KRITIKA LETRARE E POROSITUR

15 tetor 2021 | 16:34

Intervistë me shkrimtarin Arif Molliqi

Arif Molliqi lindi në Llukë të Epërme të Deçanit (më 11 janar 1953). Shkollimin fillor dhe gjimnazin i kreu në Deçan. Studioi në Universitetin e Prishtinës për gazetari. Është autor i pesë romaneve, nëntë librave me poezi, tri monografive, një libri me publicistikë, dy dramave. Këto ditë SHB “Armagedoni” i botoi edhe librin e dhjetë me poezi “ Im atë të shtunave më blinte këpucë llastiku”. Po ashtu, Shefqet Dibrani ka shkruar një studim “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, “Armagedoni”, 2021. Autori është prezantuar edhe në disa libra dhe antologji. Gjithashtu, ka marrë disa çmime për prozë dhe poezi. A. Molliqi nga viti 1994 jeton në Hamburg të Gjermanisë.

HEJZA: Larg atdheut, larg vlerave kulturore të kombit, me valixhet plot kujtime, ndrydhur në vetmi e përmallime, lemerisur nga pesha e papërballueshme e asimilimit – ky është motivi krijues, apo, është ai fat që i ndjek të mërguarit për të bërë letërsi të mirëfilltë. Dikur, krijuesit nga diaspora, shqetësimet letrar si rrjedhojë e rebelimit shpirtëror anti-pushtet (disidenca), i orientonin në krijimin e kryeveprave në letërsinë tonë shqiptare, sot këtë gjë e bëjnë me qejf, për ta përcjellë traditën e prurjeve të reja në letërsi dhe, përgjithësisht, në kulturë! Apo ndoshta, tashmë, ky vlerësim është demode (i vjetruar), sepse shkrimtari ynë sot, në kohën e globalizmit, kudo qoftë në botë, ai është në atdhe!

MOLLIQI: Pikërisht, nga frika së gjendem larg atdheut ose, nga frika se po ndjehemi të harruar unë shkruaj për ta vërtetuar se ekzistoj diku. Jam gjallë. Për të dëshmua këtë të dytën më duhet të lë pas një testament poetik. Një libër, një poezi, një tregim…por që lidhet më atdheun. Ndryshe, kush do ta kuptoj se nga jam dhe, nga kam ardhur?! Krijimin e krijuesve të diasporës tani nuk e shoh si një lloj rebelimi kundër pushtetit, por më tepër si një dokument malli, një certifikate nëpërmjet së cilës e dokumentoj vetveten, në radhë të parë, ekzistencën kudo qofsha. Pra, nuk shkruaj vetëm për t’u dukur si një shkrimtar, por edhe për ta qartësuar veten brenda një hapësirë kudo që jetoj dhe, për t´u dukur se gjendem në atdhe. Prandaj, kur shkruaj një histori, reflektoj një gjendje shpirtërore pak a shumë sikur jam duke jetuar atje. Mirëpo, unë nuk dua të dukem se jam i zënë ngushtë nga ikja. A, po. Harrova. Disidenca te krijuesit shqiptarë tashmë është e kaluar. Kisha menduar se Kasem Trebeshina është i vetmi disident shqiptar, por pasi i lexova veprat e tij, nuk e gjeta aty.

HEJZA: Gërshetimi i kulturës hispane me kulturën e indigjenëve përgjatë kolonializmit të “kontinentit të ri” (Amerikës), solli deri te “lindja e madhe” e Letërsisë Hispanoamerikane, e cila, botës letrare i dhuroi kryevepra të paarritshme, nxori një plejadë shkrimtarësh mbase të papërsëritshëm ndonjëherë! Mund të vërehet ndonjë element i tillë gërshetues te krijimtaria letrare e krijuesve tanë në diasporë?

MOLLIQI: Ky term i kulturës “hispanike” vlen në përgjithësi për vendet me një lidhje kulturore dhe historike me Spanjën, më vende të kolonizimit spanjoll të Amerikës, dhe vende tjera. Ato edhe janë quajt me kulturë hispanike, sepse spanjishtja ka qenë ose është gjuhë mbizotëruese ose zyrtare, dhe kulturat rrjedhin në shkallë të ndryshme nga Spanja, të kombinuara me kulturën lokale para-hispanike ose ndikime të tjera të huaja. Prandaj, krahasimet e tilla për ndikimin e veprave të autorëve shqiptarë të diasporës në kulturat e vendasve ( gjermanëve), nuk është i krahasueshëm. Cili autor shqiptarë në përgjithësi ka ndikuar në kulturën gjermane, angleze, franceze tjera, që të t´ua ndryshoj elementet bazë të letërsisë se tyre. Këtë ndikim ka arritur ta bëj vetëm gjuha spanjolle në disa vende, aty ku ajo është gjuhë e dominuar ose gjuha e dytë. Elementet e tilla të krijuesit shqiptar, jo vetëm të atyre që jetojnë në diasporë, por as të krijuesve nga Shqipëria dhe Kosova, hiq deri diku Kadarenë, nuk janë ndikuese në asnjë krijimtari të shteteve që i përmenda. Ka vepra, qoftë në prozë qoftë poezi që pëlqehen, por jo që merren si model i krijimtarisë brenda një populli.

Përkundrazi, proza dhe poezia e atij vendi ku jetojnë autorët shqiptar mund të ndikoj në karakterin e krijuesit tonë. Ndoshta pikërisht ky ndikim krijon një nostalgji të mjegullt për krijimtarinë që krijohet në atdhe. Që të mos keqinterpretohet, kjo ka bërë që ata që krijojnë në atdhe të kanë një vizion të paqartë për atë në që krijomë jashtë.

