Kryetari i ShSAShJ-së i shkruan letër Ahmetit, kërkon trajtim të barabartë për anëtarët e Shërbimit të Jashtëm

14 maj 2025 | 13:49

Kryetari i Shoqatës Sindikale të Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm (ShSAShJ), Fatmir Haxholli, ia ka shprehur shqetësimet e tij zëvendësministrit në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Kreshnik Ahmeti.

Përmes një letre të hapur, ai ka kërkuar përmirësim të ndjeshëm të kushteve të punës, avancim të merituar dhe trajtim të barabartë për të gjithë anëtarët e Shërbimit të Jashtëm.

Në letrën, e cila i është dërguar edhe sekretar i përgjithshëm i MPJD-së, Ilir Muçaj, Haxholli ka renditur kërkesat e tij.

“Në prag të formimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, 2025, presim përmirësim të ndjeshëm të kushteve të punës, avancim të merituar dhe trajtim të barabartë për të gjithë anëtarët e Shërbimit të Jashtëm, si brenda ministrisë, ashtu edhe në misionet diplomatike/konsullore”, është thënë në letrën e tij, duke përmendur kërkesat e tij.

“Në këtë frymë, ju kërkojmë: 1. Zbatimin e praktikës së konkurseve të brendshme (shprehje interesi) për plotësimin e vendeve të lira në misionet diplomatike dhe konsullore. 2. Hartimin dhe shpalljen e një liste vjetore të vendeve të lira, si brenda ashtu edhe në misionet diplomatike, për të cilat MPJD merr obligim dhe zotohet për shpallje të konkurseve të brendshme në harmoni me profilin e anëtarëve. 3. Identifikimin e nevojave për gradime dhe pozita drejtuese, duke siguruar që vendimet për sistemime të përkohshme të mos i paraprijnë konkurseve të brendshme. 4. Përmirësimin e menaxhimit të burimeve njerëzore, përmes rotacionit të planifikuar, transferimeve transparente dhe respektimit të dinjitetit profesional dhe familjar të personelit dhe anëtarëve të MPJD-së. Ky proces të përfshijë një periudhë njoftimi dhe tranzicioni prej 3-6 muajsh. 5. Shqyrtimin e çështjeve të meritokracisë, përmes një procesi transparent, gjithëpërfshirës dhe të drejtë, që siguron barazi në avancime dhe gradime”, është thënë në letrën e Haxhollit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ndeshja ndërmjet Zvicrës dhe Kombëtares së Kosovës, do të zhvillohet…