
Krasniqi: Nuk e kuptoj si VV kaloi nga Hegeli te Dimali
Kryetari i Partisë Demokratike e Kosovës, Memli Krasniqi në “Rubikon” në Klan Kosova ka komentuar zgjedhjen e Dimal Bashës, kryeparlamentar.
Ai u shpreh se nuk e kupton se si VV-ja ka përfunduar nga Hegeli tek Dimali.
“Unë as sot nuk e kam të qartë se si ka mbërri Lëvizja Vetëvendosje nga Hegeli, tek Dimali, por ky është problem moral i tyre”, u shpreh tutje ai.
Po ashtu, Memli Krasniqi, ka thënë që kjo parti votoi për të zgjedhur Dimal Bashën për kryetar të Kuvendit që të dëshmojë se nuk kontribuon në bllokadën institucionale.
“Ma shumë se sa për Dimal Bashën apo për individin, ne votuam për të mbajtur premtimin dhe fjalën që u kishim dhënë qytetarëve të Kosovës që Partia Demokratike nuk është kontribuuese në bllokadë, por që brenda kritereve dhe parametrave që ne i kishim vendosur si parti, do të zhbllokojmë situatën dhe do të dalim nga ngërçi politik”, ka thënë Krasniqi.
“Ka një historiat sepse sot nuk ka ndodhur asgjë. Sot është një epilog i një krize politike të cilën Lëvizja Vetëvendosje e ka filluar qysh herët”.
Sipas të parit të PDK-së, kjo parti ka treguar më së shumti konsistencë gjatë tërë këtyre muajve të kësaj bllokade.
“Meqenëse të gjitha shtizat u thyen te zgjedhja e kryetarit, sot ky ishte një momentum i rëndësiishëm. Së paku nga data 15 prill kur është dshur të konstituohet Kuvendi, Lëvizja Vetëvendosje ka bërë një sërë veprimesh që kanë kontribuuar te bllokada disamujore e cila edhe sot nuk u zhbllokua plotësisht”.