
Kosova nuk është Palestina
Shkruan: Hisen Berisha
(Një krahasim i rrezikshëm dhe i pavend. në emisionin War Report 23 Shtator | ABC News Albania)
Në debatin e ditës së djeshme, në emisionin War Report në ABC News Albania, u shtrua një krahasim i papranueshëm: çështja e njohjes së Palestinës u vendos paralel me rastin e Kosovës. Ky është jo vetëm një gabim logjik e historik, por edhe një fyerje ndaj sakrificës së popullit të Kosovës dhe ndërhyrjes së NATO-s për shkaqe humanitare.
Presidenti Trump u shpreh qartë kundër njohjes së Palestinës, duke e cilësuar atë shpërblim për Hamasin, një organizatë e shpallur terroriste nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, përgjegjëse për sulme me raketa ndaj qendrave civile izraelite. Hamas është shkaktari kryesor i luftës në Gaza. Në këto rrethana, çdo njohje e shtetit palestinez është legjitimim i terrorizmit dhe shpërblim i dhunës.
Krahasimi me Kosovën është i turpshëm. Kosova u çlirua nga një regjim gjenocidal përmes luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – një force që lindi nga populli dhe kurrë nuk u shpall terroriste. Ndërhyrja e SHBA-ve dhe NATO-s nuk ishte për interesa gjeopolitike, por për arsye humanitare: për të ndaluar masakrat, deportimet dhe shfarosjen etnike nga regjimi i Beogradit. Nuk ka asnjë ngjashmëri me Hamasin, as me luftën në Gaza.
Kush guxon të ndërtojë një narrativë të tillë? Kush e lejon që në media të barazohet kauza e një populli që luftoi për mbijetesë me një organizatë terroriste që e ka sulmin ndaj civilëve si doktrinë? Kjo nuk është analizë – është relativizim i krimeve dhe fyerje e qëllimshme ndaj Kosovës.
Në këtë kuadër, mesazhet e Presidentit Trump nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së janë të qarta:
– NATO-n e mbron Amerika – një goditje e hapur ndaj përpjekjeve ruse për të minuar unitetin perëndimor.
– Rusia është vetëm një “tigër prej letre”, dhe vetëm lidershipi i SHBA-së mund ta garantojë paqen e qëndrueshme.
– Trump kërkon lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve izraelite, duke vendosur çështjen e humanitetit mbi çdo kalkulim politik.
Ndërkohë, vendet që nxituan të shpallin njohjen e Palestinës, e bënë këtë jo për parime, por për interesa të fshehta strategjike. A nuk e forcon kjo dyshimin se pas takimit të Dohas në Katar, ku u diskutua për eliminimin e udhëheqësve të Hamasit, pati rrjedhje informacioni dhe dekonspirim nga brenda? Dhe a nuk është pikërisht kjo arsyeja që disa shtete po nxitojnë të shfajësohen me njohje politike të një “shteti” të kontrolluar nga terrorizmi?
Në këtë situatë, është e qartë: Kosova nuk ka asgjë të përbashkët me Palestinën. Kosova është histori e sakrificës, drejtësisë dhe mbështetjes ndërkombëtare për liri e pavarësi. Palestina e sotme është peng i Hamasit, i terrorizmit dhe i dhunës. Çdo barazim mes tyre është fyerje, është mashtrim dhe është tentativë për të manipuluar opinionin publik.
Prandaj, mesazhi është i thjeshtë: Mbështetja ndaj Presidentit Trump dhe doktrinës së tij të qartë në politikën e jashtme amerikane është garancia më e fortë si për Kosovën, ashtu edhe për paqen globale.