjë padrejtësi eventuale, por ai asnjëherë nuk mundet të dhunojë procesin e tranzicionit të pushteteve.
Kështu ndodhë në Amerikë, dhe kështu, përafërsisht do të duhej të ndodhte edhe në Kosovën tonë. Kjo gjithsesi është aktuale tani në prag të zgjedhjeve të 14 shkurtit, kur institucionet, administrata dhe sistemi i drejtësisë, do të duhej të ngelin të paprekura nga virusi i betejave politike. Zatën, ky është ideali i çdo shoqërie demokratike, pa të cilën nuk kanë kuptim fitoret në zgjedhje dhe pushtetet që dalin pas zgjedhjeve.
Polemikat e debatet e shumta që po ndodhin aktualisht në Kosovë, ku ka një kryqëzim interesash shtetërore e kushtetore, nuk po krijojnë ambient të nevojshëm për një masë kritike e cila do të dinte ta orientonte vëmendjen e publikut në çështje që janë me interes jetik për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës.
Në vend të debateve e polemikave inerte e kontraproduktive, që nuk ofrojnë kurrfarë vizioni, shoqëria kosovare ka nevojë për artikulim të ideve që nxisin shtigje të reja zhvillimi. Ka plot shembuj në botë që flasin për modele të ndryshme që përcaktojnë këto shtigje zhvillimi, siç është, bie fjala, përfshirja e mërgatës sonë, me të gjitha resurset njerëzore e financiare në konsolidimin social e ekonomik të shtetit.
Pa dashur të relativizojmë dhe anashkalojmë resurset e brendshme, mërgata jonë ka dëshmuar se ka brenda vetes kuadro që me sukses menaxhojnë korporata, banka e spitale në vendet ku ata jetojnë e punojnë. Një elitë e mirëfilltë shtetërore do ti angazhonte këta kuadro, siç bëri udhëheqja maqedonase në Shkup, në fillim të viteve nëntëdhjeta, e cila e ftoi mjekun Zhan Mitrev nga Gjermania dhe ia ofroi të gjitha kushtet për të instaluar një spital modern kryeqytetin e Maqedonisë.
Për ironi të fatit, qindra kosovarë iu kanë drejtuar për shërbime mjekësore pikërisht këtij spitali dhe çdo kryeministër që merr mandatin në Kosovë, do të duhej ta eliminonte nga koka e njerëzve epërsinë e maqedonasve në menaxhimin e shëndetësisë. Nëse nuk e bën këtë, ai kryeministër është një punonjës i rëndomtë i administratës, i cili edhe familjarët e vet i dërgon në spitalet e huaja për shërim.
Këtë shkrim do të doja ta përfundoj sërish me një pasus mbi Amerikën. Tani në Washington ka një administratë të re dhe pritjet tona si Kosovë nuk duhet të bazohen shumë në skemat stereotipe se kush është me ne, e kush kundër nesh. Shumë çka do të varet nga sjelljet tona, si lidership dhe si shoqëri. Respekti dhe dashamirësia e miqve kultivohet gjithmonë kur arsyetojmë besimin e tyre ndaj nesh, por sidomos kur interesat tona si shtet i vendosim mbi pushtetet. Raportet e mira me Washingtonin, Brukselin, Berlinin etj. ndërtohen duke çmuar kontributin e miqve tanë në procesin e shtetndërtimit të Kosovës, mirëpo miqtë tanë do të na vlerësonin më tepër në momentin kur fillojmë të mendojmë jo si prijës feudesh politike, por si lidership i pjekur shtetëror.

Prishtinë, 24 janar, 2021

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gazetari Valon Syla ka komentuar rezultatin e Lëvizjes Vetëvendosje në…