Kosova Lindore është injoruar gjatë

06 shtator 2018 | 17:20

Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes për Bashkim (LB), Raif Qela, ka vlerësuar se formimi i ekipit negociator dhe përbërja e tij nuk janë garanci se vazhdimi i bisedimeve në këtë mënyrë do të ketë sukses.

Ai ka thënë se formimi i këtij ekipi ka për qëllim mbajtjen e stabilitetit të Qeverisë, por jo zgjidhjen e problemit.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Qela ka deklaruar se pozicionimi i pjesës më të madhe të skenës publike kundër ndryshimit të kufijve do t’i bëjë dëm të pariparueshëm të ardhmes së vendit.

Sipas tij, deputetët s’kanë të drejtë t’ua mbyllin shpresën shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës që t’i gëzojnë liritë që sot nuk i kanë. Ish-deputeti Qela ka pohuar se Kosova duhet të synojë ta zgjidhë problemin e shqiptarëve në Luginë të Preshevës pasi, sipas tij, kjo çështje është injoruar gjatë.

“Epoka e re”: Z. Qela, ka qenë veprim i duhur i Qeverisë së Kosovës formimi i ekipit negociator të udhëhequr nga zëvendëskryeministri Fatmir Limaj? Prisni që ky ekip ta marrë aprovimin e Kuvendit të Kosovës?
Qela: Si shumica e veprimeve të ndërmarra nga institucionet e Kosovës, edhe ky është një veprim i ndërmarrë me nguti, i papeshuar mirë, që ka për qëllim mbajtjen e stabilitetit të Qeverisë, por jo edhe zgjidhjen e problemit. Në vend se t’i artikulonin qartë detyrat imediate për të dalë nga kjo situatë, ata merren me vogëlsira se kush do të jetë në delegacion të bisedimeve e kush jo. Dhe këtë e bëjnë jo se e kanë bindjen se po veprojnë në interes të Kosovës, por se duke e ditur qëndrimin e opinionit publik, të pasqaruar e të hutuar, me kokëfortësi i shtyjnë përpara vetëm pikëpamjet që mund t’u ndihmojnë për përfitim të votave nesër. Me këtë logjikë po punon pozita dhe opozita, për fat të keq. Detyra më e ngutshme e kësaj Qeverie, e Kuvendit, e presidentit dhe e të gjitha forcave politike në vend duhet të jetë hartimi i një platforme politike për zgjidhjen përfundimtare të problemeve me Serbinë dhe arritja e një kompromisi rreth kësaj platforme. Formimi i ekipit negociator, e as përbërja e tij, nuk janë kurrfarë garancie se vazhdimi i bisedimeve në këtë mënyrë do të kenë sukses. Përkundrazi! Pa platformë të qartë politike rreziku që të kemi pasoja nga këto bisedime të papërgatitura është shumë i madh. Për shkak të raportit të forcave në Kuvend, si dhe për shkak se edhe Lista Serbe mund të vazhdojë të bëjë obstruksione duke kërkuar kundërshpërblim (ashtu siç e ka zakon), ka gjasa që Kuvendi të mos mund ta bëjë kuorumin as për këtë seancë, as për tjetrën të iniciuar nga opozita.

