KOSOVËS I DUHET NJË PROGRAM NACIONAL SI PËRGJIGJE NDAJ SFIDAVE TË KOHËS

07 korrik 2020 | 23:10

Ajo që është e sigurt tani për tani, ka të bëjë me faktin se Kosova e ka patjetër të konsolidohet së brendshmi, duke dërguar në tryezën e bisedimeve politikanë të papenalizuar nga Gjykata Speciale dhe, çka është më me rëndësi,  duke demonstruar një unitet politik e institucional në përpilimin e një programi nacional që do të ishte udhërryëfyes në dialogun me Serbinë

Nga Mehmet PRISHTINA
Kosova ndodhet në një fazë mjaft delikate, sa i përket procesit nëpër të cilin po kalon, ku gjithsesi bie në sy tendenca për polarizim të skajshëm të shoqërisë përkitazi me disa tema e probleme të ndjeshme. Ky polarizimi burimin e ka jo vetëm te mungesa e konsensusit politik e institucional për çështje kruciale, por edhe te kapilarizimi i opinionit publik, ku për pasojë nuk e kemi një mendim kritik të konsoliduar i cili do të na ndihmonte shumë në qartësimin e dilemave  që po e ndjekin Kosovën nga viti në vit.

Siç është bërë tash më e ditur, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, do të rinisë më 12 korrik. Ndërkaq më 10 korrik, do të zhvillohet një “samiti virtual” mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë, i njohur edhe si samit franko-gjerman dhe i BE-së, që do të ndërmjetësohet nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel. BE-ja në këtë samit do të përfaqësohet nga Përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell.

Ky samit, që do të zhvillohet përmes një video-lidhje, dhe, siç është thënë nga zyra e Presidentit Macron, ka për qëllim uljen e tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërkaq vizita e kryeministrit Avdullah Hoti të martën në Paris është në funksion të parapërgatitjes së terrenit për këtë samit.

Por, në anën tjetër, në Prishtinë politikanët, analistët dhe njerëzit e profileve të ndryshme nuk kanë një shpjegim të qartë se çka do të ndodhë me të ardhmen e Kosovës në kushtet kur po vërehen tash më qartë qasjet diametralisht të kundërta  në mes të Washingtonit dhe Brukselit sa i përket metodologjisë dhe dinamikës së bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Kjo disonancë qëndrimesh e fuqive diplomatike ndaj zhvillimeve në Kosovë po ndodhë edhe si pasojë e polarizimeve të skajshme në shoqërinë kosovare dhe vëzhguesit e vëmendshëm të situatës kanë paralajmëruar me kohë se mosharmonizimi i qëndrimeve brenda skenës politike kosovare karshi dialogut me Serbinë, mund të fus në lajthitje edhe diplomacitë botërore. Pikërisht kjo atmosferë është prezente  aktualisht dhe të gjithë ata që  janë munduar ta neglizhojnë këtë anomali socio-politike, tash po ballafaqohen me kakofoninë e  argumenteve që çojnë ujë në një mulli me shumë zhurmë e pak drith.

Procesi i dialogut Kosovë-Serbi nuk ka pasur një emërues të përbashkët në qendrat kryesore vendimmarrëse botërore, për faktin se Washingtoni ka një qasje tjetër ndaj këtij procesi, duke imponuar zgjidhje të shpejt dhe gjithpërfshirëse, ndërkohë që Brukseli dhe disa kancelari evropiane këtë proces e shohin ende të papërfunduar, për të cilin ka ende punë për t’u bërë. Kjo madje është hera e parë që Uashingtoni dhe Brukseli, pas vitit të famshëm 1999, janë të ndarë kur bëhet fjalë për proceset e paqes në Ballkan, dhe sidomos për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo edhe për faktin se në diskursin publik të Kosovës ka ekzistuar një kohë të gjatë bindja se amerikanët janë disa hapa përpara evropianëve sa i përket qasjes ndaj zgjidhjes së disa problemeve historike që e kanë munduar Ballkanin. Ata që mbrojnë këtë tezë e që janë dominues, marrin si shembull rastin e intervenimit të NATO-s  në vitin 1999, ku diplomacia amerikane ishte dëshmuar se atë botë po e kryente edhe funksionin e “kerozinit” për avionët bombardues në bazën ajrore të Avianos, prej ku edhe filloi fushata 54 ditëshe kundër caqeve militariste të Serbisë.

Ndërkohë që në sferën e diplomacisë botërore po zhvillohen këto beteja për të dominuar mbi procesin e dialogut Prishtinë-Beograd, në anën tjetër, në Kosovë, ndodhi një kthesë e papritur pas lajmit për publikimin e aktakuzave nga prokurori i Gjykatës Speciale ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli. Ky lajm u bë shkak që edhe takimi i paralajmëruar për 27 qershor në Washington, ku duhej të zhvillohej takimi në mes të krerëve të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësim të emisarit amerikan, Richard Grenell, të ndërpritet. Dështimi i këtij takimi, sipas shumë njohësve të zhvillimeve ndërkombëtare, i atribuohet një beteje të nëndheshme diplomatike me elemente të luftës speciale në mes të SHBA-ve dhe Europës dhe askush nuk e ka të qartë se çfarë kostoje përfundimtare mund të paguajë Kosova pas përfundimit të këtyre betejave.

Por, ajo që është më urgjente tani për tani, ka të bëjë me faktin se Kosova e ka patjetër të konsolidohet së brendshmi, duke dërguar në tryezën e bisedimeve politikanë të papenalizuar nga Gjykata Speciale dhe, çka është më me rëndësi, duke demonstruar një unitet politik e institucional në përpilimin e një programi nacional që do të ishte udhërryëfyes në dialogun me Serbinë. Autorë të këtij programi duhet të jenë të gjithë faktorët vendimmarrës në Prishtinë, të cilët njëherë e përgjithmonë do të duhej t’i lënë në plan dytësor rivalitetet politike në favor të përpjekjeve unifikuese karshi temave që janë jetike për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës.

Prishtinë, 7 korrik, 2020.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sonte është nata e dytë e masave të reja që…