KRU ‘Prishtina’ publikon tarifat e reja të ujit për vitet 2026-2028, rritje deri në 40 për qind
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka bërë publike tarifat e reja për shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit për periudhën 2026–2028, të cilat kanë hyrë në fuqi që nga ky muaj.
Sipas tarifave të reja, konsumatorët shtëpiakë do të paguajnë 0.63 euro për metër kub për shërbimet e ujësjellësit, çmim që paraqet një rritje prej rreth 40 për qind krahasuar me tarifat e mëparshme.
Ndërkohë, tarifa për shërbimet e ujërave të ndotura është caktuar 0.12 euro për metër kub, që përbën një rritje prej afro 60 për qind.
Për konsumatorët komercialë dhe institucionalë, tarifa e re për shërbimet e ujësjellësit është 0.82 euro për metër kub, nga 0.62 euro sa ishte më parë. Ndërsa për shërbimet e ujërave të ndotura, tarifa është rritur në 0.28 euro për metër kub, krahasuar me 0.17 euro sipas tarifave të vjetra.
KRU “Prishtina” ka sqaruar se tarifat janë përcaktuar nga Autoriteti Rregullativ për Ujërat (ARRU), në bazë të Ligjit Nr. 05/L-042, me qëllim që të jenë të drejta, të arsyeshme dhe të sigurojnë qëndrueshmëri financiare për ofruesit e shërbimeve.
Sipas njoftimit, llogaritja e tarifave bazohet në kërkesën për të ardhura, vëllimin e ujit të shitur dhe efikasitetin në arkëtimin e të ardhurave, ndërsa kërkesa për të ardhura përfshin shpenzimet operative, mirëmbajtjen kapitale dhe kthimin në Bazën Rregullatore të Aseteve.
Kompania ka theksuar se kërkesat për periudhën 2026-2028 përfshijnë rritjen e shpenzimeve operative, veçanërisht për personelin dhe energjinë elektrike, projekte kapitale për mirëmbajtjen e rrjetit dhe investime për modernizimin e aseteve me qëllim të përmirësimit të cilësisë së shërbimeve.



