KQZ-ja merr vendim të rinumërohen 914 vendvotime

13 janar 2026 | 16:32

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur që të shkojnë në rinumërim 914 vendvotime nga procesi i parakohshëm zgjedhor i 28 dhjetorit për shkak të mospërputhjes së votave të kandidatëve të subjekteve politike.

Rekomandimi ka ardhur pasi sekretariati i KQZ-së ka bërë shikimin e videoincizimeve të kamerave në vendosura në tavolinat e numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit dhe është evidentuar se ka raste të mospërputhjeve të votave për kandidatë.

Pas këtyre evidentimeve, SKQZ-ja ka bërë verifikimin e brendshëm të fletëvotimeve për kandidatë në 2 për qind të vendvotimeve apo 52 vendvotime nga të gjitha komunat dhe siç është bërë me dije deri në përfundim të ditës së djeshme janë verifikuar 33 vendvotime, ku thuhet se rezulton se votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit nuk pasqyrojnë numrin e votave të kandidatëve të evidentuara në fletëvotime.

Në 10 komuna do të rinumërohen 100 për qind të vendvotimeve (Dragash, Kaçanik, Lespoaviq, Prizren, Skenderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug), ndërsa në 28 komunat tjera, do të rinumërohen nga 10 për qind  e vendvotimeve (Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut).

Rinumërimi i këtyre vendvotimeve do të zhvillohet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe do të fillojë sot (e martë) në orën 18:00.

Paraprakisht gjatë debatit, Alban Krasniqi nga LV-ja ka thënë se në bazë të procesit të verifikimit të rezultateve ka dalë një shmangie, që tha se për ta ka qenë shqetësuese, dallim deri në 714 vota.

Ndërsa Muharrem Nitaj nga AAK-ja, ka thënë se mospërputhja në rezultat në 2 për qind të kutive të numëruara ka të bëjë me kandidatët e subjekteve politike, brenda subjekteve politike dhe nuk është fjala për vota midis partive politike.

Ndërkohë, Ilir Gashi nga PDK-ja ka thënë se mbështesin këtë propozim pasi sipas tij qëllimi i vetëm i të gjithëve është të pasqyrohet saktë vullneti i secilit qytetarë.

Kurse Sami Hamiti nga LDK-ja ka thënë se askush nuk duhet t’i frikësohet rinumërimit

Në anën tjetër, kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se nëse pas rinumërimit konstatohet se janë manipuluar votat brenda partive do të ketë paraqitje penale për të gjithë ata që kanë numëruar dhe kanë bërë manipulime, por ka theksuar se kjo do të vendoset pasi të kryhet rinumërimi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë bëri të ditur…