Kosovës i duhet një qeveri e unitetit kombëtar

11 korrik 2020 | 07:54

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka bërë me dije se në këtë kohë zgjidhja më e mirë për Kosovën do të ishte formimi i një qeverie të unitetit kombëtar.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se kjo qeveri do të duhej ta udhëhiqte vendin deri në përfundimin e dialogut me Serbinë dhe realizimin e një reforme zgjedhore.

Murati ka thënë se e vetmja mënyrë për ta larguar tërësisht Serbinë nga Kosova është projekti i ripërcaktimit të kufijve, të cilën Lëvizja për Bashkim e ka shndërruar në platformë politike që në vitin 2010.

Ai ka vlerësuar se qeveria aktuale është e brishtë, duke theksuar se kriza politike e brendshme, e përcjellë me pandeminë në rritje dhe krizën ekonomike në anën tjetër, po ia bën të vështirë jetën kësaj qeverie.

“Epoka e re”: Z. Murati, si e keni parë publikimin e aktakuzës nga Gjykata Speciale për z. Thaçi dhe z. Veseli ende pa u konfirmuar ajo?

Murati: Unë kam qenë jashtëzakonisht i habitur qoftë me kohën e publikimit, edhe me shumë me përmbajtjen e saj. Koha e publikimit të njoftimit nga ana e Zyrës së Prokurorit Special për ngritjen e aktakuzave për presidentin e vendit, z. Thaçi dhe kryetarin e PDK-së, z. Veseli, ishte jashtëzakonisht e çuditshme. Duke qenë një moment kohor që korrespondonte me nisjen e presidentit për takimin e 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë me palën serbe, sigurisht se e hapi derën për shumë spekulime. Rrjedhimisht, publikimi i aktakuzës ndikoi në dështimin e mbajtjes së këtij takimi. Në anën tjetër, deklarata e ZPS-së kishte probleme të thella edhe në përmbajtjen e saj. Zakonisht institucionet e drejtësisë, sidomos të drejtësisë ndërkombëtare (sado që Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit Special formalisht janë pjesë e sistemit tonë juridik), kanë një gjuhë jashtëzakonisht profesionale dhe të përpunuar në aspektin juridik dhe nuk lënë hapësirë për spekulime politike. Kjo letër i përngjante më shumë një pamfleti politik të shkruar në zyrat e partive politike diku në Ballkan sesa një njoftimi të një mekanizmi të drejtësisë. Përmbajtja e letrës kishte shumë probleme me konotacionin e saj politik, por edhe duke e shkelur rëndë parimin e prezumimit të pafajësisë të dy të apostrofuarve, të cilat deri më tani janë analizuar në opinionin publik. E, mbi të gjitha, bërja publike e aktakuzës pa u konfirmuar nga gjykatësi i procedurës paraprake, është në kundërshtim me Rregullën 88 të Rregullores së Procedurës dhe Provave para Dhomave të Specializuara të Kosovës. Kjo e bën punën e këtij institucioni jokredibil në sytë e opinionit e sidomos kur duket qartazi që ZPS me këtë pamflet politik ka pasur më shumë qëllim të ndikojë drejtpërdrejt në procese politike sesa t’i shërbejë drejtësisë. Kjo, thënë më së buti, është skandaloze dhe po na fut në të panjohura e në befasi politike të vazhdueshme.  

“Epoka e re”: Publikimi i kësaj aktakuze pak ditë para takimit të Uashingtonit u pa si veprim i ndikuar nga rivaliteti që kanë ShBA-ja dhe BE-ja në procesin e dialogut Kosovë – Serb. A ka bazë një analizë e tillë?

