KOSOVA NË RREZIK….PREJ INJORANCËS!

01 shtator 2025 | 15:48

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Kush do të luftojë: Qytetarët e Kosovës qe pesë vite po përballen me rrezikun e luftës me Serbinë. Këtë tregim e përsërisin dhe stërpërsërisin ata që as personalisht e as familjarisht nuk e kanë shkrepur një pordhë e lëre më ndonjë plumb për Kosovën apo shqiptarinë! Për ta liria ka pasur kuptim sa Kosova ishte nën okupim të Jugosllavisë dhe Serbisë, liria sot në Kosovë u shërben për të vjedhur pa asnjë përgjegjësi, për të luftuar këtë liri duke mohuar çlirimtarët e vërtetë dhe duke kthyer në qeverisje mendësinë e të nënshtruarit dhe antikombëtarit. Askush deri më sot nuk i ka përndjekur dhe linçuar ish të burgosurit politikë shqiptarë dhe ushtarët e UÇK-së se që e bënë regjimi aktual. Sjellje më antikombëtare dhe më polarizuese nuk mbahet mend të ketë pasur më herët në Kosovë. Aktualisht nuk ka asnjë rrezik që Serbia ta sulmojë Kosovën pasi këtu janë vendosur forcat ndërkombëtare, forcat ushtarake të NATO-s. Këtë e kanë të qartë edhe deputeti Kurthi që kundërligjshëm e mbanë edhe postin e KM sikur edhe presidentja e Ukrainës dhe, kur duhet ta vizitojë ecurinë e punëve të “vargut të shtëpive për banim” në Lagjen e Varfanjakëve në Marigona Hill, edhe e Kosovës, Vojsa Osmani. Vojsa Osmani, si stratege e shquar ushtarake do të angazhohet edhe në luftë kundër karteleve të drogës në Amerikën e Jugut, me mision special ta fshijë nga faqja e dheut kartelin e Sinaloas që paraqet aq shumë rrezik për sigurinë e Kosovës, integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë. Gjithashtu, ka kërkuar nga Tramp që Vojsa Osmani personalisht të merret me Nikolas Maduron, Albin Kurthin e Venezuelës, në aspektin ideologjik. Rreziku i sulmit nga Serbia bëhet real vetëm nëse bashkësia ndërkombëtare e lejon në heshtje këtë në emër të mbrojtjes së të drejtave të serbëve në veri të Kosovës. Ose nëse Tramp e futë në pako bashkë me zgjidhjen e çështjes së Ukrainës. Tramp mund t’i lë Putinit si bakshish Kosovën, pa e lëvizur syrin dy herë. Edhe në këtë rast kjo do të kufizohej në veriun e Kosovës. Thjesht, po e shihni se si po sillen vendimmarrësit koçemëdhenj me Ukrainën dhe Gazën!! Kosovën, aktualisht as që e konsiderojnë problem. Thjesht, hipotetikisht bashkësia ndërkombëtare, në heshtje apo me marrëveshje mund të lejojë forcat serbe të hyjnë në një territor të caktuar pastaj e caktojnë tampon zonën duke kërkuar nga palët që problemet t’i zgjidhin me bisedime. Ec e hyni në luftë me forcat ndërkombëtare. Kështu patën vepruar pas Rambujesë, ushtarët francezë u vendosën mbi urën e lumit Ibër duke e ndarë Mitrovicën në dy pjesë, të veriut dhe të  jugut. Pastaj, si planifikim strategjik e pastruan veriun nga shqiptarët duke e krijuar një realitet tjetër etnik. Vetëm 8 muaj pas përfundimit të luftës, në shkurt të vitit 2000 mbi 12.000 shqiptarë dhe joserbë dhunshëm u përzënë nga pjesa veriore e Mitrovicës nga Rojat e Urës dhe xhandarmeria franceze. Duket si konspiracion por ngjarjet kështu u zhvilluan. Këta pordhagjinjtë që po u bien “daulleve të luftës” të parët do të ikin nga Kosova për faktin se Kosovën e konsiderojnë “atdhe rezervë”. Familjet nuk i kanë këtu, materialisht janë siguruar për 500 vjetët e ardhshëm prandaj nuk kanë asnjë motiv të luftojnë. Kurrë nuk kanë luftuar, as vet e as familjarisht, që nga koha e Car Dushanit e deri më sot. A po besoni se do të luftojë Lal Culla e Cen Mishi, dezertorë të ndyrë, ky Faraoni hajn nga Peja, Bandilli nga Gushavci, stërkeqja gjenetike dhe kombëtare e Boletinit që është tkurrur deri në pec, ekstazitë e Prizrenit, gjigantët në trup, me bothë edhe më gjigante, ata që kanë dorëzuar  “dëshmi” kundër UÇK-së në Hagë, trashëgimtarët e personaliteteve dhe familjeve patriotike që tashmë janë mbërthyer në shtyllën antikombëtare të turpit të dhënë pas lakmisë dhe hedonizmit sikur edhe mbetjet jugosllave dhe serbe që kanë metastazuar në të gjitha institucionet e vendit të lara dhe fituara me shumë vuajtje, djersë dhe gjak. Këta nuk kanë dhënë asgjë për këtë vend prandaj ne aq lehtësi dhe poshtërsi shpërdorojnë sakrificat e të tjerëve. Luftën, nëse ndodhë do ta bëjnë përsëri trashëgimtarët e ish të burgosurve politikë shqiptarë, të të Lavdishmes Ushtri Çlirimtare e Kosovës dhe vatrat nga të cilat gjithmonë ka dalë zjarri i lirisë. Një gjë duhet ta kemi të qartë: nuk ka më luftë sikur në vitet 1998 – 1999, tash lufta bëhet ndryshe, fiton ai që ka armatim të fundit e jo ai që ushtarët i bënë mish për top. Këta që nuk e shohin as hundën e lëre më përtej hunde po thonë se e çliruam veriun, e rikthyem sovranitetin, e përzëmë Serbinë, dinarin dhe zgjedhjet serbe në Kosovë, në fakt i krijuan rrethanat dhe kushtet që, me një ndryshim të qëndrimit ndërkombëtar, veriu i Kosovës të del nga kontrolli shumë shpejt. Keni një popullatë krejtësisht jobashkëpunuese, refuzuese dhe kundërshtuese, si do ta integroni?! Me Eden Atiqa a Nenad Rashiqa a? I pari me të kaluar jugosllave dhe serbe, i dyti kurrë nuk do ta dojë Kosovën dhe shqiptarët më shumë se Serbinë dhe serbët. Nuk është normale që të kemi një pritje tjetër. Besnikëria e Atiqit dhe Rashiqit nuk varet nga koka por në çfarë karrige apo posti e kanë ulur prapanicën!

