
KQZ-ja: Një subjekt politik në komunën ku merr pjesë në zgjedhje ka të drejtë të shpenzojë 2 euro për votues të regjistruar
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim për kufizimin e shpenzimeve të fushatës së zgjedhjeve për subjektet politike të cilat do të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.
Sipas vendimit të KQZ-së, një subjekt politik, në komunën ku do të marrë pjesë në zgjedhje, ka të drejtë të shpenzojë 2 euro për votues të regjistruar në atë komunë.
Subjektet politike nuk mund ta tejkalojnë vlerën e kufizuar të shpenzimeve në komunat, në të cilat certifikohen për të marrë pjesë në zgjedhje.
Gjithashtu, kufizimet e shpenzimeve maksimale të lejuara për fushatë zgjedhore zbatohen për çdo mall dhe shërbim të shpenzuar në komunat përkatëse për qëllime të fushatës pa marrë parasyshkohën e blerjes apo të pajisjes me shërbime.
Kjo llogaritje është bërë duke u mbështetur në Rregulloren zgjedhore nr. 07/2024 për fushatën e zgjedhjeve, monitorimin e fushatës së zgjedhjeve si dhe duke u mbështetur në të dhënat e listës preliminare të votuesve në secilën komunë, sipas të cilës numri i përgjithshëm i votuesve në vendin tonë është 2,071,544 votues.