Murati: Një kundërthënie e lehtë në mes të ShBA-së dhe BE-së, apo shteteve kryesore të saj, gjithmonë ka ekzistuar. Por vitet e fundit kjo kundërthënie ka shkuar duke u rritur. Sigurisht se kundërthëniet e tilla e vënë në pozitë të palakmueshme Kosovën, duke pasur parasysh se Kosova synon anëtarësimin në BE në njërën anë, por në anën tjetër e konsideron ShBA-në aleaten kryesore. Tani e një kohë ne kemi një situatë të tensionuar edhe në raport me dialogun, ku duket se kemi një garë në mes të ShBA-së dhe BE-së për çështjen e dialogut. Ajo që dihet është se BE-ja ka mandat edhe nga Këshilli i Sigurimit që prej vitit 2011 që ta lehtësojë dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë. Dhe mospërfshirja e ShBA-së është bërë me qëllim që të mos lejohet edhe përzierja ruse në këto bisedime. Sidoqoftë, si atëherë e si sot është e qartë se kur të vijë te finalja e një marrëveshjeje politike, do të jetë e vështirë pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të ShBA-së sepse ajo është i vetmi shtet që ka forcë politiko-ekonomike dhe potencial ushtarak jo vetëm për t’i bindur palët, por edhe për ta implementuar marrëveshjen. Ajo çfarë ndodhi me publikimin e aktakuzës dhe dështimin e takimit të Uashingtonit ka krijuar mundësitë për shumë spekulime. Sidoqoftë, vetëm e ardhmja dhe proceset e ardhshme politike do të na mundësojnë që gradualisht të kuptojmë se krejt kush kishte gisht në publikimin e aktakuzës në mënyrë që të shkaktonte një kaos të tillë politik, e që do të ndikonte në dështimin e takimit të 27 qershorit. Tash me këto zhvillimet e reja, por edhe me zvarritjen që ia kemi bërë vetes për dy vjet, dialogut me mostrajtimin serioz të përkushtimit të kësaj administrate amerikane për ta përmbyllur dialogun, duket se procesi i dialogut do të jetë më i gjatë sesa që ka mundur të jetë. Megjithatë, siç e theksova edhe më lart, jam i bindur se pa marrë parasysh se çfarë do të ndodhë me procesin e dialogut, përfshirja e ShBA-së në fazën finale do të jetë e domosdoshme. Në anën tjetër, ka gjasa që së shpejti, pas samitit virtual që u zhvillua në Paris dhe pas takimit të Brukselit, do ta kemi edhe një takim në Uashington me temën e ekonomisë. Personalisht tani nuk pres marrëveshje të shpejtë, por më shumë kthim te dinamika e Brukselit pa një fund të qartë dhe përfshirje fillestare amerikane në këtë projektin ekonomik, që edhe ai mbetet deri më tani i paqartë. Nuk duhet harruar se vonesën tonë për të mos kuptuar drejt përkushtimin amerikan dhe të vetë presidentit Tramp, kundërthëniet në rritje në mes të ShBA-së dhe BE-së, do të shfrytëzohen nga Rusia për të destabilizuar rajonin dhe nga Kina për të depërtuar fillimisht ekonomikisht në rajon.

“Epoka e re”: Cili mund të jetë ndikimi i këtyre akuzave dhe të tjerave që mund të ngrehën në proceset nëpër të cilat po kalon Kosova?