Kryekuvendari, Dimali: Për të zhbllokuar Kuvendin e Kosovës, PDK-ja dhe AAK-ja siguruan votat e mjaftueshme për zgjedhjen e Dimal Bashës, kryetar Kuvendi. Jo se e vlerësojnë. Madje, e konsiderojnë se injorantin më origjinal në armatën e injorantëve të pozitës. Deri këtu krejt është në rregull deri sa doli një informatë se, bashkë me një autore nga Maqedonia e Veriut në vitin 2012 paskan botuar një “hulumtim”, zi e terr për UÇK-në të cilin do ua kishte për lakmi BIA e Serbisë, Gjykata Speciale Raciste në Hagë, Ministria e Drejtësisë dhe vet Dejona Mihali, kjo antikombëtare e mjerë dhe hibride. Pas luftës në Kroaci kur autoritetet u përpoqën të vendosin mbishkrimin e qytetit Vukovar në alfabetin cirilik, veteranët kroatë e bënë hi e pluhur atë nënshkrim, përkundër forcave të shtuara të policisë kroate. Nëse rasti i Dimal Bashës është i vërtetë dhe po të ndodhte në Kroaci paramendojeni se çfarë fati do të kishte, do ta kishin kryqëzuar si Krishtin! Te ne është hapur debati “demokratik”, për dhe kundër, pushteti e mbron me të gjitha mjetet, opozita kërkon dorëheqje demokratike! Realisht, nëse rasti është i vërtetë, Dimali duhet të arrestohet si ata agjentët e BIA-së dhe pastaj të ekstradohet në Maqedoni të Veriut te ajo kolegia hulumtuese apo në Merdare të “vëllezërit” e Mimozës. Deri atëherë, Dimali e konstituon Kuvendin, e zgjedhë qeverinë si dhe presidentin. Superman i shpërfyturuar! Për t’i mbuluar brekët me m.t, i ka shpallur luftë Listës Serbe, Simiqit dhe Radoiçiqit. A paska “vdekur” Mimoza a? Pordhagjia i përhershëm nga radhët e samurajëve të tredhur të pushtetit botërisht ka premtuar se më parë e prenë pecin se që e voton Sllavko Simiqin dhe LS-në. Sa tragjike aq edhe mallëngjyese!

