Kuçi për hidrocentralet: S’mund të stopojmë procesin, lejet u dhanë me të drejtë

10 dhjetor 2020 | 15:23

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerim Kuçi, duke folur për dhënien e lejeve për operim me hidrocentrale për kompaninë “Kelkos Energy”, ka thënë se nuk mund të marrin vendime arbitrare duke stopuar procesin dhe duke cenuar një të drejtë që është e garantuar me ligj.

Ai ka thënë se edhe po të ketë të interesuar me koncesion, vendi nuk ka çfarë t’i jep dikujt me koncesion për ujërat.

“Kosova ka shumë probleme me mjedisin. Kur kam pranuar të udhëheqë me këtë ministri e kam ditur që do të përballem me këto probleme. Jam munduar që problemeve tu qasem nga fillimi dhe të mos marr vendime arbitrare. Një prej çështjeve më delikate është çështja e hidrocentraleve. Shumë nga investitorët i kemi joshur vetë që të futen në treg. Ky treg ka qenë dhe është mjaft tërheqës për shkak të tarifave. Kam marr disa vendime për të vendosur moratorium”.

Kuçi ka thënë se Hidrocentralet kanë bazë ligjore që mbështet në ligjin e ujërave, ku shfrytëzimi i ujërave bëhet në dy forma me akte ujore dhe me koncesion. “Forma me koncesion është provuar më 2010 por nuk ka pasur të interesuar dhe më pas është vazhduar vetëm me akte ujore në bazë të ligjit për ujërat. Nuk ka vendosur kjo qeveri që të vazhdohet me akte ujore. Në gjithë këtë proces është një fakt që jo vetëm në fushën e mjedisit por në secilën fushë ku duhet pasur monitorim dhe inspektim të rregullt ne nuk i kemi”, ka thënë ai.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se në shtator të 2020 kur OJQ-të e kanë njoftuar Ministrin Kuçi për dëmin që “Kelkos” i ka shkaktuar mjedisit dhe sipas saj, ai ka thënë se do të angazhohet për të gjetur zgjidhje dhe se ndihet i turpëruar për degradimin që u është bërë lumenjve në Deçan. “Në një shkresë drejtuar ‘Kelkos’ Komisioni për leje mjedisore thekson se bazuar në letërkëmbimin zyrtar me autoritetin rajonal të pellgjeve lumore është cekur nuk janë përmbushur kushtet për leje ujore për shfrytëzim të ujit dhe natyrisht mungon leja e përdorimit. Por më 3 dhe 4 nëntor të këtij ministria e Kuçit ka pajisur ‘Kelkosin’ me leje ujore në kundërshti të qartë me ligjin për ujërat. Më 6 nëntor sekretari i MEA miratoi vendimin për lejet mjedisore për HC Belaja dhe HC Deçani dhe pajisjet përcjellëse. Më 12 nëntor ZRRE-ja pajisi ‘Kelkosin’ me licencë duke shkelur mes tjerat edhe parimin e proporcionalitetit ku mbi bazën e lejeve mjedisore, që vlejnë për 5 vite ka dhënë licenca për periudhën 40 vjeçare, përfundimisht ka cenuar ligjin për rregullatorin e energjisë”, ka thënë ajo.

Ajo ka pyetur se a është rastësi që më 12 nëntor në të njëjtën ditë kur “Kelkosit” i është lëshuar leja nga ZRRE-ja, në të njëjtën ditë arrihet marrëveshja në Kishën e Deçanit për rrugën e që të dërgon te Hidrocentralet.

Ai ka thënë se Kuvendi e ka formuar një komision hetues për HC dhe sipas tij në atë komision përveç tij si ministër janë thirrur edhe zyrtarë të tjerë.

Ai ka deklaruar se lëshimi i lejeve është bërë me të drejtë. “Po ashtu komisioni ka kërkuar raport për dhënien e lejeve. Krejt ky proces ka zgjatur 6 orë. Pra dy herë dhe jo vetëm unë si ministër para deputetëve kemi dhënë përgjigje para komisionit dhe zonjës Kusari Lila dhe të gjitha dokumentet i ka tashmë Komisioni Hetimor. Normalisht nuk i iki përgjegjësisë jam ministër por nuk e kam nënshkruar atë dokument por në bazë të argumenteve që mi kanë dhënë, disi jam bindur që për dy objekte për të cilat kanë lëshuar leje kanë pasur të drejtë. Për objektin tjetër për të cilin është bërë debat ne nuk kemi lëshuar asnjë leje, as ujore, as të përdorimit edhe pse procesi ka shumë kohë që është kryer. Sa i përket Energjisë ZRRE-ja është organ që i përgjigjet edhe Kuvendit dhe atë çështje të mos e përziejmë në këtë seancë”, ka thënë ai.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se…