Kosova nën hijen e diplomacisë serbe

26 nëntor 2018 | 13:35

Rinor Rexhepi

Që nga shpallja e pavarësisë, shteti i Kosovës ka pasur ngecje në përfaqësimin e shtetit në arenën ndërkombëtare. Kjo për arsye se Ministria e Punëve të Jashtme është ndarë vetëm duke u bazuar nga aspiratat partiake për të krijuar pushtet dhe jo për ta realizuar qëllimin e politikës së jashtme, i cili është maksimalizimi i interesave shtetërore në marrëdhënie ndërkombëtare. Për t’i punësuar të gjithë militantët e tyre, partitë politike i politizuan edhe ambasadat dhe konsullatat duke dërguar njerëz për t’i kryer funksionet e diplomatit dhe atasheve diplomatike, të cilët nuk kishin shkollimin dhe nuk ishin të informuar as për detyrat bazike qe duhet t’i kryej një diplomat. Pikërisht kjo ishte një arsye që ndikoj në paraqitjen e dobët të shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Dështimi i Kosovës për t’u anëtarësuar në UNESCO ndodhi si pasojë e moslobimit të të përfaqësuesve diplomatikë nëpër shtetet e jashtme dhe duke pasur një kundërshtar të fortë diplomatik (Serbinë) në sfidën për anëtarësim, Serbia lobonte me tërë arsenalin e saj diplomatik për të penguar anëtarësimin e Kosovës, ndërsa Kosova jo vetëm që qëndronte pasive për t’i siguruar votat për anëtarësim por edhe karshi fenomenit të kundërlobimit nga ana e shtetit serb që përdorte çdo mjet diplomatik për ta penguar anëtarësimin në UNESCO.

Gjatë gjithë negociatave me Serbinë, Kosova tregoj edhe një anë shumë të dobët diplomatike ku përfaqësuesit e Kosovës në këto bisedime tregonin gjithmonë që janë të papërgatitur për bisedime duke bërë lëshime dhe në të gjitha marrëveshjet, Kosova i mundësonte Serbisë që të përfitonte më shumë në këto negociata. Fenomeni i tërheqjeve të njohjeve të shtetit të Kosovës nga shtetet e jashtme kryesisht të kontinentit afrikan, është taktika diplomatike e radhës e Serbisë ndaj së cilës shteti i Kosovës po qëndron duarkryq në vend që të kundërpërgjigjet duke i përdorur kanalet diplomatike për t’i ruajtur këto njohje. Lufta diplomatike e Serbisë me shtetin tonë po vazhdon edhe tani gjatë tendencës së Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare.

Kosova njëherë ka tërhequr kërkesën për anëtarësim në Interpol si pasojë e mungesës së votave për t’u bërë anëtare e këtij institucioni. Por së fundmi edhe pse aplikoj përsëri duke menduar se i ka votat, dështoj të bëhet pjesë e Interpolit si pasojë e moslobimit të mjaftueshëm duke shpresuar se miqtë ndërkombëtarë do i bindin shtetet abstenuese dhe kundërshtuese për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Serbia edhe kësaj radhe e vazhdoj traditën e vjetër duke i përdorur të gjitha mjetet diplomatike për të ndikuar në shtetet qe ishin në dyshim për votën e tyre.

Ndërsa shteti ynë u tregua edhe një herë i pa aftë ta tejkaloj barrierën e quajtur Serbi. Këto dukuri dhe loja me diplomacinë shtetërore duhet ndalur sepse politika e jashtme është njëri nga akterët kyç të një shteti. Për ta përmirësuar nivelin e diplomacisë, shteti ynë pikë së pari duhet të heq dorë nga politizimi i tërësishëm i posteve diplomatike ku diplomatët duhet të zgjidhen më shumë në bazë të meritave dhe njohurive diplomatike. Pastaj përgatitja e duhur për të lobuar për njohje dhe anëtarësim në organizata të reja si dhe për të marrë pjesë në negociata, krijimi i shkollave dhe akademive për të shkolluar diplomatët e rinj. Por duke mos lënë anash edhe riformatizimin e akademisë diplomatike e cila ka shumë rëndësi në formulimin e politikave diplomatike të Kosovës.
Të punojmë që Kosova të mos mbetet më hije e diplomacisë serbe!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në mbledhjen e pestë të përbashkët ndërmjet Qeverisë së Republikës…