KRIZA E DIALOGUT KOSOVË-SERBI

09 janar 22:27

Lulëzim ETEMAJ

Që nga 7 shtatori i vitit të kaluar, kur ishte anuluar takimi trepalësh në Bruksel ndërmjet Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me shefen e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, dialogu Kosovë- Serbi ka hyrë një fazë të re, jo në fazën përfundimtare, siç kanë qenë pritjet e BE-së dhe SHBA-ve, por në atë të krizës identitare.

Sadoqë që i proklamuar si një mekanizëm shtetëror, që do t’i shërbejë këtij dialogu dhe arritjes së marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Ekipi Negociator i Kosovës, në mungesë të një konsensuesi politik shtetëror dhe, rrjedhimisht, edhe të një strategjie të përbashkët, aktualisht të lë përshtypjen në radhë të parë të një ekipi të pa kokë. Të një ekipi që, në mungesë të kokës, do të duhej të funksiononte mbi bazën e një bashkëdrejtimi, por që në fakt më tepër se sa një ekip i bashkërenduar, sadoqë gjendet në fazën e konsolidimit, më tepër i ngjanë një mini tryeze të partive politike, të menagjuar, edhe me financa, nga qeveria, ku interesat politike dhe madje edhe mungesa elementare e njohjes së problematikës së negociimit dhe proceseve negociatore, janë karakteristikat më evidente të tij.

Bazuar në raportimet e mediave, takimi i djeshëm në Bruksel i Ekipi Negociator të Kosovës me Federica Mogherinin, në vend se të ishte një takim njohës, siç është cilësuar nga bashkëdrejtuesi, njëherit zëvendëskryeministër i Qeverisë së Kosovës, Fatmir Limaj, do të ketë hapur shumë pikëpyetje për Brukselin rreth të ardhës së dialogut Kosovë-Serbi. Ndërsa mentaliteti mashkullor i tij, në mungesë të një femreje të vetme nga Kosova, është parë me një sy shumë kritik jo vetëm në Bruksel, por edhe në Kosovë.

Do t’i jetë prezentuar dje në Bruksel një fotografi tepër e varfër, madje dhe tragjikomike, e Ekipit Negociator dhe përgjithësisht e Kosovës, posaçërisht në rrafshin diplomatik, nëse qendron raportimi i bërë nga mediat sipas të cilit Limaj ka deklaruar se i është drejtuar me kërkesë Brukselit që edhe ftesat për Presidentin, pra institucionin numër një të shtetit të Kosovës, t’i dërgojë përmes delegacionit. E, çfarë të thuhet në një rast të tillë për ndarjen e pushteteve dhe përgjegjësive kushtetuese dhe politike?!

Në rrethana të tilla, Ekipi Negociator i Kosovës nuk duhet të befasohet me cilësimin e ri si ekip postjerësh, krahas cilësimit të mëparshëm që i ka bërë nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, si ekip që “ka me printu letra”.

Paraqitja e djeshme skandaloze në Bruksel e Ekipit Negociator të Kosovës nuk duhet të kalojë në heshtje nga partnerët e koalicionit qeverisës si dhe Kuvendi i Kosovës. Riformatimi, unisimi, qartësia politike, sensi dhe madje edhe bontoni diplomatik, janë çështje vitale që kërkojnë zgjidhje të ngutshme konsensuale.

Në këto rrethana, dialogu Kosovë-Serbi vështir që do të mund të dali nga qorrsokaku ku është futur.

Lajme të sponsorizuara