Krasniqi: Aktgjykim i Kushtetutës duhet të zbatohet menjëherë

26 qershor 2025 | 22:47

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e shpalli jokushtetues themelimin e Komisionit për Votim të Fshehtë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Në një deklaratë publike, Krasniqi theksoi se me këtë vendim, Kushtetuesja ka dhënë qartësi të plotë se zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit duhet të ndodhë brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh.

“Gjykata Kushtetuese dha qartësi: zgjedhja e Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit duhet të ndodhë brenda 30 ditëve. Siç kemi theksuar që në fillim, rendi i ditës i seancës konstituive nuk mund të ndryshohet sipas dëshirës dhe askush nuk ka të drejtë të imponojë votim të fshehtë pa bazë kushtetuese dhe pa procedurë të rregullt. Gjatë tërë kësaj kohe, Partia Demokratike e Kosovës ka vepruar me përgjegjësi, seriozitet dhe konstruktivitet. Kemi ofruar zgjidhje, jo bllokim. Kemi kërkuar respektimin e rendit demokratik, jo skema për ta shtyrë apo thelluar krizën institucionale. E kemi përkrahur me ekspertizë dhe jemi bashkuar me iniciativën e AAK-së për sqarim kushtetues, sepse besojmë fuqishëm se demokracia mbrohet përmes ligjshmërisë dhe transparencës. Na vjen mirë që Gjykata Kushtetuese i dha fund kësaj loje të qëllimshme vonesash nga koalicioni VV-Guxo-Alternativa, duke e bërë të qartë se ata nuk kanë të drejtë ta bllokojnë procesin dhe se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve. Ky aktgjykim duhet të zbatohet menjëherë. Sa më shpejt, aq më mirë për vendin. PDK do të vazhdojë të jetë pjesë e zgjidhjes edhe më tej. Urojmë që edhe palët e tjera të veprojnë në të njëjtin frymë. Mjaft kohë është humbur – tani t’i japim epilog kësaj çështjeje!”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj,…