Kosova kishte pak gjasa të anëtarësohet në Interpol

16 tetor 2019 | 16:14

Eksperti i sigurisë, Behar Selimi, e ka vlerësuar të natyrshëm veprimin e qeverisë në dorëheqje për shtyrjen e votimit të Kosovës për anëtarësim në Interpol për vitin e ardhshëm.

Ai ka bërë me dije se rrethanat e krijuara pas dorëheqjes së qeverisë kanë minimizuar gjasat e Kosovës për t’u bërë anëtare e Organizatës Ndërkombëtare të Policisë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës ka thënë se ndikimi i Serbisë dhe Rusisë në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit vazhdon të mbetet i madh.

“Nuk ka pasur gjasa, meqë raporti i forcave në vendimmarrjen e Asamblesë së Interpolit nuk ka ndryshuar. Aty vazhdon të ketë ndikim Serbia dhe shtetet aleate të saj, në krye me Rusinë dhe Kinën. Ndërkohë që miqtë tanë, për arsye të ndryshme, nuk e kanë pasur prioritet këtë çështje për ne”, ka thënë Selimi.

Ai ka kritikuar ofensivën diplomatike të Serbisë për ta penguar në çdo mënyrë anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, duke bërë presion te shtetet e tjera.

Sipas Selimit, me këtë qasje destruktive të Serbisë duhet të merret bashkësia ndërkombëtare ngaqë, sipas tij, institucionet e Kosovës nuk kanë mundësi. “Ne për këtë çështje nuk kemi shumë mundësi të ndikimit në sjelljen e Serbisë, por bashkësia ndërkombëtare po. Asaj mund t’ia kujtojmë detyrimet nga marrëveshjet paraprake dhe se nëse dëshiron marrëveshje përfundimtare me ne, duhet sjellje tjetër”, është shprehur Selimi.

Duke folur për ndikimin rajonal të mosanëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë, ish-drejtori i policisë ka thënë se Kosova nuk humbet shumë. Ai ka treguar se deri më tani Policia e Kosovës ka bashkëpunim shumë të ngushtë me të gjitha policitë e rajonit, me përjashtim të asaj të Serbisë.

“Nuk humbet shumë, meqë Kosova, më saktë Policia e Kosovës, në fushën e parandalimit dhe luftimit të krimit, me përjashtim me Serbinë, ka bashkëpunim profesional me të gjithë. Megjithëkëtë, anëtarësimi do të krijonte raporte edhe më profesionale dhe vendi ynë do të ishte i barabartë si në informacione, po ashtu edhe në vendimmarrje për luftimin e krimit në nivel ndërkombëtar”, ka thënë Selimi.

Më tej, ai ka vlerësuar se anëtarësimi i Kosovës në Interpol është i rëndësishëm, por jo i domosdoshëm dhe jo i rëndësisë vitale për vendin. Sipas Selimit, Policia e Kosovës duhet ta vazhdojë bashkëpunimin bilateral policor me shtetet anëtare dhe duhet të synojë krijimin e raporteve të reja me shtetet e tjera.

“Epoka e re”: Z. Selimi, qeveria në dorëheqje, e rekomanduar nga Ministria e Punëve të Jashtme, ka kërkuar shtyrjen e votimit të Kosovës për anëtarësim në Interpol për vitin e ardhshëm. Si e keni parë këtë veprim të qeverisë?
Selimi: Vendim i natyrshëm karshi gjasave të vogla për anëtarësim. Në muajt që lamë pas, me drejtues politikë në dorëheqje dhe me prioritete të tjera, anëtarësimi në Interpol as që ka qenë temë e lëre më prioritet. Prandaj, e konsideroj vendim oportun me rrethanat.

“Epoka e re”: Sa mendoni se ka pasur gjasa Kosova që të anëtarësohet këtë vit në këtë organizatë?
Selimi: Nuk ka pasur gjasa meqë raporti i forcave në vendimmarrjen e Asamblesë së Interpolit nuk ka ndryshuar. Aty vazhdon të ketë ndikim Serbia dhe shtetet aleate të saj, në krye me Rusinë dhe Kinën. Ndërkohë që miqtë tanë, për arsye të ndryshme, nuk e kanë pasur prioritet këtë çështje për ne.

“Epoka e re”: Në anën tjetër, Serbia prej kohësh ka nisur lobimin kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol. Cila do të dihej të ishte përgjigjja e institucioneve tona dhe bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë?
Selimi: Ne, për këtë çështje, nuk kemi shumë mundësi të ndikimit në sjelljen e Serbisë, por bashkësia ndërkombëtare po. Asaj mund t’ia kujtojmë detyrimet nga marrëveshjet paraprake dhe se, nëse dëshiron marrëveshje përfundimtare me ne, duhet sjellje tjetër.

“Epoka e re”: Sa po humb rajoni me mosanëtarësimin e Kosovës në Interpol?
Selimi: Nuk humbet shumë, meqë Kosova, më saktë Policia e Kosovës, në fushën e parandalimit dhe luftimit të krimit, me përjashtim me Serbinë, ka bashkëpunim profesional me të gjithë. Megjithëkëtë, anëtarësimi do të krijonte raporte edhe më profesionale dhe vendi ynë do të ishte i barabartë si në informacione, po ashtu edhe në vendimmarrje për luftimin e krimit në nivel ndërkombëtar.

“Epoka e re”: Cilat janë përgatitjet që duhet t’i ndërmarrin institucionet e Kosovës për vitin e ardhshëm për anëtarësim në Interpol?
Selimi: Anëtarësimi në Interpol është i rëndësishëm, por jo i domosdoshëm dhe jo i rëndësisë vitale për ne. Duhet vazhduar bashkëpunimin bilateral policor me shtetet anëtare, madje duhet synuar edhe krijimi i raporteve të reja me shtetet e tjera. Ndihmën më të madhe për këtë objektiv kombëtar mund të na japin miqtë tanë. Mos t’i harrojmë edhe shtetet në rajon, madje asnjë shtet sado i vogël të na duket. Dhe për këtë nuk ka nevojë shpenzime të mëdha.

Muhamet KOCI 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ylli i Barcelonës, Leo Messi ka fituar për herë të…