Kryediplomati gjerman viziton Kosovën javën e ardhshme
Javën e ardhshme, ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, Jihann Wadephul, do të vijë edhe në Kosovë në kuadër të vizitës së tij në Ballkanin Perëndimor.
“Dëshirojmë t’ju njoftojmë se Ministri ynë i Jashtëm, Johann Wadephul, do të vizitojë të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor javën e ardhshme”.
“Udhëtimi i tij do të fillojë në Bosnjë dhe Hercegovinë të dielën dhe do të vazhdojë përmes Malit të Zi, Shqipërisë, Serbisë në Kosovë të martën pasdite (18.11.25) përpara se të përfundojë në Maqedoninë e Veriut të mërkurën”, ka njoftuar ambasada gjermane në Kosovë.
Në njoftim është thënë se ai do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
“Ky udhëtim është pjesë e mbështetjes së Gjermanisë për rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt BE-së, ndaj së cilës ne mbetemi të përkushtuar”, ka njoftuar ambasada gjermane.



