
Kriza e re politike në Prishtinë: Si po e kthen Kurti dështimin në strategji për të mbijetuar politikisht
Shkruan: Hisen Berisha
Në vend që të hapë rrugën për funksionalizimin e institucioneve, Kosova po zhyten sërish në një cikël të rrezikshëm bllokadash politike. Dështimi për të konstituar Kuvendin nuk është një episod teknik parlamentar, por reflektim i një qasjeje politike që mban peng institucionet dhe të ardhmen demokratike të vendit. Në qendër të kësaj bllokade qëndron një emër: Albin Kurti.
Ky bllokim nuk është produkt i numrave, por i qëndrimit. Kurti po vepron si të kishte një shumicë absolute, në një realitet ku nuk ka më as mbështetjen parlamentare të mëparshme, e as legjitimitetin politik për të imponuar vullnetin e tij. Në vend të një qasjeje ndërtuese, me dialog dhe kompromis, po shihet një përpjekje për ta kontrolluar procesin në mënyrë të njëanshme. Kjo nuk është politikë institucionale – është kapje politike. Ky është thelbi i krizës së sotme.
Opozita, përballë një procesi të tillë, ka refuzuar të marrë pjesë në një komision që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryetarin e Kuvendit. Nuk bëhet fjalë për refuzim të rregullave, por për refuzim të farsës. Pjesëmarrja do të legjitimonte një proces tërësisht jashtë rregullorës, të imponuar dhe të ndërtuar pa marrëveshje paraprake politike. Nuk kemi të bëjmë me një problem teknik, por me mungesën themelore të konsensusit që duhet ta paraprijë çdo procedurë demokratike.
Edhe nëse Kurti vendos të tërheqë kandidaturën e znj. Albulena Haxhiu, kjo nuk do të ndodhë për të hapur rrugën për një zgjidhje, por si manovër taktike. Në vend që të pranojë realitetin e ri politik, ai po përpiqet të ndërtojë një narrativë për konsum të brendshëm: ta paraqesë veten si viktimë të sistemit apo pengesave të së kaluarës. Kështu, dështimi i qeverisjes maskohet si betejë për parime, ndërsa kriza politike shndërrohet në kapital për militantizmin partiak – një alibi për mungesën e reformave dhe për keqqeverisjen.
Gjykata Kushtetuese, me një aktgjykim detyrues, ka caktuar një afat prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit – afat që tashmë është drejt fundit. Nëse nuk gjendet zgjidhje, vendi do të hyjë në një terren të paeksploruar kushtetues. Dy janë skenarët: shpërndarja automatike e Kuvendit me dekret presidencial, ose një krizë e thellë legjitimiteti që do ta detyronte Presidenten të shpallë zgjedhje të reja.
Zgjidhja formale do të ishte marrja e mandateve të deputetëve – për moszbatim të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese – me fuqi ligjore. Por në mungesë të Komisionit për Mandate dhe Etikë, si dhe pengesës funksionale të KQZ-së të krijuar nga emërimi i Kryetarit të saj nga Presidentja, kjo nismë nuk gjen zbatim të drejtpërdrejtë as kur ka bazë juridike.
Në të gjitha rastet, pasojat janë serioze dhe të shumëanshme. Në të ardhmen e afërt, Kosova mund të përballet me:
– bllokimin e miratimit të buxhetit për shkak të mungesës së institucioneve funksionale,
– qeverisje të pafuqishme dhe jolegjitime përmes strukturave teknike apo në detyrë,
– paralizë të përfaqësimit ndërkombëtar të shtetit dhe humbje të besueshmërisë në mekanizmat e jashtëm.
Opozita ka shprehur qartazi gatishmërinë për një marrëveshje mbi ndarjen e përgjegjësive institucionale, me kusht që kjo të mos përkthehet në vazhdim të dominimit të njëanshëm, autokratik dhe imponues nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kurtit.
Takimi me Presidenten Osmani përbënte një mundësi reale për të krijuar një kornizë neutrale, ku palët do të mund të ndërtonin një marrëveshje të balancuar. Por kjo kërkon një klimë të sinqertë dialogu, dhe mbi të gjitha një neutralitet institucional që Presidentja nuk e ka dëshmuar. Megjithëse Kushtetuta e pozicionon si figurë unifikuese, zonja Osmani ka provuar të ndërhyjë në mënyrë të njëanshme, duke shtyrë skema politike që e vendosin atë në qendër të pazareve për pushtet – madje me pretendimin për të siguruar edhe një mandat të ri presidencial. Një qasje e tillë e cenon seriozisht rolin e saj si garantuese e rendit kushtetues dhe si ndërmjetësuese e paanshme.
Ndërkohë që kriza e brendshme politike thellohet, Kosova po mbetet gjithnjë më e izoluar në rrafshin rajonal dhe ndërkombëtar. Në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Shkup, Kosova nuk po përfiton nga fondet e Planit të Zhvillimit Rajonal të BE-së – dhe arsyeja nuk është mungesa e sovranitetit, por qasja konfrontuese dhe arrogante e Qeverisë Kurti ndaj partnerëve ndërkombëtarë. Në vend të diplomacisë pragmatike, është ndërtuar një mur retorike që po e dëmton vendin në mënyrë të drejtpërdrejtë: me izolim, humbje fondesh dhe rënie të besueshmërisë.
Kjo nuk është vetëm një dështim strategjik – është një politikë vetëizolimi që rrezikon ta shndërrojë Kosovën në një vend të braktisur nga partnerët dhe i përjashtuar nga proceset që formësojnë të ardhmen e rajonit.
Kosova nuk ka luksin të jetojë në krizë të përhershme. Demokracia kërkon marrëveshje, jo monologje. E ardhmja kërkon përgjegjësi, jo vetëm retorikë. Dhe udhëheqja kërkon kapacitet për të pranuar realitetin – jo për ta mohuar atë me taktika të njohura të shkollës së vjetër politike.
Në këtë moment kyç, zgjedhja është e qartë: ose vazhdimi i rrugës së bllokimit institucional deri në suprimimin e funksioneve vendore nga ndërhyrja e Pranisë Ndërkombëtare me ingerenca mbi-institucionale, ose kthimi urgjent në funksionalitet institucional përmes marrëveshjes, maturisë dhe respektimit të rregullave kushtetuese.