
Krasniqi: PDK-ja s’do të ndalet së kërkuari që padrejtësia ndaj liderëve të UÇK-së të marrë fund
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka shprehur shqetësimin lidhur me vendimin Dhomave të Specializuara në Hagë për vazhdimin e paraburgimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Ai ka thënë se PDK-ja nuk do të ndalet së kërkuari që padrejtësia ndaj liderëve të UÇK-së të marrë fund.
“Vendimi i Dhomave të Specializuara në Hagë për të vazhduar paraburgimin ndaj presidentit Thaçi, kryetarit Kadri Veseli, bacës Jakup dhe Rexhep Selimit është një padrejtësi që nuk guxojmë ta normalizojmë. Refuzimi i lirimit me kusht, pavarësisht përfundimit të paraqitjes së provave, është shkelje e parimeve themelore të drejtësisë. Ne nuk kërkojmë favore, por drejtësi. PDK-ja nuk do të ndalet së kërkuari që kjo padrejtësi të marrë fund, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe me respekt për sakrificën tonë kolektive”, ka thënë Krasniqi në mbledhjen e Këshillit Drejtues të PDK-së.