“Epoka e re”: Që dy ditë deputetët opozitarë janë duke bërë përpjekje të mbajnë një seancë të jashtëzakonshme në të cilën pretendohet të miratohet rezoluta kundër ndryshimit të kufijve të shtetit të Kosovës. Çfarë epilogu prisni nga kjo seancë?
Qela: Nëse mbahet dhe nëse arrijnë t’i bëjnë votat për diçka të tillë, ky do të jetë një turp i madh për krejt Kuvendin. Po e shfrytëzoj rastin t’u drejtohem edhe një herë ish-kolegëve të mi, deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Do të bëjnë gabim të madh nëse ata ia mbyllin rrugën vetes, duke votuar një rezolutë për të cilën do të pendohen më vonë. Nëse duan të jenë të matur, rezoluta do të duhej të përmbajë vetëm parimin bazë për bisedimet: reciprocitetin në të drejta ndërmjet tri komunave me shumicë dërrmuese serbe në veri të Kosovës (Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan) dhe tri komunave me shumicë shqiptare nën Serbi: Preshevë, Bujanovc e Medvegjë. Respektivisht, reciprocitetin në të drejta ndërmjet të drejtave të serbëve në Kosovë me ato të shqiptarëve në Serbi. Dhe kjo rezolutë do ta kanalizojë udhën që do të shtrohet edhe e drejta e shkëputjes, respektivisht e ndryshimit të kufijve në një të ardhme të afërt. Kufijtë nuk janë të shenjtë. Ata kanë ndryshuar në faza të ndryshme të historisë. Dhe për shqiptarët janë të padrejtë. Ne duhet të synojmë ta zgjidhim problemin e shqiptarëve në Serbi andej nga janë shumicë dhe që kanë vazhdimësi territoriale me Kosovën. As Kushtetuta e Kosovës nuk është e shenjtë. Ajo ka plot të meta. Duke i akomoduar interesat e serbëve të Kosovës në llogari të krejt popujve të Kosovës, duke iu krijuar privilegje të skajshme serbëve, përmes vendeve të rezervuara në Kuvend, përmes së drejtës së votës së dyfishtë, përmes Fondit të Veriut, e tani (në pritje) edhe përmes Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, kjo Kushtetutë është antidemokratike. Si pasojë e këtyre dispozitave diskriminuese, përfaqësuesit serbë në institucionet e Kosovës (që ata në thelb nuk i pranojnë!), mund ta bllokojnë shtetin e Kosovës kur të duan. Siç po e bllokojnë vazhdimisht. Prandaj, kjo Kushtetutë duhet të ndryshohet. Dhe mund të ndryshohet vetëm me një marrëveshje të re, gjithëpërfshirëse, përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Prandaj duhet të hiqen dispozitat e padrejta prej saj. Çdo çimentim i status quosë në këtë drejtim do të jetë në dëm të shqiptarëve. Pozicionimi skajshmërisht i paarsyeshëm, i palogjikshëm, si në kor, i pjesës më të madhe të skenës sonë publike kundër ndryshimit të kufijve, do t’i bëjë dëm të pariparueshëm së ardhmes së vendit tonë. Nuk është problem fare nëse me rezolutë Kuvendi e pengon presidentin Thaçi që të jetë në krye të negociatave. Por deputetët nuk kanë të drejtë t’ua mbyllin shpresën shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që t’i gëzojnë liritë të cilat sot nuk i kanë.

“Epoka e re”: Si e shihni vazhdimin e procesit të dialogut?
Qela: Varet prej seriozitetit të institucioneve tona. Është në interes të popullit shqiptar dhe të popullit serb që këto bisedime t’i kurorëzojnë me marrëveshje historike: duke i ripërcaktuar kufijtë në përputhje me të drejtën e kombeve për vetëvendosje, por edhe duke i marrë për bazë përfitimet e dyanshme. Kufiri do të lëvizte sipas vullnetit të deklaruar të popullatës në vija kufitare që kanë vazhdimësi me trungun amë (natyrisht, aty ku e kanë shumicën!) Natyrisht, duke i pasur parasysh disa interesa vitale. Kosova ka shumë më shumë interesa vitale në Gazivodë sesa Serbia. Serbia ka interesa vitale që ta mbajë autostradën dhe hekurudhën e korridorit 10. Kosova nuk ka domosdo. Por edhe matanë këtyre dy objekteve ka vendbanime shqiptare. Kompaktësia e viseve shqiptare të quajtura si Kosovë Lindore nuk duhet të cenohet. Zgjidhja do të gjendej me kompromise në dobi të të dyja palëve; qasje të lirë në këto objekte vitale edhe për shqiptarët, edhe për serbët. Të dyja palët do të duhej të jenë largpamëse se nga kjo rrjedhë negociatash, përfitimi do të jetë i madh për shqiptarët dhe serbët. Kështu do të ishte mirë të ndodhë. Por bisedimet nuk do të jenë të lehta. Nëse çimentohet pozicioni i palës kosovare për mosndryshim të kufijve – pasojat do të jenë më të mëdhatë për ne. Do ta kemi asociacionin (me a pa kompetenca ekzekutive), i cili, i kombinuar me privilegje alla-Ahtisari, do ta bëjnë edhe më jofunksional shtetin e Kosovës saqë, pas një a dy dekadash, edhe kundërshtarët më të ashpër të ripërcaktimit (ridefinimit) të kufijve do të jenë të gatshëm t’ua falin veriun pa kompensim në Lindje vetëm po të mund t’i hiqnim këto dispozita antidemokratike. Dhe nuk do të mund ta ndryshojmë Kushtetutën për asgjë: as për ushtrinë, as për Ligjin mbi festat zyrtare, as për plot ligje të tjera. Do të jemi krejtësisht të varur nga përfaqësuesit serbë në Kuvendin e Kosovës, siç po shihet kjo varësi edhe këto ditë në seancën e Kuvendit. Nëse pozicionohemi pro bisedimeve politike me platformë të qartë, me parimin bazë – reciprocitetin në të drejta, me unitet veprimi të krejt spektrit politik shqiptar, do të na hapet rruga e njëmendtë për sovranitet të plotë, për përparim e zhvillim. Opinioni publik nuk është përgatitur pothuajse fare për këtë rrjedhë të bisedimeve. As në Kosovë, as në Serbi. Në Serbi vazhdon fryma nacionalshoviniste edhe në pushtet, edhe në opozitë. Është i dobët zëri i opozitës demokratike, por duhet të ecet në këtë drejtim. Dhe Kuvendi i Kosovës, Qeveria e subjektet politike, e kanë për detyrë t’ia trasojnë këtë udhë vetes. Jo t’ia mbyllin atë.