Murati: Për mua ishte befasi, siç e theksova, momenti kohor dhe përmbajtja e deklaratës, por jo edhe ngritja e aktakuzave. Kosovës dëmi iu ka shkaktuar me raportin e Dik Martit të vitit 2010 dhe Rezolutën e Këshillit të Evropës, e bazuar në këtë raport dhe me mosaftësinë e institucioneve tona që në mënyrë adekuate ta trajtojnë këtë çështje. Por në anën tjetër duhet theksuar se ndjekja e krimeve të luftës në Kosovë ka qenë në duar të UNMIK-ut fillimisht, e më pas të EULEX-it. Në këtë kontekst Kosova ndoshta ka mund të bëjë më shumë që të përpiqej të krijonte në atë kohë një gjykatë për ndjekjen e krimeve të luftës duke u bërë presion ndërkombëtarëve por, megjithatë, është e padrejtë të akuzohet për diçka që nuk ka qenë në përgjegjësitë e saj. Kështu, themelimi i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit Special nga ana e Kuvendit të Kosovës u bë nën presionin e madh të aleatëve tanë ndërkombëtarë dhe kërcënimit se, nëse Kosova nuk i themelon, atëherë ata nuk do ta pengojnë Rusinë që përmes KS të OKB-së t’i krijojë ato, me qëllim të ndjekjes së krimeve që kanë bërë shqiptarët, përkatësisht pjesëtarët e UÇK-së. Sidoqoftë, si atëherë e si sot mendoj se kjo është një ndër padrejtësitë më të mëdha në fushën e ndjekjeve të krimeve të luftës në ish-Jugosllavi, por edhe një padrejtësi e madhe politike ndaj Kosovës dhe një përpjekje për ta njollosur UÇK-në e luftën tonë në mënyrë që në një mënyrë ose tjetër të balancohen dhe merren parasysh edhe interesat dhe ndjenjat Serbisë e të Rusisë. Sigurisht çdo jetë njeriu është e vlefshme dhe duhet bërë përpjekje që çdo krim të zbardhet. Mirëpo në rastin tonë kjo kinse drejtësi ka  marrë konotacion politik dhe trajton vetëm njërën palë (UÇK-në), e me elemente të një gjykate që ndjek vetëm një etni, standard ky i paaplikuar ndonjëherë. Për më tepër, tani së fundmi ZPS e trajton veten edhe si organizatë politike me mision ri rregullimin e skenës politike në Kosovë e që kështu do të ndikojë në skenën politike të brendshme dhe atë ndërkombëtare që ka të bëjë me Kosovën. Kështu, Dhomat e Specializuara dhe ZPS shndërrohen nga mekanizma drejtësie në mekanizma padrejtësie. Sot, pas 20 vjetëve të përfundimit të luftës në Kosovë, ajo që do t’i shërbehet opinionit publik në Kosovë dhe në botë, do të jetë një fotografi e përmbysur e ngjarjeve në Kosovë, ku viktimat dhe çlirimtarët do të trajtohen në rolin e kriminelëve të luftës. Kjo duket e rëndë sidomos kur ka një ndjenjë të përgjithshme që ndjekja e krimeve të luftës kundër shqiptarëve nuk ka qenë në nivelin e duhur qoftë nga Tribunali i Hagës, qoftë nga gjykatat serbe e, po ashtu, edhe nga ato të Kosovës të cilat më shumë kanë ndjekur shqiptarë për krime lufte sesa pjesëtarët e forcave të sigurisë së Serbisë. Përndryshe, jam krenar që deputetët e LB-së, qoftë në mandatin 2010-2014 (Aurora Bakalli dhe Agim Kuleta), qoftë në atë 2014-2017 (Raif Qela) kanë votuar kundër krijimit të kësaj gjykate. Në anën tjetër, ka një tendencë brenda Kosovës tani e një kohë të gjatë që këto mekanizma t’i shohin si shpëtim në luftën kundër korrupsionit dhe atë që ata e quajnë kapje të shtetit. Kjo është një qasje jo vetëm e padrejtë, por edhe e padenjë. Me këto procese do të dëmtohet Kosova dhe lufta jonë e drejtë e më së paku individët e caktuar. Dhe, së dyti, korrupsioni nuk mund të luftohet duke u arrestuar dhe dënuar individët për krime lufte. Ata ashtu do të bëhen heronj për së dyti. Korrupsioni luftohet vetëm duke krijuar shoqëria jonë një potencial të tillë demokratik që do të arrijë që këtë dukuri dhe dukuri të tjera të dëmshme t’i luftojë vetë. Përndryshe, kur ky potencial nuk ekziston, atëherë shumë lehtë një i korruptuar dhe një kapës shteti do të zëvendësohet me një tjetër. Në këtë rast vetëm emrat do të ndryshonin e ne do të mbesnim duke pritur te ndonjë gjykatë e ardhshme ndërkombëtare që kushedi se për çka do të krijohej për ne për t’i eliminuar të tillët. Nuk bëhet dhe nuk mbahet shtëpia me shpresën e tjetrit.

