
Kosova përballë rendit të ri global!
Ethem Çeku
Rendi ndërkombëtar po përjeton një transformim të thellë. Lufta në Ukrainë, përshkallëzimi i tensioneve në Lindjen e Mesme, polarizimi ShBA – Kinë dhe ringjallja e ambicieve gjeopolitike të Rusisë po i japin formë një epoke të re, ku balancat tradicionale të fuqisë po zëvendësohen me një shumësi aktorësh të etur për ndikim global. Këto zhvillime nuk përbëjnë vetëm sfida për sigurinë ndërkombëtare, por po imponojnë edhe nevojën për përshtatje të shpejtë strategjike te shtetet e vogla, si Kosova.
Në këtë kontekst global të paqëndrueshëm, Kosova mbetet e ekspozuar ndaj sfidave të shumta: mungesa e konsolidimit të brendshëm institucional, polarizimi i skajshëm politik, tensionet me Serbinë dhe mungesa e progresit në dialogun ndërkombëtar. Mbi të gjitha, kriza e vazhdueshme e legjitimitetit dhe mungesa e një qasjeje të përbashkët strategjike e kanë bërë Kosovën më të brishtë në raport me zhvillimet rajonale dhe globale.
Në vend të një reflektimi të thelluar institucional, skena politike kosovare është dominuar nga konfliktualiteti, retorika ndarëse dhe mungesa e një vizioni të qartë kombëtar. Në një botë ku siguria, zhvillimi ekonomik dhe aleancat ndërkombëtare kërkojnë përgjegjësi të lartë shtetërore, Kosova nuk mund të lejojë luksin e përçarjes.
Në këtë situatë, nevoja për një konsensus politik dhe strategjik bëhet imperative. Konsensusi nuk nënkupton homogjenitet ideologjik, por ndërtimin e një platforme të përbashkët kombëtare mbi çështjet kyçe: sigurinë, dialogun ndërkombëtar, zhvillimin ekonomik dhe orientimin euroatlantik të vendit. Pa një qasje gjithëpërfshirëse, nuk mund të ketë as stabilitet të brendshëm, as integrim ndërkombëtar të suksesshëm.
Roli i Shqipërisë, në këtë drejtim, mbetet thelbësor. Si anëtare e NATO-s dhe kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Shqipëria ka përgjegjësinë historike për të ndihmuar në kapërcimin e ngërçit politik në Kosovë. Përmes diplomacisë së qetë, koordinimit të politikave dhe ndërtimit të projekteve të përbashkëta zhvillimore, Shqipëria mund të kontribuojë në krijimin e një arkitekture të re të stabilitetit institucional dhe ekonomik në Kosovë.
Marrëdhëniet strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Turqinë duhet të thellohen në mënyrë pragmatike dhe afatgjatë. ShBA-ja mbetet faktori kryesor i sigurisë dhe pavarësisë së Kosovës, ndërsa Turqia ofron mundësi konkrete për bashkëpunim ekonomik, teknologjik dhe infrastrukturor. Në vend të orientimeve të paqarta, Kosova duhet të zhvillojë një diplomaci të qëndrueshme që harmonizon interesin kombëtar me rrethanat ndërkombëtare.
Në fund, në një botë gjithnjë e më multipolare, Kosova ka dy mundësi: ose të mbetet peng i krizës së brendshme dhe i moskoordinimit strategjik, ose të ngrihet në lartësinë e përgjegjësive historike dhe të ndërtojë një model të ri të qeverisjes kombëtare, të bazuar në unitet, profesionalizëm dhe partneritet ndërkombëtar.