Kryeministri Kurti: Ejup Statovci – intelektual i angazhuar dhe akademik i rezistencës

30 shtator 23:11

Veprimtaria shkencore e publike e profesorit dhe rektorit të Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci, u shfaq sonte në dokumentarin kushtuar jetës dhe veprës së tij.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vlerësoi kontributin e rektorit Statovci, si një ndër ekspertët që hartuan Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990 dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës më 7 shtator në Kaçanik. “Mes ekspertëve e juristëve që hartuan këto dy dokumente themeltare në historinë institucionale të Kosovës, ishte edhe një profesor i të drejtës civile, atë kohë 50 vjeçar. Emri i tij ishte Ejup Statovci”, tha kryeministri.

“Deri në moshën 51 vjeçare, jeta e Ejup Statovcit ishte ajo e një profesori të përkushtuar dhe e një shkencëtari prodhimtar. Ajo do të mund të vazhdonte me këtë rrjedhë, sikur më 1991, kur Serbia i dëboi shqiptarët nga Universiteti i Prishtinës, të mos vinte në krye të Universitetit të Prishtinës si rektor. Në historinë e Universitetit tonë, ai është rektori i 10-të në radhë, por Ejup Statovci është rektori më jetëgjatë, që e drejtoi Universitetin e Prishtinës, nga 26 nëntori i vitit 1991 dhe deri më 31 dhjetor 1997”, tha kryeministri Kurti.

Profesor Ejup Statovci i qëndroi besnik formimit të tij kulturor, duke i përkthyer mendimet dhe bindjet e tij nga dije dhe besim, në guxim për të folur dhe vullnet për të vepruar. Ai i kuptoi saktë dhe drejt detyrat që ia jepte pozita e rektorit të Universitetit të Prishtinës dhe rolin që ia kërkoi koha në shoqëri, tha kryeministri Kurti. Ai shtoi se profesor Ejup Statovci u bë pjesë e historisë në një mënyrë shumë autentike. Ajo listë e gjatë e publikimeve shkencore të Profesor Ejup Statovcit gjatë viteve të ’70-ta dhe të ’80-ta, u rrallua dukshëm në vitet ’90-ta, sepse në dekadën e fundit të jetës së tij, Profesor Ejup Statovci u kthye në akademik të rezistencës.

I përhershëm qoftë kujtimi ynë për Profesor Ejup Statovcin dhe i lexueshëm qoftë roli i tij në historinë e Kosovës, tha kryeministri Kurti në pëmrbyllje të fjalës së tij.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

 E dashura profesore Drita Halimi Statovci,

I nderuari rektor i Universitetit të Prishtinës,

I dashuri Driart, Jeton, Mentor,

Të dashur profesorë Ahmet Geca, Musli Bajraktari, Ismet Salihu,

I nderuar kryetar i parlamentit studentor, Çlirim Hoti,

E nderuar nënkryetare e parlamentit studentor, Alba Lala,

​Shumë të respektuar profesorë e studentë,

Zonja e Zotërinj, motra dhe vëllezër,

Dekada e fundit e shekullit të XX ka përfunduar para më shumë se dy dekadash, por ajo është dekada më e pashmangshme për ta kuptuar historinë e Kosovës edhe sot. Nëse niseni nga vitet ’90-të, mund të shkoni lehtësisht mbrapa ose para në histori, sepse të ’90-tat janë rezultantja e gjithë atyre viteve që Kosova i kaloi në tri Jugosllavitë, siç janë edhe vite shkëputjesh e pikëpremjesh të mëdha, pas të cilave lindi Kosova e re dhe e lirë.

Nga viti 1989 deri në vitin 1991, me radhë, Serbia ia suprimoi autonominë Kosovës, përjashtoi mijëra e mijëra shqiptarë nga puna, nga spitalet, nga shkollat, mbylli radiotelevizionin dhe gazetën e vetme që kishte Kosova në gjuhën shqipe dhe sidomos dëboi shqiptarët nga Universiteti i Prishtinës, duke instaluar një politikë apartheidi dhe segregacioni.

Në vazhdën e këtyre përpjekjeve, delegatët e Kuvendit të Kosovës miratuan Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990 dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës më 7 shtator më pas në Kaçanik. Mes ekspertëve e juristëve që hartuan këto dy dokumente themeltare në historinë institucionale të Kosovës, ishte edhe një profesor i të drejtës civile, atë kohë 50 vjeçar. Emri i tij ishte Ejup Statovci. E sonte, historia e këtij profesori, është edhe arsyeja e mbledhjes sonë, në vigjilje të 25-vjetorit të protestës së 1 tetorit 1997.

