
KQZ-ja ka pranuar mbi 2 mijë e 300 pako me fletëvotime nga diaspora
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka treguar se mbi 2 mijë e 300 pako të supozuara me fletëvotime nga diaspora për zgjedhjet lokale janë tërhequr deri të mërkurën nga shërbimi votues i KQZ-së.
Ai ka thënë për gazetën “Epoka e re” se 15 532 qytetarë nga diaspora janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet e 17 tetorit.
“Mund të ju konfirmoj se deri më tani Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmes shërbimit votues, ka tërhequr 2,337 pako të supozuara me fletëvotime, pra të cilat kanë ardhur nga jashtë Kosovës. Gjatë periudhës së aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës, kemi 15 532 qytetarë të cilët kanë arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës dhe të cilët mund të votojnë përmes postes”, ka thënë Elezi.
Ai ka bërë me dije se fletëvotimet nga diaspora duhet të pranohen nga ana e KQZ-së më së largu deri më 15 tetor.