
Kryeministri britanik vjen sot në Shqipëri
Për herë të parë në historinë e marrëdhënieve dypalëshe, një kryeministër britanik do të vizitojë Shqipërinë në kuadër të një vizite zyrtare. Kreu i qeverisë britanike, Keir Starmer, do të mbërrijë në Tiranë ditën e nesërme, ku do të pritet nga homologu i tij shqiptar, Edi Rama.
Kryeministria shqiptare ka njoftuar se dy liderët do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp në orën 12:40.
“Ditën e nesërme (15 Maj) në orën 12:40 (në Kryeministri), Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një konferencë të përbashkët për shtyp me Kryeministrin britanik, Keir Starmer”, thuhet në njoftim.
Kjo vizitë vjen vetëm një ditë pasi Starmer i dërgoi një urim publik Ramës për fitoren e tij në zgjedhje, të cilën e përshkroi si historike.
“Urime Edi Rama për fitoren tuaj historike në zgjedhje. Pres me padurim të vazhdojmë bashkëpunimin për të sjellë rezultate për njerëzit e zakonshëm në të dy vendet tona”, shkroi Starmer në rrjetin social X.
Vizita e liderit britanik zhvillohet në prag të Samitit të Komunitetit Politik Evropian, që do të mbahet më 16 maj në Tiranë dhe që pritet të mbledhë në një tryezë liderët më të rëndësishëm të kontinentit.
Sipas Këshillit të Evropës, ky samit i organizuar nga Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe Kryeministri shqiptar, Edi Rama, do të përqendrohet në çështje kyçe të sigurisë evropiane dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
“Udhëheqësit do të takohen fillimisht në një seancë plenare kushtuar sigurisë dhe një vizioni të përbashkët për të ardhmen e Evropës”, thuhet në njoftim.
Diskutimet do të vazhdojnë në tre tryeza të rrumbullakëta të nivelit të lartë me temën “Evropa e Re në një botë të re: unitet – bashkëpunim – veprim i përbashkët”. Në fokus do të jenë mbështetja për Ukrainën, mbrojtja e demokracisë, rritja e konkurrueshmërisë dhe sfidat e migracionit.
Në samit do të jenë të pranishëm edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Përfaqësuesja e Lartë për Punët e Jashtme, Kaja Kallas. Shqipëria pritet të theksohet si një partnere kyçe për stabilitetin dhe integrimin evropian të rajonit.