Krasniqi: E kemi harruar barazimin me Malishevën, për fitore ndaj Ballkanit
Mbrojtësi i FC Prishtina, Besnik Krasniqi, ka bërë me dije për “Epokën e re” se klubi kryeqytetas e ka harruar tashmë barazimin ndaj Malishevës dhe është gati të marrë tri pikët ndaj Ballkanit në fundjavë.
Kampionia në fuqi e Kosovës në futboll, Prishtina, nuk e nisi mirë edicionin e ri në Superligë, pasi barazoi vetëm në minutat shtesë ndaj skuadrës debutuese, Malishevës (1-1). Mbrojtësi Besnik Krasniqi, që është ndër lojtarët më të dalluar në klubin kryeqytetas, e ka përjashtuar mundësinë që lodhja të ketë ndikuar në këtë ndeshje, ani pse Prishtina ishte pjesëmarrëse në ndeshjet ndërkombëtare dhe gjithashtu luajti në finale të Superkupës ndaj Llapit. “Nuk ndikoj pjesëmarrja në garat e Evropës, as ndeshja e Superkupës, por në futboll nuk del gjithmonë si mendon sepse luan edhe kundërshtari dhe mundësitë janë që e kemi marrë ndeshjen e parë më të lehtë dhe kemi menduar se fitojmë. Duhet të jemi më seriozë dhe ta japim maksimumin në secilën ndeshje për ta arritur synimin”, ka deklaruar Krasniqi PER “Epokën e re”.
Mbrojtësi Krasniqi të dielën me Prishtinën zhvillojnë derbin ndaj ish-skuadrës së tij, Ballkanit. Ai ka thënë se skuadra “bardhekaltër” në këtë ndeshje do ta shijojë fitoren. “Duhet ta harrojmë ndeshjen e parë dhe të fokusohemi në ndeshjen e dytë. Jemi mjaft të motivuar për të dielën. Na pret një skuadër e fortë siç është Ballkani. Jemi duke u përgatitur për këtë ndeshje dhe nëse luajmë siç dimë ne, atëherë do ta arrijmë edhe fitoren”, ka thënë Krasniqi.
Skuadra e Prishtinës edhe në këtë edicion është ndër favoritet kryesore për titullin e kampionit, por favorite është edhe në garën e Kupës për faktin se gjatë verës ka mbajtur pjesën më të madhe të lojtarëve kryesorë dhe ka bërë disa transferime cilësore.
Futbollistët që kanë “aterruar” gjatë kësaj vere në stadiumin “Fadil Vokrri” janë: Xhevdet Shabani, Mendurim Hoti, Bleart Tolaj, Kristian Vangjeli, Florent Avdyli, Arlind Shabani, Betim Halimi, Olti Mehmeti, Sodiq Ololande Atanda dhe Benet Ismali.
/Veton ZYMBERI/