I lindur më 16 prill të vitit 1940 në fshatin Prugoc të Prishtinës, ai ishte fëmiu i gjashtë pas tri motrave dhe dy vëllezërve. Ndonëse me prirje për muzikë, Ejup Statovci studioi për drejtësi në Universitetin e Zagrebit ku diplomoi më 1966 dhe magjistroi më 1971, për të vazhduar më pas me studimet e doktoraturës në Universitetin e Lublanës, ku mbrojti tezën më 1974, me një punim mbi marrëdhëniet pronësore juridike në sendet e paluajtshme në Kosovë. Që më 1968, ai nisi punën si profesor asistent në Fakultetin Juridik dhe Ekonomik, aty ku pas themelimit të Universitetit të Prishtinës më 1970, ai ngjiti të gjitha gradat akademike deri në shkallën profesor ordinar në vitin 1980. Në vitin akademik 1979/80, Ejup Statovci fitoi një bursë Fulbright përmes së cilës shkoi si studiues vizitor në Universitetin e Harvardit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë tri dekadave të karrierës së tij akademike, Profesor Ejup Statovci, botoi një sërë punimesh shkencore dhe monografish, si p.sh “Mbrojtja e pronësisë”, mandej “Pronësia: origjina dhe zhvillimi”, “E drejta e servituteve”, “E drejta e pengut” e të tjera.

Për jetën dhe veprimtarinë shkencore e publike të Profesor Ejup Statovcit, sigurisht do të kemi rastin të mësojmë më gjerësisht edhe nga dokumentari që do të shfaqet sonte, por unë i përmenda këto të dhëna bibliografike nga profili i Profesor Ejup Statovcit, për të ardhur te thelbi i fjalës sime për të sonte: si intelektual i angazhuar dhe akademiku i rezistencës.

Deri në moshën 51 vjeçare, jeta e Ejup Statovcit ishte ajo e një profesori të përkushtuar dhe e një shkencëtari prodhimtar. Ajo do të mund të vazhdonte me këtë rrjedhë, sikur më 1991, kur Serbia i dëboi shqiptarët nga Universiteti i Prishtinës, të mos vinte në krye të Universitetit të Prishtinës si rektor. Në historinë e Universitetit tonë, ai është rektori i 10-të në radhë, por Ejup Statovci është rektori më jetëgjatë, që e drejtoi Universitetin e Prishtinës, nga 26 nëntori i vitit 1991 dhe deri më 31 dhjetor 1997.

Është kjo periudha më e vështirë në gjithë historinë e Universitetit të Prishtinës, kur Universiteti i Prishtinës, praktikisht u rithemelua duke dalë në atë që është quajtur sistemi paralel i arsimit, i zhvilluar nëpër shtëpi dhe ambiente private.

Është periudha kur Universiteti i Prishtinës me 14 fakultete, 7 shkolla të larta, 845 pedagogë, 247 bashkëpunëtorë dhe rreth 20 mijë studentë, funksionoi falë atyre vullneteve të pafundme të njerëzve që u angazhuan dhe financuan Universitetin e Prishtinës si një univers paralel, duke sfiduar regjimin okupator të Serbisë në Kosovë.

Është koha kur pas dështimit të çdo përpjekje politike për t’u kthyer në hapësirat universitare, studentët e Universitetit të Prishtinës të organizuar në kuadër të Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës dhe të përkrahur nga mijëra e mijëra qytetarë, organizuan tashmë të mirënjohurën protestë të 1 tetorit 1997, që nisi një periudhë të re të lëvizjeve studentore në Kosovë, siç kishin qenë ato të vitit 1968, 1981. Është koha kur pakkush besonte që ne studentët mund ta ndryshojmë kahjen e zhvillimeve politike në Kosovë, dhe kur shumëkush hezitonte të bashkohej në përpjekjen tonë për t’u kthyer në hapësirat e kampusit universitar të UP-së dhe për të shpërfaqur dhunën që Serbia ua bënte shqiptarëve autokton. Dhe është koha, kur ne studentët e Universitet të Prishtinës, megjithë pengesat, vështirësitë dhe rreziqet, më 1 tetor 1997, u rreshtuam në të dy krahët e rektorit Ejup Statovci për të marshuar paqësisht rrugëve të Prishtinës, në atë demonstratë e cila e theu figurën e paprekshme të mitit të policit serb dhe që do të bëhej edhe prelud i luftës çlirimtare në Kosovë.

Për lëvizjen studentore të Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës, kanë folur shumë herë shokët e shoqet e mia dhe unë, siç kemi folur sërish edhe për këtë dokumentar kushtuar rektorit të Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci.