“Epoka e re”: Sa mund të jetë e realizueshme ideja e presidentit Thaçi për korrigjimin e kufirit me Serbinë duke pasur parasysh se ai po thotë se me këtë korrigjim do të përfitojë vetëm Kosova, pra Lugina e Preshevës do t’i bashkohet Kosovës, kurse Serbia nuk do të marrë asgjë?
Qela: Unë kam besim të plotë se nëse institucionet e Kosovës do ta shtrojnë këtë çështje drejt, duke u nisur nga parimi i reciprocitetit në të drejta, ky ndryshim kufijsh mund të bëhet. Dhe do të jetë në interes të të dyja palëve. Do të çlirohen nga robëria serbe vëllezërit tanë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Do të hiqen dispozitat bllokuese, antidemokratike nga Kushtetuta e Kosovës që burojnë nga Pakoja e Ahtisarit. Do të hapet rruga për sovranitet të njëmendtë të Kosovës, për përparim dhe zhvillim. Për integrime kombëtare e ndërkombëtare. Edhe Serbia do të ketë përfitime të shumëpritura. Do t’i hiqet nga barra Kosova dhe do t’i hapet rruga për integrime evropiane. Por kjo mund të bëhet vetëm duke e shtruar me guxim të drejtën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës që ta gëzojnë të drejtën e bashkimit me Kosovën dhe duke e shikuar me mendje të kthjellët edhe çështjen e tri komunave serbe në veri. Në komunat Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan (pa shtatë fshatra shqiptare që kanë kompaktësi të pashkëputur territoriale me pjesën shqiptare) ka vetëm serbë që nuk duan t’u binden institucioneve të Kosovës. Këto territore Kosova realisht nuk i kontrollon dhe nuk do të mund t’i kontrollojë. Përmes përpjekjes për t’i mbajtur me dhunë, ne po ia gërryejmë vetes sovranitetin edhe ashtu të brishtë. Ne duhet të synojmë t’i mbajmë ata kufij që do të mund t’i kontrollojmë. Për ne duhet të jenë me rëndësi strategjike veriu i Mitrovicës dhe shtatë fshatrat shqiptare që ndodhen nën administrim të tri komunave serbe të veriut (Cerajë, Koshtovë, Bistricë, Boletin, Zhazhë, Lipë/Kelmend e Çabër). Këtu nuk duhet të ketë kompromis. Veriu është kancer për sovranitetin e Kosovës.

Kjo Qeveri është e papërgjegjshme

 “Epoka e re”: Lëvizja për Bashkim (LB) këtë herë nuk është përfshirë në Qeveri. Cili është vlerësimi juaj për këtë koalicion qeverisës?
Qela: Kjo Qeveri është e papërgjegjshme si të gjitha qeveritë e deritashme. Madje në disa segmente kjo Qeveri ua kalon të gjitha qeverive paraprake për veprime të kundërligjshme e arbitrare. Çka është më e keqja, ky koalicion qeverisës për shkak të numrave është krejt i varur prej votave të Listës Serbe, e cila e shantazhon Qeverinë dhe krejt Kosovën sa herë që të dojë. Kjo punë u pa edhe këto ditë. Por që të shkojë ky absurditet deri në fund, edhe opozita ia ndihmon Listës Serbe këtë faktorizim, duke bllokuar edhe procese që janë në dobi të vendit vetëm që të përfitojë politikisht. Sa për njoftim, Lëvizja për Bashkim, në bazë të marrëveshjes parazgjedhore me koalicionin qeverisës, i ka pasur të rezervuara vendet për një ministër dhe dy zëvendësministra por, nuk i ka pranuar, pikërisht për shkak se kjo Qeveri është krejt e varur prej votave të Listës Serbe.

Shqipe HETEMI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, ka thënë…