Dorëheqje për tërheqje: Liburn Aliu dha dorëheqje shkaku i Dimal Bashës. Disi po distancohet nga ai për të mos u mbuluar me turp. Këta, në vitin 2021 e votuan Sllavko Simiqin për nënkryetar Kuvendi me 91 vota, sot nuk e duan. Shumë interesant, ku është dallimi midis 2021 dhe 2025?! Edhe Lal Culla dhe Lenka nuk e duan as LS-në e as Sllavko Simiqin në kryesi të Kuvendit ndonëse Kushtetuta dhe Rregullorja thonë të kundërtën. Dikush fort po luan me Kosovën, fort po punon kundër Kosovës, kundër Kushtetutës dhe ligjit. E pabesueshme se për pushtet duhet shkatërruar shtet! Lexova diku se Edi Rama mund ta përfshijë Liburn Aliun në kabinetin qeveritar më 11 shtator 2025. Ani, le ta merr vetëm uroj të mos na e merr Hysen Durmishin, na i këputë të dy këmbët dhe duart. Përfundimisht na e mbytë shpresën! Aman Rama, tregohu i mëshirshëm, mos na lë pa Hysenin.

Mercenarizmi në futboll: Futbollin filluan ta shkatërrojnë paratë e oligarkëve rusë, kinezë, mbretërve dhe princërve arabë. Futbollistët i shndërruan në mercenarë, pastaj trajnerët, madje edhe referët. Çdo gjë i kanë nënshtruar interesit material duke korruptuar vullnetin, shpirtin dhe magjinë e futbollit. Fitim për përfitim! U bënë disa ekipe mercenarësh. Fillimisht ishte PSG që më një ekip midis tjerëve kishte Mesin, Nejmarin dhe Mbapen prandaj nuk fitonte asnjë titull përveç kampionatin francez. Me t’u larguar Mesi, Nejmar dhe Mbape, PSG u bë kampion i Evropës. Situatë të njëjtë keni te Reali, Bajerni dhe së fundi te Liverpuli. Prandaj, këto ekipe mund ta kenë fatin e PSG-së nëse nuk dalin nga bataku i mercenarizmit. Ekipet e mia, Barcelona ka probleme me financa andaj është e kufizuar me blerje të mëdha, Arsenali vazhdimisht po dështon në blerje, Borusia e Dortmundit është shndërruar në vasal të Bajernit kurse Juventusi e ka fatin e shokut Zulo, po jeton nga fama e fituar në të kaluarën. Hiç nuk besoj se Arsenali, me këtë trajner, Artetën mund të bëhet kampion. Realisht, nuk ka as ekip. Neve që jemi për Arsenalin, superkompjuteri qe tre vjet po na nxjerr kampion. Ose ky superkompjuter është formatizuar nga Arteta, ose po na bënë qejfin. As Borusia. Juventusi arnohet disi. Barcelona diçka do të fitojë. Uroj të mos e kanë fatin e Kuvendit të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe deputeti…