KOSOVA NË MES TË OLIGARKISË DHE DEMOKRACISË SË BRENDSHME

25 dhjetor 2020 | 19:38

Nëse i referohemi një studiuesi tashmë klasik të partive politike, Robert Michels, i cili pohon se mungesa e demokracisë së brendshme partiake çon detyrimisht në oligarki, atëherë nuk e kemi vështirë të konstatojmë se një pjesë e formacioneve tona politike po shkojnë drejt oligarkisë, duke përjashtuar energjitë e reja me njerëz e ide që mund të sjellin ndryshimin. Zgjedhjet e ardhshme duhet të provojnë në praktikë bilancin e betejave politike në mes të oligarkive partiake dhe demokracisë së brendshme, duke nxjerr si produkt final një skenë politike të liruar nga recidivat e së kaluarës me personazhe që mbijetesën politike e ndërtonin mbi gërmadhat e rrënuara të së ardhmes

Nga Mehmet PRISHTINA

Zgjedhjet e reja në Kosovë duhet të mbahen shpejt, pasi që Gjykata Kushtetuese gjeti që Qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti, ishte zgjedhur në mënyrë antikushtetuese me, kur një deputet i dënuar për korrupsion nuk kishte pasur të drejtë të votojë, e në fakt kjo votë ishte vendimtare për miratimin e qeverisë në Kuvend prej 61 votash.
Sipas Kushtetutës, zgjedhjet duhet të mbahen jo më larg se 40 ditë pas shpalljes së tyre
“Jemi në dijeni për vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe tani u takon institucioneve të Kosovës që t’i bëjnë hapat e ardhshëm përkatës, në përputhje me vendimin. BE do të vazhdojë të angazhohet me të gjithë në Kosovë, për të promovuar agjendën e integrimeve evropiane dhe reformat e nevojshme. Në këtë fazë është posaçërisht e rëndësishme që buxheti për vitin 2021 të miratohet dhe kalohet nga kjo përbërje e Kuvendit, sa më parë që të jetë e mundur”, tha njëri nga zëdhënësit e BE-së, Peter Stano.
Pra, tani për tani Kosova ndodhet para dy sfidave. E para, që lidhet me miratimin e buxhetit 2021 dhe e dyta – mbajtja e zgjedhjeve sipas rekomandimit të Gjykatës Kushtetuese.
Siç është njoftuar edhe nga mediat, tashmë projektligji për buxhetin e vitit 2021 është dërguar në Kuvendin e Kosovës nga ana e Qeverisë në largim dhe ky projektbuxhet ndodhet në shqyrtim në Komisionin për buxhet dhe transfere. Ndërkohë kryeministri Avdullah Hoti, është shprehur se muaji janar nuk duhet ta gjejë Kosovën pa buxhet të miratuar për vitin 2021. Sipas tij “buxheti për vitin tjetër është i përgatitur mirë”, dhe kërkoi nga partitë politike në Kuvend “që të bëjnë propozimet për ndryshimet e mundshme”, për çka i ftoi që ta votojnë buxhetin.
Data e mbajtjes së zgjedhjeve do të mund të caktohet pasi që Gjykata Kushtetuese del me aktgjykimin e plotë mbi votimin e Qeverisë së Kosovës më 3 qershor. Ende nuk dihet saktësisht se kur do të mbahen zgjedhjet, por përfaqësuesit e ndryshëm të partitë politike kanë përmendur fundin e muajit janar dhe fillimin e shkurtit të vitit 2021, si periudha të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve.

Që nga mbarimi i luftës (1999), Kosova mban rekord sa i përket numrit të kryeministrave, duke pasur deri më tani tetë, në dhjetë mandate të papërfunduara.
Kur jemi te rekordet të përmendim edhe një tjetër që lidhet me ushtruesit e detyrave. Kosova kurrë nuk ka pasur më shumë ushtrues detyre në pozita udhëheqëse në këtë periudhë njëzet vjeçare.
Sipas Kodit për Praktikë të Mirë të Komisionit të Venecias (Këshilli i Evropës) partitë politike përkufizohen si asociacione jofitimprurëse të personave që marrin pushtetin nga përfaqësuesit e tyre të zgjedhur dhe e ushtrojnë atë për të mirën e përgjithshme. Ky Kod thekson se partitë politike luajnë dy role thelbësore në demokracinë përfaqësuese: një rol shoqëror, duke kontribuar në socializimin politik të qytetarëve dhe artikulimin e pluralizmit ideologjik të tyre, dhe një rol institucional, duke e kontrolluar qeverinë dhe duke prezantuar politika dhe kandidatë alternativë.
Nëse i referohemi një studiues tashmë klasik të partive politike, Robert Michels, i cili pohon se mungesa e demokracisë së brendshme partiake çon detyrimisht në oligarki, atëherë nuk e kemi vështirë të konstatojmë se një pjesë e formacioneve tona politike po shkojnë drejt oligarkisë, duke përjashtuar energjitë e reja me njerëz e ide që mund të sjellin ndryshimin.
Kjo temë imponohet për debat edhe njëherë kur Kosova, pas shumë cikleve zgjedhore dhe pas shumë mandateve të papërfunduara qeveritare, do të duhej të ballafaqohet me garën elektorale të radhës, ku votuesit do të duhej të zgjedhin në mes të oligarkëve politikë dhe reformatorëve demokratë.
Teoritë e ndryshme mbi demokracinë shumë qartë i përkufizojnë fushat ku zhvillohen idetë politike me afinitete avangarde dhe retrograde. Zgjedhësi ynë në Kosovë viteve të fundit ka treguar një sens më të zhvilluar për të detektuar bartësit e ideve që mund të sjellin ndryshime, duke u shfaqur më të rezervuar ndaj opsioneve e fytyrave të konsumuara të politikës publike. Është në logjikën e gjërave që ky diskurs elektoral të thellohet më tej edhe në zgjedhjet parlamentare të radhës, sepse sa më e rafinuar të jetë shija seleksionuese e votuesve, aq më të pastër do ta kemi ekologjinë politike në Kosovë.
Zgjedhjet e ardhshme duhet të provojnë në praktikë bilancin e betejave politike në mes të oligarkive partiake dhe demokracisë së brendshme, duke nxjerr si produkt final një skenë politike të liruar nga recidivat e së kaluarës me personazhe që mbijetesën politike e ndërtonin mbi gërmadhat e rrënuara të së ardhmes.

Prishtinë, 22 dhjetor, 2020

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi, ka thënë se asnjëherë nuk…