Kriza me lirën turke kthehet në çështje politike, ngritën disa padi ndaj gazetarëve dhe ekonomistëve

30 dhjetor 2021 | 14:27

Kriza me valutën turke është kthyer në çështje politike, pasi ministri i Ekonomisë, Nureddin Nebati u ka bërë thirrje qytetarëve që të padisin ekonomistët që komentojnë në rrjetet sociale për rënien e lirës.

Nebati i ka bërë këto komente pasi Rregullatori Bankar ka dorëzuar kallëzim penal ndaj më shumë se 20 personave, përfshirë një ish-guvernator të Bankës Qendrore, për shkak të postimeve të tyre në “Twitter”.

Lira ka humbur gati gjysmën e vlerës së saj prej fillimit të nëntorit e deri kur presidenti Recep Tayyip Erdogan ka bërë të ditura masat e reja për mbështetje të lirës.

Analistët kanë thënë se fajtore për këtë situatë janë politikat e Erdoganit për luftim të inflacionit përmes zvogëlimit të normave të interesit – kur në fakt ai do të duhej të vepronte krejtësisht ndryshe.

Në kallëzimin penal janë shënjestruar gazetarë dhe ekonomistë, të cilët kanë sugjeruar se rënia e lirës do të vazhdojë derisa të ndryshojnë politikat e Erdoganit.

Ministri Nebati ka akuzuar komentuesit për “luftë psikologjike”, duke iu bërë thirrje turqve që të blejnë ar dhe dollarë, në mënyrë që të ruajnë kursimet e tyre nga rënia e lirës.

“Dërgoni kallëzime penale ndaj secilit që ju keqinformon”, u ka bërë thirrje njerëzve Nebati.

Në mesin e personave të përfshirë në kallëzim penale është edhe ish-guvernatori Durmus Yilmaz – tani deputet i partisë opozitare Iyi Parti – dhe ekonomisti, Guldem Atabay. /REL/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” njofton se furnizimi me ujë…