“Epoka e re”: Qeveria është deklaruar pro vazhdimit të dialogut me Serbinë. Pas këtyre rrethanave, cila duhet të jetë qasja e Kosovës në këtë proces? 

Murati: Unë mendoj se për zgjidhjen e problemeve në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk ka alternativë tjetër veç dialogut. Çështja nuk është te dialogu si mjet për zgjidhjen e problemeve në mes të dy shteteve, por te përmbajtja e dialogut e, mbi të gjitha, te qasja e palës së Kosovës. Deri më tani ne kemi një qasje të pandryshuar nga të gjitha qeveritë tona: e kemi ditur se çka nuk duan dhe zakonisht këto janë përcjellë me një fontanë dëshirash, të cilat kryesisht në fund kanë përfunduar me dëshirën/objektivin për njohjen e dyanshme. Pak a shumë kjo ishte edhe qasja e kryeministrit Hoti në samitin virtual të Parisit. Dhe pasoi menjëherë një reagim i palës serbe, se do të refuzohet një qasje e tillë. Në thelb dialogu është shumë më kompleks, me plot vështirësi e rreziqe dhe duhet shpjeguar qartë opinionit se nga ai do të dilet edhe me kompromise. Nuk e kemi kuptuar se po bëhet fjalë për përpjekjen për ta përmbyllur kapitullin e një konflikti mbi 100 vjeçar në mes të Serbisë dhe shqiptarëve, e që i ka rënë barrështetit të Kosovës ta përmbyllë në emër të krejt shqiptarëve. Betejën kryesore forcat tona politike dhe qeveritë e vendit e kanë pasur me presidentin Thaçi pasi ai doli me idenë e korrigjimit të kufirit në vend se të ulen dhe trajtojnë të tërat shumë seriozisht si anët e mira të saj, si anët e këqija e, po ashtu, edhe rreziqet e kurthet e mundshme. Sado që presidenti, sipas mendimit tim, nuk e ka shpërfaqur këtë ide në mënyrën e duhur lufta që i është bërë idesë, ka qenë joparimore dhe e drejtuar kryesisht më shumë kundër figurës së presidentit. Sidoqoftë, tani të gjithë po trumbetojnë se ideja e korrigjimit të kufirit apo shkëmbimit të territoreve, apo sido që i kanë thënë, ka vdekur. Mirë! Bravo! Por a po na tregojnë ata se cilën ide e përfaqësojnë dhe çfarë projektesh të tjera mund të vijnë në tavolinë? Publikisht janë ato që i quajta si fontanë dëshirash. Por të gjithë e përmendin jo-formalisht apo me gjysmë zëri edhe publikisht idenë e asociacionit plus apo një autonomie politike territoriale për serbët në Kosovë. Të tilla projekte do të ishin fatale për funksionimin normal të shtetit të Kosovës qoftë edhe nëse bëhemi anëtarë të OKB-së dhe nëse na pranon Serbia. Por edhe mbetja në këtë situatë status-quoje, pra me këtë kushtetutë aktuale përmes së cilës serbët kanë të drejtë vetoje në ndryshimet kushtetuese dhe në shumë ligje vitale për Kosovën, nuk i përshtatet Kosovës. Të gjitha këto opsione e lënë Serbinë me ndikim në Kosovë, për të mos thënë e lënë Serbinë brenda Kosovës qoftë përmes Listës Serbe, qoftë përmes mekanizmave kushtetues e juridikë që ia mundësojnë këtë. Andaj unë i shoh vështirë të implementueshme këto projekte edhe nëse arrihet marrëveshja për to. E vetmja mënyrë për ta larguar tërësisht Serbinë nga Kosova është projekti i ripërcaktimit të kufijve, të cilën Lëvizja për Bashkim e ka shndërruar në platformë politike që në vitin 2010. Sipas nesh, pjesët shqiptare të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës duhet t’i bashkohen Kosovës dhe pjesët serbe të Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut duhet t’i bashkëngjiten Serbisë. Kjo marrëveshje do të mundësonte edhe ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës dhe heqjen e privilegjeve kushtetuese për serbët e Kosovës (por normalisht jo edhe të drejtat e tyre) e rrjedhimisht do të krijoheshin rrethanat që Kosova jo vetëm të anëtarësohej në organizatat ndërkombëtare, por edhe ta shtrinte sovranitetin në tërë territorin e vet e të krijonte kushte reale për agjenda të tjera politike si sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik. Vetëm në një rrethanë të tillë krijohen mundësitë edhe për një bashkim potencial me Shqipërinë nëse për këtë do të kishte vullnet politik. Unë sigurisht nuk kam dyshime se ky vullnet do të ishte pro bashkimit (ndërsa forma e bashkimit si union, federatë, konfederatë, apo bashkim klasik do të mbetej çështje e marrëveshjes) sepse vetëm si të bashkuar Kosova e Shqipëria do të kishin potencial që të siguronin të ardhmen e tyre si në planin politik, atë ekonomik e të sigurisë në një botë që po ndryshon në mënyrë shumë dinamike, sidomos me forcimin e Rusisë dhe Kinës. Kështu, sado që është shpallur i vdekur projekti i ripërcaktimit të kufijve, unë jam i bindur se ky do të jetë projekti që në fund do t’i zgjidhë problemet në mes të dy vendeve dhe popujve. Një hall e kam se, nëse vonohemi shumë, mund ta humbasim krejtësisht Kosovën Lindore në njërën anë, në tjetrën Serbia ta bëjë realitet vendosjen e kufirit te lumi Ibër.

