Krasniqi takon Sorensenin: Nënvizova domosdoshmërinë e themelimit të institucioneve të reja

06 gusht 2025 | 16:10

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka takuar të mërkurën të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

Krasniqi ka shkruar në “Facebook” se ka theksuar nevojën urgjente për avancimin e integrimit evropian të Kosovës dhe largimin e masave ndëshkuese që padrejtësisht po dëmtojnë qytetarët tanë.

“Sot, në selinë e PDK-së, prita në takim përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen. Theksova nevojën urgjente për avancimin e integrimit evropian të Kosovës dhe largimin e masave ndëshkuese që padrejtësisht po dëmtojnë qytetarët tanë. Të dërguarit të BE-së i shpreha shqetësimin për arrestimet arbitrare të qytetarëve të Kosovës nga Serbia, si dhe për ndikimin negativ që këto veprime kanë në përpjekjet për paqe dhe stabilitet”, ka shkruar Krasniqi.

Ai gjithashtu ka theksuar se ka nënvizuar domosdoshmërinë e themelimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja.

“Po ashtu, nënvizova domosdoshmërinë e themelimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja dhe legjitime, si parakusht për kthimin e besimit dhe funksionalitetit demokratik në vend. Vetëm atëherë, procesi i dialogut mund dhe duhet të marrë drejtimin e duhur, përmes një qasjeje të drejtë, të koordinuar dhe me njohjen reciproke në qendër të marrëveshjes përfundimtare”.

“PDK-ja mbetet e përkushtuar ndaj rrugës evropiane të Kosovës, reformave demokratike dhe vlerave euroatlantike, dhe është mirënjohëse për rolin e Bashkimit Evropian në këtë proces”, ka shkruar Krasniqi.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar ndaj gjuhës…