KTHIMI TE MËNGJESI I 5 MARSIT…

18 qershor 2020 | 11:36

Bedri Islami

Lavdia u takon atyre që flijohen për vizione të mëdha (9)

 Në këtë truall u lindën Rifati, Hamza dhe Ademi. Shumë shpejt, jo çuditërisht, shumë shpejt do të vinte koha e tyre, do të vinte momenti kur ata të ndienin mbi vete peshën e dhunës. Do ta shihnin fillimisht tek i ati i tyre, mësuesi Shaban Jashari, që nuk lejohej të jepte mësim sepse ishte i lëçitur, i lëçitur dy herë, nga pushteti dhe, si rrjedhojë e tij, edhe nga njerëzit. Do të vinte koha e ngushticës kur portat e kullave të tyre do të hapeshin rrallëherë për miq e dashamirë; kur dyer të tjera do të quheshin të mbyllura për to; kur nuk do ta kishin pjesën e tyre në gëzimet e dasmave e të fejesave; kur do të fillonin ta ndienin vetminë, por nuk do t’i përkulte vetmia. Do të kishte momente kur regjimi zgjaste kulaçin, “bëjuni urë e jona dhe jua shtrojmë si të doni”, por ajo ishte një urë ku nuk kishte kaluar kurrë asnjë nga fisi i Jasharëve dhe pas saj vinte menjëherë kërbaçi i rëndë i dhunës serbe, dëbimi nga puna, arrestimi, ngufatja nëpër burgjet serbe, ngujimi në shtëpi sipas urdhrit të policisë, tatimet e njëpasnjëshme, pastaj përsëri arrestimet dhe, në fakt, në treqind vite, thuajse asnjëri nga burrat e djemtë e këtij fisi nuk qëndroi jashtë burgjeve të dhunës. Njëkohësisht, asnjëri prej tyre nuk u ndje i thyer dhe nuk kishte përse.

Ishte një fillesë e zakonshme për Prekazin dhe në të njëjtën kohë për Drenicën. Diku ndjehej më shumë, diku ndjehej më pak, dikush ishte i huaj, i ftohtë dhe i largët me pushtetin, do të kishte edhe fillesa marrëveshjesh, që nuk zgjasnin shumë dhe që asnjëherë nuk do të ishin në gjirin e këtij Fisi. Jasharët hynin tek njerëzit dhe familjet që i kishin përherë marrëdhëniet e ftohta, të huaja dhe të largëta me pushtetin serb ose me serbishtet e tyre. Nuk do të ndjenin kurrë, në asnjë moment, keqardhje pse i kishin ngritur kështu këto marrëdhënie, në të kundërtën, do të ndjeheshin mirë. Ata nuk do të përpiqen kurrë t’i lehtësojnë marrëdhëniet e ngurta dhe të hidhëta me pushtetin, megjithëse e dinë se, pas çdo refuzimi, do të kishte shtypje më të madhe. Në të vërtetë ata e kishin të vetën devizën e të atit të tyre, Shabanit, se “Ma mirë me hekë e me u flijua vetë, sesa me marrë në qafë shumë njerëz të tjerë”. Ideja e flijimit ishte e hershme, askush nuk duhej të çuditej që ajo do të vinte krejt natyrshëm disa dekada më vonë dhe në ato përmasa që dihen.

Nëse u larguan gjithnjë e më shumë e u bënë të huaj me pushtetin, Jasharët u lidhën me shumë me tokën dhe me bukën. Nëse do të lëçiteshin nga pushteti, ata do të ishin të afërt me punën. Nuk e kishin ndërprerë kurrë atë, e kishin menduar se do të kishin dhunë e egërsi mbi Familjen e tyre, por kishin menduar po ashtu se, duhej të kishte një rrugë mbijetese, e natyrshëm do të vinte nga djersa që do të derdhnin. Gjithë ditën nëpër arat e bashtinat e familjes, në darkë, në dhomën e burrave, djemtë e rinj do të dëgjonin të vërtetën për Shaban Polluzhën, për shkakun pse i ishte bashkëngjitur prej fillimit Shaban Jashari radhëve të tij, bisedohet se çka e bën të fortë Kosovën dhe “pasha ditët kur kena kenë Shqipni”.

Kjo është fillesa, e cila kalon pashmangshëm përmes katër këndeve, traditës së stërgjyshërve, tokës ku kanë lindur e ku e kanë në mend të vdesin, mësimeve të babait të tyre, Shabanit dhe mësimit që duhet t’i lënë fëmijëve të tyre.

Asgjë tjetër nuk është më e rëndësishme për to, për asgjë në botë nuk do të heqin dorë prej tyre, dhe, kur të vijë momenti, do të dëshmojnë se kishin pasur vetëm një gabim në përllogaritjen e tyre: mësimi që do të kishin dashur të lënë për fëmijët e tyre ishte rritur në përmasa të pallogaritshme, ishte bërë mësim për të gjithë njerëzit që e duan vendin e tyre. Nuk ishin nisur të bënin kaq shumë, ata si në baladat e lashta, ishin nisur të bënin pjesë të detyrës së tyre për Kosovën, kurse në të vërtetë, krejt natyrshëm, ishin bërë shumë më tepër se kaq.

