
Kryeministri indian anulon udhëtimet zyrtare jashtë vendit pas tensioneve me Pakistanin
Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, ka anuluar udhëtimet e tij të ardhshme zyrtare në Evropë, pas një përshkallëzimi të papritur të tensioneve me Pakistanin.
Udhëtimet që ishin planifikuar për javën e ardhshme në Norvegji, Kroaci dhe Holandë janë shtyrë për një kohë të pacaktuar. Vendimi vjen pas raportimeve për sulme të ushtrisë indiane ndaj caqeve të dyshuara në territorin pakistanez, çka ka shkaktuar reagime të ashpra nga Islamabadi zyrtar.
Autoritetet pakistaneze kanë deklaruar më herët se kanë autorizuar forcat e armatosura që të përgatiten për “veprime përkatëse”, duke rritur frikën për një përplasje më të madhe ushtarake midis dy fuqive bërthamore.
Zyra e Kryeministrit të Indisë nuk ka dhënë ende detaje shtesë për natyrën e sulmeve apo për ndonjë afat të ri për udhëtimet ndërkombëtare të Modit, por burime diplomatike sugjerojnë se qeveria indiane është duke përqendruar të gjithë vëmendjen në menaxhimin e krizës së sigurisë në rajon.
Situata mbetet e tensionuar dhe në zhvillim.