Kosova – Republikë e sakrificës dhe sfidave të përhershme

23 maj 2025 | 21:29

Shkruan: Ethem Çeku

Shpallja e Republikës së Kosovës shënoi kulmin e një përpjekjeje historike që zgjati më shumë se një shekull. Kjo arritje nuk ishte e lehtë dhe as e rastësishme – ajo lindi nga qëndresa e një populli që përjetoi pushtime, spastrime etnike dhe dhunë sistematike, por nuk hoqi dorë asnjëherë nga e drejta për të qenë i lirë dhe i barabartë mes kombeve të tjera.

Kosova u ndërtua mbi gjakun dhe sakrificën e brezave të tërë. Nga vitet e errëta të sundimit serb e jugosllav, deri te lufta çlirimtare dhe ndërhyrja e aleatëve tanë strategjikë, çdo hap drejt pavarësisë u shoqërua me vuajtje dhe heroizëm. Prandaj, Republika e Kosovës është shumë më tepër se një akt formal shtetësie – ajo është mishërimi i dinjitetit dhe vendosmërisë sonë kombëtare.

Por liria është vetëm hapi i parë. Tani na takon ta ndërtojmë një shtet funksional, demokratik dhe të drejtë – një shtet që i shërben qytetarëve dhe mbështetet në institucione të forta, drejtësi të pavarur dhe zhvillim të qëndrueshëm.

Megjithatë, ky proces po ngadalësohet nga një sfidë tjetër, më pak e dukshme por po aq e rrezikshme: mungesa e konsensusit politik dhe mungesa e ndjenjës së përgjegjësisë shtetërore. Shpeshherë, përplasjet personale dhe interesat e ngushta kanë marrë përparësi ndaj nevojës për bashkëpunim dhe ndërtim të përbashkët.

Duket se një pjesë e klasës politike vazhdon të veprojë jo për të mirën publik. Inatet ndërmjet liderëve shpesh janë më të thella se ndjenja për shtetin. Ky mentalitet i dëmshëm po e pengon zhvillimin institucional dhe po i largon qytetarët nga besimi në demokraci.

Kosova ka nevojë për vizion dhe përkushtim, për udhëheqës që e ndjejnë shtetin si obligim moral e historik, jo si një mjet për përfitim personal. Integrimi në Bashkimin Evropian nuk është thjesht një qëllim politik, por një rrugë që e lidh Kosovën me vlerat dhe standardet që garantojnë mirëqenie dhe stabilitet për gjeneratat që vijnë.

E ardhmja jonë varet nga aftësia për të ndërtuar shtet, për të kapërcyer ndarjet, dhe për ta vënë interesin e përgjithshëm mbi çdo interes personal. Vetëm atëherë do ta nderojmë me të vërtetë sakrificën e atyre që bënë gjithçka që ne sot të jetojmë në një shtet të lirë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, ka thënë se kreu…