Ne jemi sërish sonte bashkë në këtë sallë kinemaje, ndërsa Profesor Ejup Statovci është bërë kapitull i përmbyllur në historinë moderne të Kosovës. Kapitull ndër më të qartët dhe më autentikët.

Sepse, nëse doni ta kuptoni historinë e Kosovës, mund ta shikoni atë si në miniaturë në vetë historinë e Universitetit të Prishtinës. I themeluar pas demonstratave të vitit 1968, Universiteti i Prishtinës do të bëhej arma më e fuqishme e shqiptarëve të Kosovës kundër ish Jugosllavisë. Dhe pikërisht atëherë kur pushteti serb i Beogradit deshi të ua merrte këtë armë nga dora shqiptarëve të Kosovës, ata e shkrepën atë duke qëlluar në shenjë. Nëse Kroacia dhe Bosnja patën ushtritë e tyre për t’i shkëputur nga Armata e Jugosllavisë dhe për të luftuar me to përballë Serbisë, Kosova e pati për ushtri Universitetin e Prishtinës me armatën e studentëve, shumë prej të cilëve edhe do t’i bashkoheshin Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Por studentët nuk ishin vetëm, ata patën përkrahjen e shumicës dërmuese të stafit akademik të fakulteteve të Universitetit të Prishtinës, dhe veçanërisht të menaxhmenteve të tyre. Duke i përjashtuar nga Universiteti i Prishtinës në vitin 1991, Serbia synonte t’i kthente shqiptarët e Kosovës mbrapa, në një shoqëri pa universitet. Duke na marrë universitaren, Serbia donte të na merrte universalen dhe bashkë me të edhe politikën, duke na zhveshur nga publikja.

Në një ligjëratë të mbajtur më 2011 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, me titull “Ideja e universitetit: program për një arkeologji”, studiuesi dhe përkthyesi i filozofisë, që vije nga Vlora e jeton në Paris, Orgest Azizi, pati thënë: “Kurrë nuk kemi pasur aq shumë, aq intensivisht Universitet, sesa në kohën e sundimit serb, sesa në kohën kur ai ishte i ndaluar. Në kohën kur universiteti ishte i ndaluar, pra kur pushtuesi deklaronte se s’ka universitet, në kohën kur Beogradi deklaronte se diplomat e Universitetit të Prishtinës nuk ishin diploma dhe njerëzit që e popullonin atë nuk ishin profesorë dhe studentë. Universiteti ishte një vend mirëfilli politik dhe studenti një figurë politike absolute.”

Universiteti i Prishtinës njëmend mund të ngjajë mesatar për nga prodhimtaria shkencore, për shkak të etapave nëpër të cilat ka kaluar detyrimisht, por, Universiteti i Prishtinës e ka zhvilluar maksimalisht një komponentë të fuqishme të universitares, përkatësisht rolin e universitetit mbi publiken, si sfera ku mbëhet politikja. Universiteti i Prishtinës ka prodhuar gjenerata të tëra të elitave kulturore dhe politike, bartës procesesh shoqërore emancipuese ndër shumë dekada, ashtu siç Universiteti i Prishtinës ka prodhuar edhe universin mendor të vetë Republikës së Kosovës.

Profesor Ejup Statovci i qëndroi besnik formimit të tij kulturor, duke i përkthyer mendimet dhe bindjet e tij nga dije dhe besim, në guxim për të folur dhe vullnet për të vepruar. Ai i kuptoi saktë dhe drejt detyrat që ia jepte pozita e rektorit të Universitetit të Prishtinës dhe rolin që ia kërkoi koha në shoqëri. Andaj Profesor Ejup Statovci u bë pjesë e historisë në një mënyrë shumë autentike. Ajo listë e gjatë e publikimeve shkencore të Profesor Ejup Statovcit gjatë viteve të ’70-ta dhe të ’80-ta, u rrallua dukshëm në vitet ’90-ta, sepse në dekadën e fundit të jetës së tij, Profesor Ejup Statovci u kthye në akademik të rezistencës. Profesor Ejup Statovci do të ishte 82 vjeç sot, sikur të mos na kishte lënë aq herët, më 19 tetor 1999, në moshën 59 vjeçare.

Prandaj ju dëshiroj edhe ju edhe vetes shikim të këndshëm e i përhershëm qoftë kujtimi ynë për Profesor Ejup Statovcin dhe i lexueshëm qoftë roli i tij në historinë e Kosovës.

Ju faleminderit!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pronarja e Top Channel, Sara Hoxha është bërë nënë për…