
KQZ: Votuesi mund të zgjedhë vetëm një kandidat për Kuvend Komunal – përndryshe llogaritet vetëm vota për subjektin politik
05 shtator 2025
| 15:40
Pas hedhjes së shortit për renditjen e subjekteve politike (partive politike, koalicioneve, iniciativave qytetare dhe kandidatëve të pavarur), Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpjeguar se si duhet të plotësohen fletëvotimet në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.
Sipas KQZ-së, letëvotimi me kornizë të kaltër i përket zgjedhjeve për kuvendet komunale. Në anën e majtë të fletëvotimit, votuesi duhet të të votojë vetëm një subjekt politik, ndërsa në anën e djathtë të tij, votuesi mund të votojë vetëm një kandidat për anëtar të Kuvendit Komunal nga lista e atij subjekti politik.
Nëse në fletëvotim janë shënuar më shumë se 1 kandidat, do të llogaritet vetëm vota për subjektin politik.
Zëdhënësi i KQZ-së, Elezi, ka sqaruar se votuesit nuk kanë nevojë të votojnë drejtpërdrejtë për bartësin e listës, pasi vota për subjektin politik llogaritet votë edhe për të.
“Vota për subjektin politik llogaritet votë edhe për bartësin e listës, emri i të cilit në fletëvotim shkruhet nga KQZ nën emrin e subjektit politik”, ka shpjeguar Elezi.