
Kremlini thotë nuk i pëlqejnë propozimet evropiane për garanci të sigurisë për Ukrainën
Rusia ka qëndrim negativ për propozimet evropiane për garanci të sigurisë për Ukrainën dhe nuk do të pranojë asnjë prezencë të trupave të NATO-s në territorin e shtetit fqinj, tha Kremlini më 27 gusht.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, lavdëroi përpjekjet e presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke i cilësuar si “shumë të rëndësishme”, megjithatë ai tha se Moska shpreson që do të vazhdojnë këto përpjekje.
Si pjesë e një zgjidhjeje të mundshme të paqes, aleatët evropianë të Ukrainës po punojnë për të hartuar një paketë garancish për Ukrainën, që do ta mbronin vendin nga një sulm i mundshëm i Rusisë.
Por, Peskov tha se dislokimi i trupave evropiane në Ukrainë do të nënkuptonte prani të NATO-s atje, gjë që sipas tij Rusia ka synuar që ta parandalojë që nga fillimi.
“Në fakt, që në fillim, ishte avancimi i infrastrukturës ushtarake të NATO-s dhe depërtimi i kësaj infrastrukture ushtarake në Ukrainë që mund të përmendet ndoshta si një nga shkaqet themelore të situatës së konfliktit që lindi”, tha ai.
“Prandaj, ne kemi një qëndrim negativ për këto diskutime”.
Të gjitha palët u pajtuan se garancitë e sigurisë për Ukrainën duhet të jenë pjesë e një marrëveshje të paqes, por kanë dallime thelbësore se çfarë forme duhet të marrin këto garanci.
Rusia thotë se duhet të jetë një nga garantuesit e sigurisë së Ukrainës dhe dëshiron të ringjallë një propozim që palët e kanë diskutuar më 2022, në javët e para të luftës. Kievi e refuzon një gjë të tillë, duke thënë se do t’i jepte Moskës veto ndaj çdo mbështetje të jashtme ushtarake për Ukrainën.
Peskov tha se garancitë e sigurisë ishin “ndër temat më të rëndësishme”, por Rusia nuk beson se është e dobishme që këto tema të diskutohen publikisht.
Ai tha se samiti që u mbajt këtë muaj mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe atij rus, Vladimir Putin, ishte “shumë përmbajtësor, konstruktiv dhe i dobishëm”.
Trump ka thënë se SHBA-ja nuk do të dislokojë trupa në Ukrainë si pjesë e ndonjë garancie sigurie në të ardhmen. Por, ai e ka lënë të hapur mundësinë për përfshirje të tjera ushtarake amerikane, përfshirë mbështetje ajrore dhe të inteligjencës.
Peskov tha se negociatorët rusë dhe ukrainas për paqen ishin në kontakt, por se ai nuk mund të jepte një datë për kur ata do të takoheshin sërish. Dy delegacionet zhvilluan për herë të fundit bisedime ballë për ballë në Stamboll më 23 korrik, në një takim që zgjati vetëm 40 minuta. /REL