KQZ certifikon rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit

09 shkurt 2026 | 18:39

Me 11 vota për, anëtarët e Komisionit Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë certifikuan rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Sipas rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ-ja më 31 janar, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 51.10 për qind të votave, duke siguruar 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.19 për qind të votave, apo 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 13.24 për qind, apo 15 ulëse, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 5.50 për qind, apo gjashtë ulëse.

Nga ulëset e rezervuara për minoritetin serb, nëntë ulëse i ka fituar Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, dhe një ulëse Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

“Me gjithë rezervat që i kemi pasur për Listën Serbe, i kemi dhe do të vazhdojmë t’i kemi”, tha Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje, pasi votoi për certifikimin e rezultatit zgjedhor.

Kurteshi dhe anëtari tjetër i LVV-së në KQZ, Alban Krasniqi në të kaluarën disa herë ka votuar kundër Listës Serbe në KQZ, qoftë për pjesëmarrjen e kësaj partie – që ka mbështetjen e Beogradit – në zgjedhje, apo edhe për certifikimin e rezultatit të këtij subjekti. Por, vendimet më pas janë rrëzuar nga Paneli Zgjedhor për Aneksa dhe Parashtresa dhe në disa raste më pas edhe nga Gjykata Supreme.

Rezultatet zgjedhore u certifikuan pasi përfunduan të gjitha afatet për ankesa nga partitë dhe kandidatët lidhur me rezultatet përfundimtare të shpallura nga KQZ-ja ditë më parë.

Palët e pakënaqura patën mundësi që t’iu drejtoheshin Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe më pas Gjykatës Supreme.

Procesi i certifikimit vjen pas rinumërimit të plotë të votave të rregullta, për çka u mor vendim pasi u gjetën mospërputhje në votat e kandidatëve për deputetë. Votat për parti nuk u cenuan.

Dhjetëra persona janë dërguar në paraburgim, qindra të tjerë janë intervistuar nën dyshimet për manipulim të votave, dhe proceset hetimore e gjyqësore pritet të vazhdojnë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agim Rexhepi Turp për drejtësinë ndërkombëtare dhe për mënyrën si…