Kosova thotë se dronë të dyshuar nga Serbia kanë fluturuar mbi territorin e saj

26 shtator 2025 | 12:21

Autoritetet kosovare kanë thënë se hapësira ajrore e Kosovës është shkelur nga dronë që dyshojnë se janë futur nga fqinji verior, Serbia, kohët e fundit.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë të premten për medie se misioni paqeruajtës i NATO-s në vend, KFOR  është njoftuar për këto shkelje.

“Kohën e fundit kemi pasur fluturime të dronëve që ne po dyshojmë që po vijnë nga territori i Serbisë në pjesën veriore të Kosovës. Policia është në kontakt me KFOR, jemi duke bërë monitorimin dhe me pa se çfarë mund të bëhet”, ka thënë Hoxha pas një ceremonie për shkatërrimin e armëve të jashtëligjshme.

Hapësira e ulët ajrore e Kosovës menaxhohet nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës, por hapësira e lartë – ajo mbi 6.200 metra – është nën kontrollin e Hungarisë, përkatësisht të HungaroControl-it. Kjo, për shkak se Kosova nuk ka arritur ende kapacitete për të menaxhuar hapësirën e lartë ajrore.

Në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por edhe me ligjet e tanishme në Kosovë, komandanti i KFOR-it është përgjegjës për sigurinë e hapësirës ajrore të Kosovës që nga viti 1999.

Hoxha ka thënë se futja e dronëve të huaj në hapësirën ajrore të Kosovës “është e rrezikshme për pjesën e kufirit po, por për qytetarët tanë jo, ne jemi duke i mbrojtur po ashtu”.

Ai i ka bërë jehonë deklaratave të ministrit të Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, i cili dy ditë më parë foli për mediumin Koha për dyshimet se dronë nga Serbia janë futur në hapësirën ajrore të Kosovës.

“Radio Evropa e Lirë” e ka pyetur KFOR-in lidhur me dyshimet për shkelje të hapësirës ajrore të Kosovës, por nuk ka marrë përgjigje të menjëhershme.

Autoritetet kosovare e kanë akuzuar vazhdimisht Serbinë se përbën rrezik për sigurinë e saj, posaçërisht pas sulmit të shtatorit 2023, kur një grup serbësh të armatosur sulmuan Policisë e Kosovës duke e vrarë një rreshter.

Serbia i ka mohuar akuzat.

Këtë javë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara se Beogradi paraqet kërcënim të vazhdueshëm për Prishtinën.

E pyetur në një intervistë për “Fox News”, nëse Kosova dhe Serbia ishin buzë një konflikti në qershor, Osmani tha se fqinjit verior të Kosovës i “pëlqen të shkaktojë probleme herë pas here”.

Ajo ka thënë se administrata e presidentit Donald Trump ka bërë punë të mirë në parandalimin e përshkallëzimit të situatës mes Kosovës dhe Serbisë.

Muajt e fundit, presidenti Trump disa herë ka deklaruar se ka parandaluar një përshkallëzim mes Kosovës dhe Serbisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, sot…