“Epoka e re”: Derisa Kosova pritet të përballet me proceset shumë të rëndësishme, qeveria aktuale duket e brishtë në numra. Që tri herë po dështon ratifikimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare. Mund të vazhdojë kjo qeveri, apo mund të presim ndonjë qeveri me bazë më të gjerë?

Murati: Qeveria vërtet është e brishtë dhe e ka marrë detyrën në një moment të rëndë dhe të brendshëm dhe të jashtëm. Kriza politike e brendshme, e përcjellë me pandeminë në rritje këto ditë në njërën anë dhe krizën ekonomike në anën tjetër po ashtu si pasojë e pandemisë, po ia bën të vështirë jetën kësaj qeverie. Por në anën tjetër është papërgjegjësi e madhe njerëzore, politike, shtetërore e kombëtare mosvotimi i marrëveshjeve ndërkombëtare të cilat i sigurojnë Kosovës projekte milionëshe dhe të dedikuara edhe për luftën kundër pandemisë dhe pasojave ekonomike që ajo ka shkaktuar. Kjo sjellje e papërgjegjshme dëshmon se kjo klasë politike është tërësisht e pandjeshme për interesat publike dhe më shumë sesa për interesat e Kosovës brengoset se si hapat e këtillë politikë do të shpërblehen në vota. Kjo është brengosëse. Në anën tjetër duket se ka gjasa që kjo qeveri ka vullnet për t’u zgjeruar edhe me PDK-në, sidomos pas krizës së fundit rreth ngritjes së aktakuzës për presidentin dhe z. Veselin. Sidoqoftë, cili do të jetë qëndrimi i PDK-së mbetet për t’u parë. Nuk duhet harruar se në lojë do të jetë edhe pozicioni i presidentit vitin e ardhshëm, apo pas ndonjë dorëheqjeje të mundshme të z. Thaçi e për të cilin nëse nuk ka një konsensus më të gjerë, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja. Unë vazhdoj të besoj se zgjidhja më e mirë do të ishte të kishim një qeveri të unitetit kombëtar e cila do ta udhëhiqte vendin deri në përfundimin e dialogut me Serbinë dhe realizimin e një reforme zgjedhore dhe atëherë do të kishte kuptim edhe të kishim zgjedhje të reja parlamentare. Mos të harrojmë se qeveritë e fundit janë rrëzuar për shkak të dialogut. I tillë do të jetë edhe fati i kësaj qeverie nëse nuk krijohet një bashkërendim më i madh në mes të forcave politike për dialogun.

(Muhamet Koci)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ç’i shihja ato fytyra Qenë ditë të vështira Kapluar nga…