Kryediplomati gjerman nuk shkon në Qeveri, takimi me Kurtin mbahet në ndërtesën e Kuvendit

18 nëntor 2025 | 10:53

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, do të takohet me ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Johann Wadephul, i cili po qëndron në rajon për një vizitë.

Kryediplomati gjerman do ta takojë Kurti  në ndërtesën e Kuvendit nga ora 15:35.

Takimi i tij në një sallë Kuvendi dhe jo në Kryeministri vjen pas një vendimi të Bashkimit Europian që zyrtarët europianë nuk do të zhvillojnë takime brenda ndërtesës së Qeverisë së Kosovës derisa vendi të ketë një ekzekutiv me mandat të plotë.

Në qeveri s’kishte shkuar as presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cila po ashtu ishte takuar me Kurtin në Kuvend.

Për vendimin e BE-së Kurti ishte njoftuar nga ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, përmes një letre të dërguar më 8 gusht ku e ka informuar atë se deri te ky vendim kanë ardhur pas një aktgjykimi të Gjykatës Supreme të 25 qershorit përmes të cilit shpalli të pavlefshëm një udhëzim administrativ të nënshkruar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, pasi argumentoi se nxjerrja e akteve nënligjore apo udhëzimeve administrative nga ministrat që janë deputetë është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese.

Këtë muaj për Gazetën Express Zyra e BE-së në Kosovë ka sqaruar më të tej se vendimi aplikohet vetëm për zyrtarët e lartë që vijnë nga Brukseli, ndërsa s’vlen për punët e zyrtarëve të BE-së që shërbejnë në vend.

“Siç është theksuar më parë, me rastin e vizitës së Presidentes së Komisionit Europian, von der Leyen, zyrtarët e nivelit të lartë nga BE-ja dhe shtetet anëtare të BE-së nuk do të takohen me zyrtarët e qeverisë në detyrë të Kosovës në ambientet e qeverisë. Megjithatë, kjo nuk vlen për zyrtarët e BE-së të vendosur në Kosovë, përfshirë Ambasadorin Orav, apo zyrtarë të tjerë të BE-së që mbajnë marrëdhënie pune me institucionet e Kosovës”, kishte thënë për Express zëdhënësi i Zyrës së BE-së, Nikola Gaon.

Në këtë kontekst, zyrtarë të nivelit të lartë të BE-së dhe të shteteve anëtare të BE-së përfshijnë presidentë, krerë shtetesh, ministra, komisionerë dhe Përfaqësuesen e Lartë/Nënpresidenten (HR/VP)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Arsenali është duke shqyrtuar mundësinë e shitjes së dy lojtarëve…