Kthimi te mëngjesi i 5 marsit…

Kishte filluar të agonte dhe nuk dukej asgjë e jashtëzakonshme. Ishte një fillim marsi, ndoshta si çdo ditë tjetër e këtij muaji, në të cilin pranvera ndahet nga dimri. Gjithë natën, dy djem të Fisit, Bashkimi dhe Aliu, kishin bërë roje. Ngrica e bardhë dukej ende si shtrojë përmbi fushat dhe vendet përreth mbartnin qetësinë e zakonshme të mëngjesit. Kishte kaluar ora pesë dhe njerëzit kishin filluar të zgjoheshin. Në oborret e brendshme të shtëpive lëvizte qetësisht Hamza, gjithnjë me ndjenjën e mirë të të qenit në shtëpi. Ishte në netët e rralla kur ndodhte një gjë e tillë. Tetë vite ilegalitet i kishin larguar me shtëpinë, por i kishte afruar me njerëzit e saj. Pas pak do të dukej tymi i magjeve të bukës dhe do të ishte një ditë si gjithë të tjerat.

Iku shkurti i dimrave, hyri marsi i lustrave.

Nuk do të ishte një mars i zakonshëm dhe këtë e tregonte një mitraloz i vendosur në një pikë të shtëpisë. Nipi dhe mixha, Bashkimi dhe Hamza, po bisedonin me njëri tjetrin, kur nga oda doli Ademi dhe u tha qetësisht, tepër qetësisht, si të ishte fjala për diçka që ishte pritur prej kohe se forcat serbe po rrethojnë Llaushën. Kishte qenë një telefonatë nga lagjja e re e Skenderajt. Dikush i kishte thënë se i kishin parë forcat serbe duke ardhur nga Llausha. Shkoi drejt Hamzës, qëndroi pranë tij dhe i tregoi për atë që i kishin thënë. Tjetri e shikoi qetësisht, ndezi edhe një cigare tjetër, këtij mëngjesi po i shijonte më shume se herët e tjera dhe i tha se “Për hajër na qoftë, ne kemi vendosur kështu dhe nuk ka rrugë tjetër. Për besë, nuk ka rrugë tjetër”, – shtoi pas pak dhe bëri të futej brenda.

“Bëni gati disa armë se po shkojmë në Llaushë”, tha Ademi dhe njerëzit u vunë në lëvizje.

Pas pak erdhi një telefonatë tjetër, kujton nipi i tij, Bashkimi, dhe u thanë se forcat serbe nuk po shkojnë në Llaushë, por drejt Açarevës. Nuk kishte ndërruar asgjë në qëndrimin e tyre, nuk do të shkonin në Llaushë, por në Açarevë. Ishte rritur harta e sulmit të pritshëm të forcave serbe, kjo do të thoshte se ishte rritur harta e rezistencës.

Telefonata tjetër do të përmbysë rendin e gjërave, por jo qëndrimin ndaj tyre. “Forcat serbe po vijnë drejt jush, drejt Prekazit”.

Tani nuk kishin përse të lëviznin. Tani u duhej të zgjidhnin dy rrugë, ose të iknin, ose të qëndronin. Ndoshta kushdo do të mund të kishte vënë para vetes këtë pikëpyetje, të ikësh për të ardhur përsëri, apo të qëndrosh. Do të ishte në fund të fundit një pyetje e zakonshme për çdo njeri të zakonshëm. Megjithatë nuk ndodh kështu. Nga oda, ky po bëhej gati të merrte rrugë drejt luftës, në Llaushë apo në Açarevë qoftë ajo, vjen një kumt i ri, krejt i thjeshtë dhe krejt i kuptueshëm: “Djem, zini pozicionet se na e paskan mësyer neve”.

Kaq, vetëm kaq dhe asgjë tjetër.

Zgjimi i 5 marsit do të bëhej përmes tri telefonatave, por në mes të tria do të kemi të njëjtin qëndrim, duke ndërruar vetëm vendndodhjen e rendit të gjërave. Fillimisht është Llausha, pastaj Açareva, pastaj Prekazi. Kështu ka ndodhur rendi i gjërave dhe kështu u është përgjigjur ai. Më saktë, kështu i janë përgjigjur ata, të Familjes dhe të Fisit.

A kishin mundësi të iknin? Sigurisht që po, për deri sa po bëheshin gati të merrnin rrugën për Llaushë ose për në Açarevë. Ata po shkonin drejt luftës, kudo që të ishte ajo, lufta po vinte drejt tyre.

Përse nuk ikën dhe të riktheheshin në një ditë tjetër? Përse, në orët e para të mëngjesit, përmes agut të 5 marsit, që sapo kishte filluar të zbardhte, nuk morën rrugën e ikjes gratë, pleqtë, fëmijët?

