Kosovës i thellohet deficiti tregtar

24 shtator 2018 | 16:09

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të hënën të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin gusht të këtij viti.

Sipas ASK-së, të dhënat nga tregtia e jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 4.5 për qind në muajin gusht të këtij viti, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2017, gjegjësisht në vlerë prej 276,5 milionë euro krahasuar me deficitin prej 264,6 milionë euro në vitin 2017.
Kurse, eksporti mbulon importin me 9.9 për qind.

“Eksporti i mallrave në muajin gusht 2018 kishte vlerën 30,4 milionë euro, ndërsa importi 307,0 milionë euro, që është një rënie prej (-6.5 për qind) për eksport dhe rritje prej 3.3 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017. Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 24.9 për qind të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 17.4 për qind e përbëjnë produktet minerale; 15.0 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 12.0 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 9.7 për qind e përbëjnë produktet bimore; 4.2 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 3.8 për qind e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar, etj”, është thënë në raportin e ASK-së, duke shtuar se sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 17.1 për qind e përbëjnë produktet minerale; 14.3 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 12.0 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 10.6 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 6.7 për qind e përbëjnë mjetet e transportit; 6.3 për qind e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 6.2 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 4.8 për qind e përbëjnë kafshët e gjalla, produktet me origjinë kafshe etj.

“Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 10,5 milionë euro ose rreth 34.5 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 31.4 për qind. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (7.2 për qind), Sllovenia (5.5 për qind), Britania e Madhe (4.7 për qind), Holanda (3.6 për qind) etj”, thuhet në raportin e ASK-së.

Sipas ASK-së, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 128,2 milionë euro ose 41.8 për qind e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 5.0 për qind. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (11.1 për qind), Italia (6.5 për qind), Rumania (4.1 për qind), Greqia (3.3 për qind), Polonia (3.2 për qind) etj.

“Në muajin gusht 2018, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-s arritën në 15,4 milionë euro ose 50.6 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-6.2 për qind). Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria (19.8 për qind), Serbia (11.5 për qind), Maqedonia (11.1 për qind) dhe Mali i Zi (6.2 për qind). Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin gusht 2018 arritën në 90,6 milionë euro ose 29.5 për qind të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 4.2 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (14.0 për qind), Shqipëria (7.2 për qind), Maqedonia (5.5 për qind) dhe B&H (2.4 për qind)”, theksohet në raportin e ASK-së.

Sipas këtij raporti, eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 4,5 milionë euro ose 14.9 për qind.

Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmendet Zvicra me 9.6 për qind.

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 88,0 milionë euro ose 28.7 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (9.0 për qind) dhe Kina (8.8 për qind).

/Epoka e re/

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Tiranë është mbajtur dita e vizitorëve, me rastin e…