
Kryetari Alban Hyseni, nderon me çmimin “Çelësi i Qytetit” shkrimtarin Ibrahim Kadriun
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, bashkë me drejtorin e Kulturës, Rinisë e Sportit, Kushtrim Zeqirin, kanë prit shkrimtarin Ibrahim Kadriun, të cilit i’u nda edhe çmimi “Çelësi i Qytetit”.
“Sot pata nderin dhe kënaqësinë e veçantë që t’i ndaj “Çelësin e Qytetit” shkrimtarit tonë të njohur, Ibrahim Kadriu”, tha Alban Hyseni.
I pari i Gjilanit, theksoi se ai është figurë e shquar e letërsisë shqipe dhe krijues që me veprat e tij ka lënë gjurmë të pashlyeshme në identitetin tonë kombëtar.
““Çelësi i Qytetit”, është mirënjohje për kontributin që edhe sot e kësaj dite vazhdon ta japë.
Po ashtu, kam propozuar që Ibrahim Kadriu të nominohet nga Kuvendi Komunal për Çmimin “Nderi i Qytetit të Gjilanit”, si dhe të propozohet te Presidentja Vjosa Osmani, që të nderohet me Medalje Presidenciale, për kontributin e dhënë në pasurimin e gjuhës shqipe dhe promovimin e kulturës”, tha kryetari Alban Hyseni.
Drejtori i Kulturës, Rinisë e Sportit, Kushtrim Zeqiri, tha se është një ditë e veçantë, pasi po i dorëzojmë çmimin “Çelësi i Qytetit” shkrimtarit Ibrahim Kadriut, i cili mbetet njëri ndër personalitetet më të rëndësishme të letrave shqipe të kohës sonë.
Shkrimtarin Ibrahim Kadriu, falënderoi kryetarin për këtë nderim që ia bëri, duke shtuar se guri më së shumti peshon në vendlindje sikur është ky.
Profesori Anton Nikë Berisha, tha se vendimi i kryetarit të Gjilanit që të nderohet Ibrahim Kadriu me këtë mirënjohje, është shumë i rëndësishëm, sepse është gjetur edhe njeriu që e meriton. Po ashtu mendohet për njerëzit të cilët merren me artin dhe nuk harrohen, por nderohen.
“Rrallë ndodh që të vlerësohet një shkrimtar dhe sot po dëshmohet kjo ku po çmohet puna e një shkrimtari, letërsisë dhe ndikimi estetik në shpirtin e njeriut që bënë letërsia”, tha Berisha.
Profesori falënderoi kryetarin për këtë nderim, duke uruar që të ketë edhe çmime e vlerësime edhe për të tjerët, që sipas tij Gjilani ka.