Do të kthehem më pas në përgjigjen e kësaj pyetje, por një gjë duhet sqaruar që në fillim. Për t’i thirrur për luftë, për secilin për pjesëtarët e familjes, cilindo, do të ishte e mjaftueshme vetëm një thirrje e qetë, krejt e zakonshme, “djema, bëhuni gati se na e paskan mësyer neve”, ndërsa për t’i hequr prej aty, me të mirë apo me përkëdheli, me forcë apo me urdhër, do të duhej shumë më tepër se një fjali e zakonshme. Ndoshta ky ishte i vetmi rast kur pinjollët e rinj të Familjes nuk i bindeshin të parëve të tyre.

Si thashë, do të kthehem më pas në përgjigjen e këtyre dy pyetjeve, të cilat janë bërë atyre ditëve, janë bërë më vonë dhe nuk bëhen më.

Në mëngjesin e 5 marsit nuk kishte kohë për përgjigje të tilla. Ishte momenti kur secili që e dinte vendin e tij, do të shkonte drejt atij pozicioni, kur Familja do të shumëfishohej nga Fisi, kur një lagje, ajo e Jasharëve do të dukej sikur ishte e bashkërrethuar edhe me lagjet e tjera të Prekazit të Poshtëm.

Askush nuk e dinte se ky do të ishte 5 marsi i kthimit të së vërtetës në legjendë. Rrethimi po bëhej i plotë, i trefishtë, i zjarrtë dhe i hekurt. Që prej dekadash nuk ishte parë një rrethim i tillë në Kosovë.

Njerëzit në kullat dhe në odat e burrave po prisnin. Përtej kthesës së parë, aty ku rruga merr në të djathtë drejt Skenderajt, u dukën tanket e para. Megjithëse ishte agu i ditës, ata dukeshin edhe më zinj se herët e tjera. Pastaj tanket e tjerë filluan të dalin edhe në anën e kundërt të shtëpive dhe drejt pozicioneve që kishin zënë dy nga djemtë më të rinj të shtëpisë, Besimi dhe Fitimi.

Njerëzit, sidomos në Shqipërinë londineze, që janë mësuar të dëgjojnë për Ademin e Hamzën, do të ishte e natyrshme të pyesin se kush janë këto të dy, Besimi dhe Fitimi. Mund të themi vetëm kaq se, të dy nuk i kishin kaluar të 14 vitet dhe se kjo që po fillonte, pas 22 janarit të të njëjtit vit, do të ishte beteja e dytë e jetës së tyre.

Tanku u ndal përballë pozicionit të tyre dhe ngriti tytën e gjatë dhe të hekurt. Të dy djemtë u përulën mbi mitraloz dhe nga pozicioni që kishin zënë në qoshen e një objekti, filluan të qëllojnë. Filluan të gjuajnë të parët, pasi forcat serbe ishin afruar shumë. Kishin detyrën të mbulonin pjesën kah fabrika e Municionit, sipërfaqen e sipërme prej nga policët dhe paramilitarët serbë po tentonin të afroheshin.

Ishin krismat e para të asaj lufte… I kishin nisur dy djem, trembëdhjetë dhe katërmbëdhjetëvjeçarë.

Krismat filluan të dëgjohen deri larg. Ishte një ushtimë që kishte filluar të zgjaste një ditë, një natë, përsëri ditën tjetër dhe natën tjetër, edhe një herë në ditën e tretë…

Dëgjohej në të gjitha viset përreth, herë pas here ajo shkonte shumë përtej Prekazit dhe Drenicës… së bashku me dëgjimin e ushtimave lindi edhe pyetja, kush po lufton…

Fillimisht, se kush po lufton e dinin ata që ishin krah tij, sepse ishin të një llogoreje (tani flitej për llogore lufte), pastaj, më tej e dinin bashkëluftëtarët e tij disi më tutje, të cilët, me gjithë përpjekjet nuk do të arrinin t’i vinin në ndihmë përmes një rrethimi të trefishtë; tepër shpejt do të fillohej të bëhej i njohur fakti se cilët ishin rrethuar dhe ku po vazhdonte lufta në tri ditë e dy net, emri i Drenicës, edhe një herë po bëhej i kahdoshëm, pastaj vëmendja u përqendrua tek nocioni i një fshati, po ashtu me emër, Prekazi i Poshtëm, për t’u ndalur në simbolin e gjithë asaj që po ndodhte, Adem Jashari. Lufta kishte nisur prej kohe, ajo kishte kërkuar një Prijës, ai ishte gjendur, tani po kërkonte një Mit, ai po vinte, do të donte edhe një Legjendë, ajo po ngjizej brenda pak çasteve.

Mrekullisht, Prijësi, Miti dhe Legjenda do të ishin në një emër. (Vijon)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pandemia duket se po rikthehet sërish në ato vende të…