
Krasniqi: Ndjehem krenar që nisma për Qendrën Kombëtare të Xhudos në Pejë u realizua sot
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka marrë pjesë në përurimin e Qendrës Kombëtare të Xhudos në Pejë.
Krasniqi ka thënë se ndjehet krenar që iniciativa e tij e mëhershme si ish-ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit është materializuar për të shërbyer si adresë e ngritjes së sportit të xhudos.
“Është materializuar, për të shërbyer si adresë e ngritjes së sportit të xhudos për të rinjtë e Pejës dhe mbarë Kosovës, duke ndjekur shembullin e të artave tona, Majlindës, Distrias dhe Norës. Ky sport ndërkombëtar që vajzat tona dhe mjeshtri Driton Kuka na e kanë bërë pjesë të historisë sonë si komb, tani e tutje do të zhvillohet në parametra të rinj e të organizuar”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Më tutje, Krasniqi ka thënë se besimi në rini, i ka shpërblyer të gjithë pa dallim.
“Prandaj duhet të punojmë e investojmë edhe më tej, për t’iu hapur atyre dritare të reja e perspektivë, që duke vënë në jetë talentin dhe shkathtësitë e tyre, jo vetëm të vazhdojnë të na bëjnë neve krenarë, por ta bëjnë Kosovën shtet të kampionëve, në lartësitë më të mëdha të sportit ndërkombëtar”, ka shkruar Krasniqi.