
Kosova, vend për të burgosur dhe refugjatë të paligjshëm
Nga KMDLNj
Qeveria e Kosovës, përkatësisht MD përmes ministres me kapacitet të kufizuar profesional ka nënshkruar një marrëveshje me Qeverinë e Danimarkës për lëshim me qira të Burgut në Pasjak të Gjilanit ku do të vendosen dhunshëm dhe kundër vullnetit të tyre 300 të dënuar në Danimarkë, asnjëri prej tyre nuk është danez apo shtetas i Danimarkës. Këta të dënuar që do të trafikohen në Kosovë përmes një kompensimi simbolik janë nga vendet e treta, të dënuar për krime të rënda si dhe për radikalizëm islamik. MD përmes një ministreje me mungesë të theksuar të kompetencës profesionale tërë kohën kanë mashtruar publikun në Kosovë duke e fshehur profilin e të dënuarve të cilët Danimarka nuk ka arritur t’i risocializojë prandaj i ka paketuar në Kosovë. Zyrtarët e MD-së në Kosovë pohojnë se nuk do të lejojnë që në Kosovë të vendosen të dënuar për krime të rënda, radikalë islamikë, terroristë apo të dënuar për krime lufte e që është mashtrim ordiner për faktin se Burgu në Pasjak për 10 vite është 100 për qind nën juridiksionin danez dhe autoritetet kosovare mund të sigurojnë qasje vetëm me leje të autoriteteve të Danimarkës. Gjatë kohës së qiradhënies konsiderohet si zonë ekstraterritoriale. Me funksionalizimin e këtij burgu, në Pasjak do të lulëzojnë prostitucioni, trafikimi me qenie njerëzore dhe narkotikë, kontrabanda e të gjitha llojeve, do të rritet radikalizmi islamikë dhe dukuri tjera që do ta rrezikojnë sigurinë e banorëve të Pasjakut dhe rajonit. Do të legalizohen dy sisteme korrektese paralele, i Kosovës dhe i Danimarkës sikur që do të noterizohet diskriminimi i personave të privuar nga liria, kosovarët do të trajtohen sikur deri më tani, të trafikuarit nga Danimarka, sipas standardeve daneze. KMDLNj fuqishëm e ka kundërshtuar këtë marrëveshje sepse krijon precedentë të rrezikshëm që ta shndërrojë Kosovën në shkelës të madh të drejtave të njeriut dhe deponi për të burgosur dhe refugjatë të paligjshëm nga shtetet tjera që i konsiderojnë dhe trajtojnë si mbetje njerëzore. Zyrtarët kosovarë, me mburrje në vend se të turpërohen deklarojnë publikisht se shumë shtete kanë shprehur interesim të dërgojnë të burgosur dhe refugjatë të paligjshëm në Kosovë thuaja se vijnë për studime në Oxford apo Cambridge. Kur KM i Britanisë së Madhe, Kai Starmer dhe presidenti Tramp deklaruan se po e shqyrtojnë mundësinë e dërgimit të burgosurve dhe refugjatëve të paligjshëm në Kosovë, presidentja dhe Qeveria e Kosovës u vetofruan t’i pranojnë, pa u bërë një kërkesë formale zyrtare dhe pa i ditur kushtet. Kosova nuk po ka kapacitete të sigurojë një jetë në kushte të një dinjiteti minimal ndërkaq, për shkaqe ekskluzivisht të përfitimit politik duan t’i zgjedhin problemet e të burgosurve të shteteve evropiane si dhe të refugjatëve të paligjshëm nga ShBA. Kosova nuk ka kapacitete e as mundësi minimale të merret me të burgosur të huaj dhe refugjatë të paligjshëm. Kosova, shkaku i lakmisë së politikanëve të padijshëm dhe të papërgjegjshëm do të shndërrohet në shkelës të madh të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria dhe refugjatëve të paligjshëm duke krijuar kushte për një destabilizim afatgjatë.
Të tregoni aq përulësi dhe nënshtrim duke pranuar të burgosur dhe refugjatë të paligjshëm që në planin afatgjatë e destabilizojnë shtetin ndërsa që nuk tregoni asnjë interesim për mbrojtje të drejtave të njeriut që po shkelen aq brutalisht në Hagë nga Gjykata Raciste Speciale të burgosurve, të gjithë shqiptarë dhe të gjithë shtetas të Kosovës, udhëheqës të luftës çlirimtare, krijues të shtetit dhe bartës të posteve më të larta politike dhe shtetërore tregon se keni mungesë elementare të përgjegjësisë njerëzore, kombëtare, politike, morale, institucionale dhe shtetërore.
Nuk duhet që Kosova të shndërrohet në koloni të burgosurve dhe refugjatëve të paligjshëm që, në kundërshtim me vullnetin e tyre dhe në kundërshtim me të drejtat e njeriut, dhunshëm do të vendosen në Kosovë.