Krasniqi: Nuk e marrim mandatin për ta krijuar Qeverinë, Presidentja të na ftojë e të shkojmë në zgjedhje

27 tetor 2025 | 21:58

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se nuk do të provojnë të krijojnë Qeverinë.

Sipas Krasniqit, rruga e vetme janë zgjedhjet, meqë asnjëra parti nuk e ka shumicën.

Ai ka thënë se Presidentja Vjosa Osmani do të duhej t’i ftonte partitë qysh tash për diskutime.

“Në kuptimin formal, Presidentja do të duhej të na kontaktonte qysh tash. Ma merr mendja që secili prej nesh që mund të ftohemi, do t’i thojmë që s’e kemi shumicën, andaj t’i ndërmerr veprimet…Jo, s’mundemi me marr mandat. Duhen 61 numra”, tha Krasniqi.

Madje, sipas tij nuk ka nevojë të pritet fare 10 ditë, në mënyrë që të mos ketë vonesa tutje.

“S’duhet me pritë 10 ditë”, tha ai në Klan Kosova.

Sa i përket Kuvendit, tha se pas herës së dytë nëse nuk bëhet shumica, shpërndahet automatikisht.

“Shpërndarja e Kuvendit bëhet në mënyrë automatike, nëse edhe herën e dytë palët potenciale thonë që s’kanë shumicë”, tha Krasniqi.

Më herët, ai deklaroi se ka pasur tentative nga Vetëvendosja për të “peshkuar” deputetë për të votuar Qeverinë.

Ndryshe, edhe kreu i VV’së Albin Kurti deklaroi sot se rruga e vetme kanë mbetur zgjedhjet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Lituanisë ka autorizuar rrëzimin e balonave kontrabandë që…