HEJZA: Është më me vlerë ndjekja e traditës për të sjellë “krijime unikale”, apo të bëjmë përpjekje që letërsinë tonë ta sjellim në gjuhën e popujve me të cilët bashkëjeton diaspora jonë! Sa stimulohet përkthimi, a kemi përkthyes të mirëfilltë në diasporë. Bibliotekat si dhe libraritë tona, gjithandej viseve etnike, po “gogësijnë” nga veprat e përkthyera nga letërsia botërore. Apo ndoshta ndani mendimin se çështja e përkthimit të veprave tona nga shqipja në gjuhë të ndryshme, është problem që duhet ta zgjidhin ekskluzivisht institucionet tona qeveritare dhe nacionale!

MOLLIQI: Më duket se rreth kësaj u përgjigja pak më lartë. Por, duhet shtuar se, në Perëndim, asnjë krijues shqiptarë nuk mbijeton si shkrimtar ose si përkthyes i veprave letrare, por ka përkthyes që mbijetojnë duke përkthye nëpër administratat komunale. Komunikimi me lexuesin ose me botuesit vendas mund të them së s´është kurrkund. Edhe ato botimet shqip nxirren, ato që përkthehen, nxirren me shpenzimet e vet autorëve, pastaj ato më tepër i falin sesa i shesin. Një injorancë e llojit të vet. Pastaj, botimi pa kriter i librave, ua ndalon frymën edhe atyre shkrimeve që janë meritore të ekspozohen në dorën e lexuesit. Ketë mishmash krijuesish i ngatërron edhe mediokriteti i të ashtuquajturve “kritik letrar” me pagesë dhe portaleve që pa asnjë kriter i ngritin në qiell autor dhe libra të dobëta. Në anën tjetër, nuk motivohen aspak krijuesit e mirë që jetojnë në Perëndim, që edhe ka. Më herët janë motivuar një kategori shkrimtaresh, librat e tyre janë përkthye, bile-bile ka pas krijues mediokër që është përkthye dhe nga pavlera ka krijuar bindjen tek lexuesi dhe kritika Perëndimore se letërsia shqipe s´ka krijues klase.

HEJZA: Cili është raporti i atdheut me krijuesit shqiptarë të diasporës! Shtëpitë tona botuese që i kemi me bollëk, dinë gjë për këta shkrimtarë, apo, nisin e i njohin sapo ndonjëri prej tyre të shpreh gatishmëri për vetëfinancim të veprave të veta? A mendoni se vetëfinancimi i botimeve është një “korrupsion kulturor” i cili duhet të ndiqet, madje edhe me mbyllje të shtëpisë botuese, nga organet respektuese shtetërore?

MOLLIQI: Jam i tmerruar, që “Elita kulturore” në Kosovë apo Shqipëri dinë shumë pak për krijuesit shqiptarë nga diaspora. Ndoshta edhe dinë, por s´bëjnë asgjë për ta. Çështja e vetëfinancimit tashmë është bërë mani të botohen nga treqind deri pesëqind kopje e, lexohen më pak se njëqind kopje. Mendoja se askujt nuk do t’i intereson çka shkruajmë në të diasporës. Në s´jemi të detyruar të shkruajmë, por na detyron ndjenja të shkruajmë. Cila shtëpi botuese e ka luksin sot të botoj një libër më poezi, kur as pesëdhjetë kopje nuk i shiten, asnjë institucion shkollor, kulturor, biblioteke nuk blenë librat tona…Cilin ministër, politikanë, deputet, intelektual(?!) e sheh me libra? Edhe më e tmerrshme është kur atyre që i përmenda, ua afron një libër dhe ai fillon të qesh me ty plotë ironi…

HEJZA: A e ka thënë akoma fjalën e vet kritika letrare për krijimtarinë që po zhvillohet në diasporë. Apo, janë dy vlera që po ecin paralelisht dhe assesi të takohen diku sy më sy!

MOLLIQI: Hahahahaha…Po. Shumë, bile. Për çdo botim ka kritikë(?!), që e ngritin librin dhe autorin në piedestalin e letërsisë botërore. Prandaj e them me plotë bindje se, s´kemi kritikë letrar të mirëfilltë. Ata që ishin dje, janë plakë. Të rinjtë (kritiket) shkruajnë vetëm kur t´ua paguash “kritikën”, dhe atë më një kusht; ta lavdërosh skajshmërish autorin.

HEJZA: Antologjitë e më hershme të poezisë, por edhe të tregimit shqiptar, nuk janë llogaritur si të “kompletuara” pa përfshirjen e autorëve shqiptarë të diasporës! Sa vend zënë sot krijuesit nga diaspora nëpër antologjitë e tilla bashkëkohore? Apo nuk njihen fare nga hartuesit e antologjive, aq më pak nëse nuk paguajnë për përfshirje!

MOLLIQI: Çka mund të thuhet më bizare se kjo?! Botohen antologji poetike të ndara; krijuesit nga diaspora veç, ata në atdhe veç. Bile-bile, aq larg shkojnë sa të rrallë janë ata autor nga diaspora që merren dhe prezantohen në lekturat shkollore, universitare apo në prezantim jashtë vendit.

HEJZA: Jeta letrare e shqiptarëve sot është më e pasur se dikur apo më e varfër?

MOLLIQI: Numerikisht më e pasur, sepse botohen shumë libra. Nga kualiteti, në mungesë të kritereve vlerësues nuk mund të thuash asgjë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë me dije se…