
Krenaria dhe Luftëtari i Lirisë
Shkruan: Nafi Krasniqi, magjistër i shkencave juridike – kushtetuese dhe administrative
Çfarë është krenaria?
Krenaria është ndjenjë e thellë që nuk lind nga fjalët, por nga veprat. Ajo nuk është thjesht ndjesi, por bartje e dinjiteti, pasqyrim i vlerave të ndërtuara me mund dhe sakrificë. Ajo, nuk matet me atë që ke, por me atë që je gati të bësh për të tjerët.
Kur flasim për Luftëtarin e Lirisë – Ushtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk bëhet fjalë për një person apo individ të zakonshëm. Sepse ai nuk ishte thjesht dikush që mori armën, por dikush që zgjodhi të mos qëndrojë i heshtur përballë padrejtësisë. Ai nuk ishte një ushtar më shumë, por ai ishte mishërimi i një populli që refuzoi të jetonte i përulur dhe i shtypur. Pra Ai është një burim i pashtershëm krenarie, që na mbush me emocion dhe përgjegjësi njëkohësisht. Kjo ndjenjë e thellë nuk është e zakonshme dhe as sipërfaqësore, është diçka që prek rrënjët e ndërgjegjes sonë kombëtare. Krenaria për luftëtarin e lirisë, është ndryshe nga çdo tjetër, sepse ajo nuk lidhet me interesin personal, por me sakrificën për diçka më të madhe se vetvetja, lirinë e një populli. Luftëtari i lirisë nuk kërkoj lavdi, as shpërblim. Ai shkoi në luftë me zemrën plot dhe me vetëdijen e qartë se mund të mos kthehej, por ati i mjaftonte që ne të jetonim të lirë. Pra, ai e bëri jo për vete, por për të gjithë ne, shpërblimi i tij ishte që atdheu të mos mbetet peng i robërisë.
Luftëtari i UÇK-së ishte më shumë se një ushtar
Ai nuk ishte thjesht një subjekt (burrë apo grua) me armë në dorë në një konflikt ushtarak – politik; ai është një aktor historik dhe moral që mishëron ndërgjegjen më të lartë qytetare dhe politike të një shoqërie të shtypur. Luftëtari i UÇK-së ngrihet jo përmes urrejtjes ndaj tjetrit, por mbi dashurinë për lirinë dhe të drejtën. Ai e shihte jetën jo si qëllim në vetvete, por si mjet për të arritur dinjitetin kolektiv. Zgjedhja e tij nuk ishte rezultat i instinktit, por vetëdije: ai zgjedh vizionin mbi frikën, flijimin mbi nënshtrimin, përkatësinë morale e politike mbi atë biologjike, jetën si projekt të përbashkët mbi jetën si mbijetesë individuale. Ai mishëron “vetëmohimit me ndërgjegje”, dhe e shndërron ekzistencën personale në simbol historik, etik dhe politik. Liria për të nuk ishte dhuratë. Ishte borxh që duhej kthyer më guxim dhe mbrojtur me përgjegjësi. Luftëtari i UÇK-së nuk përfaqëson vetëm një reagim spontan ndaj dhunës dhe shtypjes, por ishte përgjigja më fisnike që njeriu mund t’i jepte mohimit të të drejtës për të qenë. Ai është jo vetëm kujtimi i sa kaluarës, por e tashmja dhe e ardhmja. Luftëtari i UÇK-së, i ngjan figurës së “njeriut të ri” që lind nga mohimi, por që nuk lejon që mohimi të përsëritet. Ai është një kujtesë e përhershme se liria ka çmim, por edhe se ajo nuk është kurrë e garantuar pa guxim, pa veprim dhe papërgjegjësi.
Krenaria – si përgjegjësi qytetare
Krenaria për luftëtarin e UÇK-së nuk është thjesht ndjenjë, që duhet të na emocionoi. Ajo nuk buron nga uniforma e tij, por nga guximi për të sakrifikuar gjithçka për një të nesërme më të mirë për të gjithë. Ajo është themel i identitetit tonë modern. Është memorie kolektive që kërkon përkujdesje dhe vazhdimësi. Krenaria për një luftëtar të UÇK-së është një borxh i përjetshëm, jo vetëm emocional e shpirtëror, por edhe moral e kombëtar kësisoj, është detyrim për ne. Në çdo flamur që valëvitet në ditët e përkujtimit, në çdo rrugë apo institucion që mban emrin e një dëshmori, në çdo ceremoni shtetërore, na kujton se liria nuk erdhi vetë. Respekti, nderimi dhe kujtesa për ushtarët e UÇK-së është forma më e lartë e drejtësisë historike e morale që mund t’i bëjmë të shkuarës, të tashmes dhe të ardhmes, e krahas kësaj edhe vetës si përfitues të lirisë.
Kush fiton nga krenaria e UCK-së?
Ne jemi përfituesit. Ne që sot jetojmë të lirë në shtetin që dikur ishte ëndërr. Ne që përjetuam robërinë, ne që kurr nuk duhet harrur se kjo krenari vie nga gjaku, mundi dhe ideali i gjithë atyre që me krenari lirinë na kanë lënë amanet. Dëshmorët, Invalidët dhe Veteranët e UÇK-së. Por kjo assesi nuk na bën të barabartë me ta, përkundrazi, na bën borxhlinj të përjetshëm. Sepse, ajo që dhanë ata, nuk matet me asgjë që ne mund të japim sot.
Kujtesë dhe jo harresë
Sot, nuk jemi më në luftë si dikur, por jemi në betejë me harresën. Krenaria për Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk mjafton nëse nuk kemi përgjegjësi për ta nderuar atë. Përderisa, s’kemi të drejtë të flasim për të, nëse nuk kemi ndërtuar shtet të së drejtës, shtet të denjë për sakrificën e tyre. Gjithashtu, nuk duhet heshtur kur trashëgimia e asaj lufte keqpërdoret. Apo të qëndrojmë të heshtur kur lufta kthehet në trofe personal. Sepse, keqpërdorimi dhe krekosja, janë padrejtësia më e madhe që mund t’i behët Dëshmorëve, Invalidëve dhe Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Lavdi të përjetshme të rënëve për liri!
Respekt për veteranët e UÇK-së!