
Kosova pjesë e programit global të FIFA-s për zhvillimin e futbollit të femrave
Kosova ka marrë pjesë aktive në iniciativat globale të FIFA-s për zhvillimin e futbollit të grave, duke treguar angazhim të fortë për avancimin e futbollit për femra dhe krijimin e mundësive të barabarta në futboll.
Në këtë kuadër është mbështetja për 30 trajneret femra nga Kosova që morën pjesë në programin UEFA C Licence, i mbështetur nga Programi i Bursës për Trajnerë të FIFA-s.
Ky program është pjesë e Strategjisë për Futbollin e Grave të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) për periudhën 2024-2028 dhe ka për qëllim zhvillimin e aftësive të trajnerëve të rinj dhe rritjen e cilësisë së stafeve trajnues në vend.
Për këtë arritje të FFK-së ka shkruar edhe faqja zyrtare e shtëpisë së futbollit botëror, sipas të cilës FIFA është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të organizatës për të fuqizuar gratë në pozita udhëheqëse dhe trajnimi në futboll.
Pjesëmarrja e Kosovës në këtë program është një pjesë e rëndësishme e përpjekjeve globale të FIFA-s për të arritur objektivin e saj të madh, të arritjes së ‘60 milionë lojtareve femra’ deri në vitin 2027.
Programet zhvillimore të FIFA-s, të cilat janë të hapura për të gjitha 211 Asociacionet Membre (MAs), ofrojnë mundësi mbështetjeje për të avancuar sportin dhe për të ndihmuar vendet si Kosova në rritjen e nivelit të futbollit të grave dhe krijimin e mundësive për talente të reja.
Në këtë kontekst, edhe futbolli i femrave në Kosovë është duke përjetuar një periudhë rritjeje dhe zhvillimi, duke kontribuar për forcimin e pozicionit të Kosovës në arenën ndërkombëtare të futbollit.